Kush është shefja e re e EULEX-it në Kosovë?

Aktuale

Kush është shefja e re e EULEX-it në Kosovë?

Më: 21 korrik 2016 Në ora: 09:29
Eulex

Diplomatja greke Alexandra Papadopoulou do të jetë shefja e re e misionit të Bashkimit Europian për sundimin e ligjit –EULEX në Kosovë.

Ajo do të marrë detyrat e saj në këtë post nga data 1 shtator 2016 derisa do të zëvendësojë Gabriele Meuccin që ka shërbyer në këtë post nga 15 tetori 2014.

Image
Diplomatja greke Alexandra Papadopoulou, shefja e re e EULEX-it në Kosovë

Por kush është Alexandra Papadopoulou?

Ajo është e lindur në Athinë të Greqisë me 10 prill të vitit 1957. Ka studiuar për drejtësi dhe për shkenca politike në Universitetin e Athinës ndërsa ka magjistruar për marrëdhëniet ndërkombëtare në Pennsylvania të Amerikës.

Shefja e re e misionit të EULEX-it në Kosovë ka nisur karrierën e saj si atashe në kuadër të Ministrisë për Punë të Jashtme në vitin 1981 duke vazhduar të jetë pjesë e kësaj ministrie për disa vite.

Ajo ka qenë pjesë e ekipit negociator për bazën ushtarake amerikane në Greqi derisa ka shërbyer edhe si konsule e Greqisë në New Orleans në Louisiana të Amerikës.

Papadopoulou ka shërbyer në ambasadën greke në Amman të Jordanisë dhe ka qenë konsule e përgjithshme e Greqisë në Toronto të Kanadasë në vitet 1994-1999 ndërsa në vitin 200 është caktuar në krye të zyres ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë.

Të njejtën pozitë ka pasur edhe në zyren ndërlidhëse të Greqisë në Shkup në vitet 2007-2012 derisa nga muaji dhjetor i vitit 2015 deri më sot ka qenë ambasadore e Uruguay dhe Paraguay.

Shefja e re e misionit të EULEX-it në Kosovë flet gjuhën angleze dhe frenge ndërsa është e ve dhe ka një fëmijë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat