Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova nuk ishte pajtuar me anëtarët e tjerë për dënimin e Shaban Gogajt për “vrasje nga pakujdesia”

Aktuale

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova nuk ishte pajtuar me anëtarët e tjerë për dënimin e Shaban Gogajt për “vrasje nga pakujdesia”

Më: 21 maj 2024 Në ora: 19:03
Violeta Husaj-Rugova

Më 5 mars 2024, Shaban Gogaj ishte dënuar me 7 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetajt në shtator të vitit 2018.

Njëjtë, Gogaj ishte dënuar edhe herën e parë, pra me 7 vite e 6 muaj burgim.

Aktgjykimi ishte shpallur në Gjykatën Themelore në Pejë nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova.

Anëtar të trupit gjykues në këtë rast ishin edhe gjyqtarët Sami Sharaxhiu dhe Shaq Curri.

Pikërisht me këta të fundit nuk është pajtuar kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova.

Në një mendim mospajtues të saj të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Husaj-Rugova nuk pajtohet se Shaban Gogaj vrasjen e kishte kryer nga pakujdesia.

Sipas gjyqtares Husaj-Rugova, mendimi i saj mospajtues qëndron lidhur me çështjen juridike dhe faktike lidhur me veprën penale të vrasjes nga pakujdesia e për të cilën sipas saj shumica e trupit gjykues kanë vlerësuar se i pandehuri duhet të shpallet fajtor.

Sipas saj, Gjykata e Apelit me rastin e kthimit në rigjykim të këtij rasti ka konstatuar se ka pasur shkelje të procedurës penale, shkelje të ligjit penal dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike.

Në mendimin mospajtues gjykatësja Husaj-Rugova ndër të tjera ka theksuar se bazuar në sugjerimet e Gjykatës së Apelit e njëjta nuk pajtohet me mendimin e shumicës së trupit gjykues që kjo çështje të përfundoj pa një vlerësim të tërësishëm të provave.

“Bazuar në sugjerimet e Gjykatës së Apelit nuk pajtohem me mendimin e shumicës së trupit gjykues që kjo çështje të përfundoj pa një vlerësim të tërësisht të provave dhe vlerësimit faktik të çështjes, sepse përveç sugjerimeve të Gjykatës së Apelit në këtë çështje paraqiten edhe mospërputhje në mesë të vetë dispozitivave të aktgjykimit ku bëhet përshkimit faktik i veprave penale që i vihen në barrë të akuzuarit Sh. G”, thuhet në vendimin mospajtues të gjykatëses Husaj-Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mendimin mospajtues Husaj-Rugova ka theksuar se në dispozitivin e dytë për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor, pra për armëmbajtje pa leje nuk është shënuar në përshkrim faktik as të paktën se Shaban Gogaj “duke menduar se mbanë armën me gazë ka mbajtur armën B…”.

Prandaj, sipas mendimit mospajtues të Husaj-Rugova, shtrohet pyetja nëse i pandehuri Gogaj e mbajti armën me “dashje” dhe veprën penale të vrasjes e kreu nga “Pakujdesia” sepse “nuk e diti çfarë arme kishte në dorë”.

“Prandaj, këtu shtrohet pyetja nëse armen në fjalë i akuzuari Sh. G. e mbajti me “dashje” dhe veprën penale të vrasjes e kreu nga “pakujdesia” sepse “nuk e diti çfarë arme kishte në dorë”? Që do të thotë se bien në kundërshtim vetë dispozitivët e aktgjykimit dhe gjykata pa një vlerësim të provave, nuk mund të eliminoj kundërthëniet në përshkrimin faktik të dispozitivit të aktgjykimit e kur pranohet fajësia nga ana e gjykatës, nuk mund të ndërhyj fare në dispozitiv-në përshkrimin faktik”, thuhet në mendimin mospajtues.

Sipas mendimit mospajtues gjykatësja Husaj-Rugova ka theksuar se nuk pajtohet që kjo çështje të vendoset si “pakujdesi”

“Nëse vërtetë gjykata do të vinte në përfundim se i akuzuari Sh. G. ditën kritike “ka menduar se ka marr armen me gazë”, atëherë do të vinte në pikëpyetje “lajthimi faktik” dhe në tërësi do të vinte në pikëpyetje ekzistimin e ndonjë vepre penale. Bazuar në provat e administruara në rishqyrtim gjyqësor dhe shkeljet të konstatuara nga Gjykata e Apelit, nuk pajtohem se në këtë rast veprimet e të akuzuarit Sh. G. të ditës kritike që nga momenti i marrjes së armës e deri në përfundimin e veprës të kualifikohen si “pakujdesi””, thuhet në mendimin mospajtues.

Ndër të tjera, gjykatësja Husaj-Rugova ka sqaruar se çka nënkuptohet me pakujdesi sipas Kodit Penal të Kosovës.

Sipas saj bazuar në dispozitat e KPK-së me të drejtë shtrohet pyetja:

A ka menduar i akuzuari që mund ta shmang pasojën kur nxjerr armën ‘repeton’ dhe shtie në drejtim të punëtorit që ishte drejtpërdrejt përballë tij?

Cilat ishin ato veti personale që kishte i akuzuari që ai të mos kishte mundësi të parashikimit të pasojës? A kishte njohuri në përdorimin e armës?

A ishte e lejuar mbajtja dhe përdorimi i armës, qoftë edhe asaj me gazë në vendin e punës ku ishte ai me punëtorët e tij?

A mos i njëjti ishte në poligon të gjuajtjeve, në ndonjë depo të armëve, në gjueti apo edhe në ndonjë vende që fare të mos ketë mundur të parafytyroj që në një vend të tillë të ketë persona?

Krejt në fund, gjykatësja Husaj- Rugova ka thënë se përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve mund konstatohen nëse vlerësohen të gjitha provat e administruara gjatë rishqyrtimit gjyqësor një nga një dhe në lidhje reciproke me njëra tjetrën, si deklaratat e dëshmitarëve, video incizimet, ekspertizat e administruara dhe ekspertët e dëgjuar.

Duke marrë parasysh të lartcekurat, duke konsideruar se në rastin konkret duhet vepruar konform dispozitave ligjore dhe sipas çështjeve kontestuese të paraqitura nga Gjykata e Apelit, jap këtë mendim mospajtues.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetajn dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve A.H dhe F.Z. Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, në dyqanin “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armën, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat