Zgjedhjet në veri, Asociacioni dhe anëtarësimi i Kosovës në KiE, porositë që i çoi mbrëmë Macron

Aktuale

Zgjedhjet në veri, Asociacioni dhe anëtarësimi i Kosovës në KiE, porositë që i çoi mbrëmë Macron

Më: 9 prill 2024 Në ora: 16:44
Emmanuel Macron

Presidenti francez Emmanuel Macron dje ishte nikoqir i homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, në Pallatin Presidencial, Élysée. Para se të darkonin, Macron me mysafirin e tij mbajtën një konferencë për media. Në fillim të fjalimit, presidenti francez potencoi angazhimin e Serbisë për integrim europian, derisa në sfond i përmendi brutalitetin rus në Ukrainë. Më pas, Macron theksin e vuri te raporti i Serbisë me Kosovën dhe nevojën e zbatimit të asaj që janë marrë vesh vitin e kaluar.

Presidenti Macron tha normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një premtim i palëve dhe një peng i paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Derisa bëri thirrje që palët duhet të bëjnë pjesën e tyre, Macron tha se edhe ai “do të bëjë gjithçka” që marrëveshja të zbatohet.

“Dëshiroj të ritheksoj se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është një premtim dhe një peng për stabilitetin e të ashtuquajturës marrëveshje Bruksel-Ohër, e cila u përfundua më shumë se një vit më parë. Franca do të vazhdojë të mbështesë ndërmjetësimin e Bashkimit Europian dhe të bëjë gjithçka për të siguruar që angazhimet e marra të zbatohen. Të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre dhe unë dua të përshëndes veprimet e bëra nga disa dhe të tjerë në këtë drejtim. Por tani duhet të shkojmë më tej. E di që jeni gati për të. Dhe ju e përsëritët gjatë diskutimit të fundit që patëm në Bruksel. Ne do të flasim përsëri për të sonte. Por për mua, kjo rrugë është thelbësore”, tha Macron në konferencën e përbashkët me Vuçiqin, të cilit i kërkoi që të mbahen përgjegjës autorit e sulmit terrorist në Banjskë të Kosovës.

“Është thelbësore, nga njëra anë, që përgjegjësit për sulmin në Banjska vjeshtën e kaluar të sillen para drejtësisë dhe të japin llogari dhe të bëjnë gjithçka për të parandaluar të përsëritet një tragjedi e tillë”.

Macron përmendi edhe çështjen e dinarit dhe progresin që Kosova duhet të bëjë në themelimin e Asociacionit.

“Nga ana tjetër, duhet të tejkalohen tensionet e krijuara nga vendimet e marra së fundi nga Kosova për transferet financiare, veçanërisht që autoritetet kosovare të përparojnë në përputhje me angazhimet e marra për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, në përputhje me aspiratën e tyre për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës. Ne i dimë kushtet e këtyre marrëveshjeve, rrugën që ata marrin. Ju jeni të përkushtuar për këtë dhe unë dua t’ju përgëzoj për këtë zgjedhje. Gjithashtu do të jem vigjilent se do të respektohen zotimet e marra nga autoritetet e Prishtinës, që zgjedhjet të organizohen shpejt në veri të Kosovës për të zgjedhur kryetarët e rinj me legjitimitet të vërtetë demokratik dhe në veçanti themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin e përmenda, të zbatohet përfundimisht”.

Duke përmendur kompromiset, Macron inkurajoi që ato të ndërmerren që liderët të jenë kontribuues të paqes.

“Unë e kuptoj vështirësinë e kompromiseve, por ato do të lejojnë liderët që kanë guximin dhe vizionin t’i pranojnë ato, të perceptojnë dividentët e paqes dhe të kontribuojnë në stabilitetin e të gjithë rajonit”.

Pas Kosovës, Macron hapi temën e Bosnjës. Ai ia kujtoi Vuçiqit qëndrimin që duhet të ketë për këtë shtet, duke aluduar në përpjekjet e fundit destabilizuese të presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, për ta ndarë këtë etnitet.

“Në këtë drejtim, dëshiroj të ritheksoj angazhimin tonë, të cilin e di që ju e ndani, për unitetin e Bosnjë-Hercegovinës”.

Macron tha se edhe projekti i BE-së, i emëruar si Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor, të cilin “sapo e kemi miratuar, do të mbështesë të gjitha përpjekjet e rajonit për të kapërcyer konfliktet e së kaluarës dhe për të ndjekur reformat e brendshme dhe për të rritur konkurrencën e ekonomive të tyre”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat