Bojkotojnë Kuvendin, por jo pagat!

Aktuale

Bojkotojnë Kuvendin, por jo pagat!

Nga: Gresa Bajraktari Më: 8 korrik 2016 Në ora: 19:06
Kuvendi i Kosovës

Ka kohë që partitë opozitare kanë bojkotuar punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Megjithatë, gati dy muaj pas bojkotimit, Lëvizja Vetëvendosje vendosi që të kthehej në Kuvend, që sipas tyre për të penguar marrëveshjet e dëmshme që do të sillen për ratifikim.

Por, njësoj nuk vepruan AAK dhe Nisma për Kosovën.

Këto dy parti vazhdojnë ta bojkotojnë punën e Kuvendit, duke thënë se ende nuk kanë marrë vendim për tu kthyer.

Megjithatë bojkotit, deputetët e këtyre dy partive vazhdojnë të marrin rrogat, edhe pse nuk punojnë.

Se a duhet të ‘bojkotojnë’ edhe pagën e deputetit si kanë bërë me punën, Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për gazetën Bota Sot se këto të dyja nuk duhet të ndërlidhen.

“Bojkotimi është veprim politik dhe deputetët janë të zgjedhur politik, prandaj asnjë veprim politik i tyre në këtë rast dhe bojkoti, nuk duhet të barazohen apo të ndërlidhen me vlerën a pagës. Kjo është çështje e strategjisë që ndërton një parti apo koalicion për të ndikuar vendimmarrjen, edhe efekti i kësaj është i natyrës politike dhe jo materiale. Bojkoti nuk nënkupton stopimin e veprimtarisë si deputet i zgjedhur”, ka thënë Kryeziu.

Lidhur me këtë, deputeti nga radhët e AAK-së Bali Muharremaj, i ka thënë gazetës Bota Sot, se pavarësisht bojkotit, ata gjenden çdo ditë në terren me qytetarët.

“Si përfaqësues të votuar nga populli, ne çdo ditë jemi në teren dhe diskutojmë me qytetarët për problemet e tyre të përditshme. Mendoj se duke mos marrë pjesë në procese të dëmshme, ne e largojmë të keqen nga vendi. Bojkotimi është për proceset e dëmshme, ndërkohë jemi çdo ditë afër qytetarëve”, ka thënë Muharremaj.

Ai shton se do të kthehen në Kuvend për tema të mëdha, sikurse është Demarkacioni me Malin e Zi, në mënyrë që t’i kundërshtojnë, sipas tij projekte të dëmshme për vendin.

E analisti Faik Krasniqi, megjithëse thotë se bojkoti i AAK-së dhe Nismës ka arsye, do të duhej të bojkotonin edhe pagat, pasi vetëm kështu do të tregonin se shqetësimet e tyre janë serioze.

“Mospjesëmarrja në Kuvend nga ana e AAK dhe Nisma ka një arsye. Ata i kanë dhënë arsyet e tyre pse janë duke e bojkotuar punën e Kuvendit. Por, do të ishte mirë dhe më e moralshme që krahas bojkotit të punës së Kuvendit, t'i bojkotojnë edhe pagat. Kjo do të ishte më e moralshme, më e arsyeshme dhe më bindëse para qytetarëve të Kosovës për bojkotin në Kuvend, por derisa vazhdojnë t'i marrin pagat, atëherë lë shumë dyshime tek opinioni për bojkotin disamujor të Kuvendit. Kur t'i bojkotojnë edhe pagat, do të fitonin shumë para qytetarëve të Kosovës, sepse qytetari i Kosovës do të bindej që shqetësimet e tyre janë serioze”, ka thënë Krasniqi për Bota Sot.

Se edhe sa do të zgjasë bojkoti i punës së Kuvendit nga deputetët e dy partive opozitare, AAK dhe Nisma, ende nuk dihet./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat