Serbët e Grackës nuk pranuan ta takojnë Thaçin

Aktuale

Serbët e Grackës nuk pranuan ta takojnë Thaçin

Më: 20 korrik 2016 Në ora: 19:22
Hashim Thaçi

Serbët e fshatit Grackë kanë refuzuar ta presin e të takohen me presidentin e Kosovës, Hashim Thaci, me rastin e vizitës së tij të papritur në vendin e tyre, të mërkurën.

Kryetari i katundit në fjalë, Zoran Qirkoviq ka thënë se një këshilltar i Thacit ka tentuar, mbrëmë, rreth dy orë, të bind atë dhe banorët tjerë ta presin mysfirin, kur ai të vinte këtu, një ditë më vonë.

“Familjet, bashkë me mua, refuzuan ta pranojnë Thacin dhe bashkëpunëtorët e tij. I thamë se nuk është momenti dhe se derisa të mos gjenden urdhërdhënësit dhe përgjegjësit për krimin më të madh ndaj serbëve në Kosmet, Thaci nuk është i mirëseardhur në Staro Gracko”, ka thënë ai, raportojnë mediet serbe.

Sipas fjalëve të tij, tentimi i Thacit për të ndezur cirinj vetëm sa ka shqetësuar edhe më tepër 200 serbët e mbetur në këtë fshat.

Edhe banorë tjerë, sic raportojnë mediet serbe, kanë thënë se nuk e kanë mirëpritur ardhjen në Grackë të presidentit të Kosovës.

“Ardhja e Thacit ishte hedhje e kripës në një plagë të freskët”, ka thënë Sonaj Zhiviq, përcjellë Klan Kosova reagimet e banorëve të thëna për Blic.

Kryetari i fshatit, Qirkoviq ka thënë që Thaci ka qëndruar edhe më herët në Grackë.

“Mbrëmë e morëm informatën se Thaci, natën pasi ka ndodhur krimi, kur janë vrarë 14 korrës, ka qëndruar në fshatin tonë, në shoqërinë e shefit të atëhershëm të UNMIK-ut, Bernard Kushner”, ka thënë ai.

Mediet raportojnë se deri në vitit 1999, në këtë fshat kanë jetuar rreth 500 serbë, ndërsa tash kanë mbetur afër 200, në 40 familje.

Më i riu nga 14 viktimat e krimit të 23 korrikut, ishte 17 vjec.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat