Vrau ish bashkëshorten dhe plagosi një tjetër, merret vendimi për të dyshuarin

Aktuale

Vrau ish bashkëshorten dhe plagosi një tjetër, merret vendimi për të dyshuarin

Më: 13 prill 2024 Në ora: 12:31 Përditësuar në ora: 14:19 më 13.04.2024
Foto nga vendi i ngarjes

Një muaj paraburgim për të dyshuarin që vrau 21-vjeçaren në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin V.A., i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Në komunikatë është bërë e ditur se pas mbajtjes së seancës dëgjimore gjyqtari ka vlerësuar se ekziston dyshimi se V.A., pasditen e së premtes me dashje ka privuar nga jeta ish-bashkëshorten E.C..

Sipas gjykatës, i dyshuari ka goditur viktimën disa herë më plumba në kokë, ndërsa i njëjti ka shtënë edhe në drejtim të vëllait të mitur të së ndjerës.

“Po ashtu ka vlerësuar se i pandehuri në kundërshtim me ligjin për armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit Zoraki M 2906-T, me numër serik ZRAGY02 201100027 cal.9mm, me një karikator të zbrazur, e cila me datë 12 prill i është konfiskuar nga Policia”, thuhet në komunikatë.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.A, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

“Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”.

Përshkrimi i Prokurorisë: “E goditi me armë disa herë në kokë”, kërkohet paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e 21-vjeçares

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj Valon Aliut, i cili dyshohet për vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj dhe plagosjen e vëllait të saj.

Sipas Prokurorisë, “ekziston dyshimi i bazuar se më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, i pandehuri, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E,C., me të cilën ka bashkëjetuar, duke e goditur me armë disa herë në kokë dhe ka plagosur në krah vëllain e të ndjerës – i mitur, me çka kreu veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 dhe 1.5 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

“Po ashtu, i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit ZORAKI M 2906-T, me një karikator të zbrazur, e cila më 12 prill 2024, i’u është konfiskuar nga policia, me çka kreu veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

21-vjeçarja me inicialet E.C, është vrarë në objektin e Qendrës për Punë Sociale. I dyshuar për vrasjen është ish-bashkëshorti i saj, një 36-vjeçar me inicialet V.A.

Çka deklaroi në seancën gjyqësore i dyshuari për vrasjen e ish-bashkëshortes në Ferizaj?

I pandehuri, Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes, 21-vjeçares nga Ferizaj ka dalë sot para trupit gjykues në Ferizaj dhe ka dhënë deklaratën e tij për rastin.

Në seancën gjyqësore ka folur edhe avokati i tij Ramadan Sylejmani.

I pandehuri Aliu para trupit gjykues ka thënë se në fund ia ka drejtuar armën edhe vetes, por që nuk kish pas plumba.

“Bile, bile unë në fund e kam drejtuar armën nga vetja, por kur e kam tërheqë këmbëzën nuk kishte pas plumb”, tha Aliu.

Para trupit gjykues ka folur edhe avokati i tij, Ramadan Sylejmani.

Ai njoftoi se ka 10 muaj e më tepër që janë ndarë dhe se kanë pasur probleme të vazhdueshme.

“Ka qe 10 muaj e më tepër që janë ndarë… kanë pasur probleme të vazhdueshme sidomos në rastet kur i mbrojturi im ka kërkuar që ta shoh djalin, e ndjera nuk ja ka mundësuar, duke u arsyetuar me fjalë të ndryshme.

Edhe një natë më parë para se të ndodh ngjarja i mbrojturi im ka kërkuar që ta shoh djalin përmes telefonit e ndjera nuk ja mundësuar, e ka fyer, nënçmuar dhe poshtëruar me fjalë të ndryshme… Gjithashtu nga shkëputa e bashkësisë martesore, i mbrojturi im ka qenë i kanosur disa herë…”, tha avokati.

Sipas tij, i pandehuri ka qenë edhe në krizë psikike dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore, për të cilat tha se ka edhe raporte.

“Ditën kur ka ndodhur ngjarja i mbrojturi im me lejen e zyrtares për punë sociale e ka marr fëmijën dhe e ka dërguar në shtëpi për një orë dhe paraprakisht kishte biseduar me të ndjerën me ja pre flokët meqë me profesion ishte frizer…

Pasi ka qëndruar me djalin rreth 40 minuta në shtëpi ka ardhur në Qendrën për Punë Sociale për të biseduar me zyrtaren rreth faktit se e ndjera nuk ishte duke iu mundësuar që ta shoh djalin, aty në zyre të zyrtares të QPS kanë … dhe e nderja gjatë bisedës me zyrtaren rreth ankesave që i ka pasur i mbrojturi im për ta parë djalin e nderja ka filluar ta fyejë, nënçmojë dhe në një moment ta shtyjë…” është shprehur avokati i të pandehurit, Ramadan Sylejmani.

I dyshuari tenton të mbrohet me rrëfimin e tij pas vrasjes së 21 vjeçares – këto janë fjalët e tij para gjykatësit

I dyshuari për vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e vëllait të saj, Valon Aliu, ka dhënë versionin e tij para Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Media po e përcjell seancën për caktimin e masës së sigurisë, prej ku raporton se Aliu ka deklaruar se e ndjera i kishte thënë se “djali ishte në gjendje të keqe” dhe se kur i ka kërkuar t’ia dërgonte një fotografi të tij, sipas tij, ajo i ka thënë “për inati s’ta çoj”.

“Unë i kam thënë se duhet me ma çu se djali i jem është”, ka thënë Aliu tutje në gjykatë.

Para gjykatës, 36-vjeçari ka thënë se së pari ka gjuajtur në drejtim të vëllait të saj, e më pas dy herë në drejtim të 21-vjeçares.

Dërgohet në gjykatë i dyshuari për vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj

I dyshuari për vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e 15-vjeçarit në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, është dërguar në Gjykatën e Ferizajt.

Siç merr vesh media ai është dërguar në këtë gjykatë për caktimin e masës së sigurisë.

Përndryshe gjatë së premtes, rreth orës 14:40 në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka ndodhur një vrasje e një gruaje 21-vjeçare dhe është plagosur vëllai i saj 15-vjeçar.

Policia ka njoftuar se në orën 15:15 ka arritur që ta arrestojë të dyshuarin V.A., 36-vjeçar.

Prokuroria Themelore në Ferizaj bëri me dije se i dyshuari V.A., ishte dërguar fillimisht në mbajtje për 48 orë.

Sipas prokurorisë, dorasi dyshohet për veprën penale “vrasja”, ndërsa brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarit do të parashtrohet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Ndërkohë 15-vjeçari, i cili mbeti i plagosur në këtë rast, është liruar nga spitali pas tretmanit mjekësor.

Në lidhje me këtë ngjarje reaguan krerët më të lartë të shtetit, duke kërkuar dënim maksimal për dorasin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat