Arsim Bajrami: Kosova gaboi që hyri në dialog, Asociacioni detyrim ligjor

Aktuale

Arsim Bajrami: Kosova gaboi që hyri në dialog, Asociacioni detyrim ligjor

Më: 9 prill 2024 Në ora: 23:23
Arsim Bajrami

Njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, profesori universitar Arsim Bajrami po konsideron se Kosova bëri gabim që vendosi të hyjë në dialog me Serbinë. Ai thotë se partitë politike duhet t’i lënë anash interesat partiake dhe të krijojnë një konsenzus sa i përket dialogut me Serbinë.

“Edhe vetëm kam përgjegjësi për dështimet në dialog, pasi kam qenë pjesë e institucioneve, edhe pse s’kam pasur kompetenca në dialog. Dialogu është një storie mjaft kontraverse. Kosova pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010, e cila konfirmoi legalitetin dhe legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë nuk është dashur të hyjë në asnjë dialog. Ne është dashur të këmbëngulim se e kemi vendimin e GJND-së, pavarësia jonë është legjitime dhe ne mund të bisedojmë me Serbinë vetëm pas njohjes reciproke dhe t’i zgjidhim problemet teknike një nga një. Kjo s’ka ndodhur, por jemi futur në një dialog, të cilin unë e quaj si qorrsokak”, ka theksuar Bajrami në “Info Plus” të RTK-së.

Ai ka thënë se dialogu i filluar si teknik sot në vitin 2024 nuk e ka një fund, madje sipas tij ka ndërruar edhe kontekstin sepse nga një koncept i një dialogu për marrëveshje finale, ka devijuar në koncepti të normalizimit të marrëdhënieve.

Tutje Bajrami i ka vlerësuar të padrejta presionet që po i bëhen Kosovës nga faktori ndërkombëtar që ajo tani të lejojë një Asociacion, e i cili sipas tij “në bazë të Marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit ka elemente esenciale dhe të dukshme të një autonomie, ndoshta jo formale por të një autonomie faktike, e cila në të ardhmen mund të cenojë edhe sovranitetin dhe integritetin dhe karakterin unitar”.

“Të gjitha qeveritë kanë bërë gabime, por gabimi kryesor është që nuk është refuzuar ky dialog. Kjo temë nuk është elektorale dhe është fatkeqësi për qytetarët e Kosovës në qoftë se partitë e vendosin si kauzë elektorale çështjen e dialogut. Kjo është një temë ku të gjitha partitë politike duhet të sakrifikojnë nga interesat partiake, të ndërtojnë një konsenzus dhe t’i vendosin një pikë – të formojnë një Asociacion. Ky është detyrim ligjor. Të  çojnë një draftstatut ose të tyre ose këtë të planit franko-gjerman në Gjykatën Kushtetuese dhe të sigurohen, sepse Gjykata Kushtetuese ua heq përgjegjësinë”, ka nënvizuar Bajrami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat