“Lojë brutale”/Ish-kryetari i AKI-së, reagon pas veprimeve të fundit të Listës Serbe, ka disa fjalë për KQZ-në

Aktuale

“Lojë brutale”/Ish-kryetari i AKI-së, reagon pas veprimeve të fundit të Listës Serbe, ka disa fjalë për KQZ-në

Nga: A.SH Më: 8 prill 2024 Në ora: 18:16
Burim Ramadani

Ish-inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, ka reaguar pas veprimeve të fundit të Listës Serbe, të cilët bënë thirrje për bojkot të zgjedhjeve.

Ai ka thënë se kjo është loja brutale që po bën Lista Serbe ndaj Kosovës.

Sipas tij, dy parti shqiptare janë suspenduar nga KQZ, dhe ai ngrit pyetjen, po Lista Serbe?

Shkrimi i plotë:

Loja brutale e Listës Serbe të financuar nga shteti i Kosovës - hapja e derës për veprime tjera

Lista Serbe pasi i mori 360 mijë euro nga Kosova më 12 janar 2024, organizoi peticionin për shkarkimin e Kryetarëve në Komunat në veri të vendit.

Kështu, detyroi Kosovën të shpallë referendum (duke shkaktuar konfuzion ligjor, pra realisht detyroi Kosovën të merr veprime eventualisht të kontestuara!) dhe në fund po fton serbët të bojkotojnë këtë proces.

Sërish, thirrja për bojkot kthehet në akuzë ndaj Kosovës për çështje administrativo-politike.

Dikush sërish thotë “është çështje ligjore” çregjistrimi në KQZ i Listës Serbe, por harron se një parti shqiptare (PSD) e patën suspenduar për shkak të vonesave në mbajtjen e Kuvendit zgjedhor.

Një partie tjetër shqiptare (GUXO) nuk ia pranoi KQZ-ja zgjedhjen e dy bashkë-kryetarëve, rrjedhimisht e detyroi t’i përshtatet rregullave normative.

Po Lista Serbe?

Kur e ndrroi Kryetarin dhe kryesinë, pra pas 24 shtatorit 2023, a e ftoi KQZ-në ta monitorojë Kuvendin Zgjedhor? A ishte proces zgjedhor partiak sipas normativës, zbatimin e së cilës KQZ e ka për obligim ta monitorojë?

A munden të na sqarojnë se si u mbajt Kuvendi kur Elek u zgjodh Kryetar i LS?

Cilat janë të dhënat e KQZ?

Për më shumë, KQZ dëshmoi se nuk ka kërkuar ndonjëherë të dhëna nga institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë rreth përfshirjes së Listës Serbe në organizimin e sulmit paramilitar në Banjskë më 24 shtator 2023!

Qeveria, përmes MPB, e pati konstatuar më 26 shtator 2023, se bashkë-organizatorët e sulmit në Banjskë janë Serbia dhe Lista Serbe!

Por, as anëtarët e partisë në pushtet në KQZ nuk e morën seriozisht këtë konstatim të Qeverisë!

Sipas rastit të njohur në Spanjë (partia BATASUNA, 2003), partia Lista Serbe do të ndalohej së funksionuari pa asnjë dilemë ligjore e Kushtetuese.

E tërë situata, e menaxhuar absolutisht gabueshëm politikisht, është në drejtim të nxitjeve të tensioneve në vazhdimësi.

Kjo strategji, nëse mund ta quajmë ashtu, e vendos Qeverinë e Kosovës vetëm në një pikë:

Edhe të fikur, edhe të koritur!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat