Pas akuzave për plagjiaturë, zbulohet një tjetër “sekret” i Melania Trump

Aktuale

Pas akuzave për plagjiaturë, zbulohet një tjetër “sekret” i Melania Trump

Më: 23 korrik 2016 Në ora: 08:05
Melania Trump

Pak ditë më parë, Melania Trump u vu në shënjestër të mediave pas fjalimit të mbajtur në konventën e republikanëve. Mediat gjetën paragrafë të tërë të fjalimit të saj, të cilët ishin pothuaj identikë me ato të fjalimit të Michelle Obama-s në vitin 2008.

Por sot, gruaja e kandidatit republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, është e “dyshuar” për diçka tjetër që sërish ka të bëjë me formimin e saj.

Modelja e lindur në Sllovaki mund të ketë një diplomë false. Një verifikim në vendin e saj ka ngritur dyshime se diploma e saj universitare është false. Në jetëshkrimin e saj, Melania Trump thotë se është diplomuar në arkitekturë dhe dizajn në një universitet në Slloveni.

Universiteti i Lubjanës nuk jep informacion nëse Melanija Knavs (emri i vajzërisë) është diplomuar atje ose jo, për shkak të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.

Por biblioteka virtuale sllovene, “Cobiss”, e cila përmban të gjitha të dhënat, përfshirë edhe studime akademike, nuk ka asnjë informacion për Melanija Knavs, shkruan Birn.

Ajo që i shton dyshimet akoma më shumë është fakti se Melania Trump pretendon se ka një diplomë në arkitekturë dhe dizajn, kur në Slloveni nuk ka fakultet që ofron studimin e këtyre dy degëve njëkohësisht.

Studentët mund të ndjekin studimet për arkitekturë në Fakultetin e Arkitekturës apo për dizajn në Akademinë e Arteve te Bukura dhe Dizajnit ose në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Inxhinierisë. Por jo në të dyja njëkohësisht.

Igor Omerza, autori i njërit prej librave biografikë “Melania Trump – Nga vendi komunist në Shtëpinë e Bardhë”, këmbëngul se ajo nuk e ka mbaruar kurrë universitetin.

Ai thotë se pasi mbaroi shkollën e mesme, Melania u regjistrua në universitet, por nuk e përfundoi vitin e parë. “Ajo ishte një vajzë e bukur dhe iu përkushtua karrierës si modele, kështu që askush nuk e pa më në fakultet”, shkruan ai.

Omerza thotë se Melania Trump e ka zbukuruar historinë e familjes së saj, duke i shtuar disa gjëra që nuk janë të vërteta. Ai thotë se kandidatja për Zonjë e Parë e Amerikës është shprehur se e ëma ka qenë stiliste, ndërsa i ati menaxher.

“Në fakt, nëna e saj ka qenë rrobaqepëse, ndërsa i ati mekanik dhe shofer. Pas viteve ’90, babai i saj ka ngritur kompaninë e vet, por nuk ka qenë kurrë menaxher. Duke ditur se Donald Trump e adreson veten te klasa punëtore, nuk e kuptoj se pse e shoqja e fsheh të vërtetën, kur mund ta përdorte atë në avantazh të imazhit dhe fushatës së tij”, thotë Omerza.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat