Paolo Branca: Ajo çfarë nuk dini për lëvizjen “Gylen”

Aktuale

Paolo Branca: Ajo çfarë nuk dini për lëvizjen “Gylen”

Më: 25 korrik 2016 Në ora: 21:48
Paolo Branca

Islamologu i universitetit katolik tregon një fytyrë tjetër të lëvizjes “Gylen”, e cila gjendet sot në qendër të furtunës në Turqi. Një botë plot nisma për dialog dhe veprimtari jo të vogla për tolerancë dhe solidaritet.

Në Turqi, ata gjenden tani në qendër të spastrimeve, pasi presidenti Erdogan e drejtoi nga ata gishtin tregues si frymëzuesit kryesorë të grushtit të shtetit të mbetur në tentativë një javë më parë. Ajo po etiketohet si një strukturë paralele e rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit në këtë shtet.

Por ka nga ata që kanë njohur një fytyrë tërësisht ndryshe. Është rasti i profesorit Paolo Branca, studiues i Islami, docent në Universitetin Katolik dhe përgjegjes për raportet e arqipeshkvnisë së Milanos me Islamin dhe prej disa vitesh bashkëpunon me institucione të lidhura me galaksinë gyleniste. Ai nuk e sheh aspak të përshtatshme që një lëvizje e gjerë dhe komplekse të shihet si e lidhur me lojërat e pushtetit në Ankara.

Profesor Branca, si jeni njohur me Lëvizjen e Fethullah Gylenit?

Më duhet ta pranoj se deri disa vite më parë nuk kisha dëgjuar asgjë për të. E njihja vetëm si një vazhdues të veprimtarisë së mistikut të madh bashkëkohor turk, Said Nursiut.

Duke qenë një njohës i botës arabe, unë përpiqesha të kërkoja për reformues potencialë, restaurues në zë të një universi të ndërlikuar dhe shumë kontradiktor, siç është Islami arabofon. Ka qenë përvoja krejt e rastësishme me shumë aktivistë të Lëvizjes “Hizmet” (që në gjuhën turke do të thotë "Shërbim"), të cilët zhvillojnë aktivitetin e tyre në Itali nën sigla të ndryshme si Alba, Milad, Tevere që më bëri të njihem me një realitet që la gjurmë të thella brenda meje.

Që do të thotë?

Burra dhe gra, në përgjithësi studentë dhe profesionistë. Në Itali ata përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të komunitetit të reduktuar turk që përbëjnë rreth 15 mijë njerëz. Megjithëse janë thellësisht besimtarë dhe praktikantë, nuk kanë kërkuar asnjëherë që  të tërheqin drejt asaj që ata përfaqësojnë.

Përkundrazi, kanë shfaqur interesim dhe respekt për njohuritë e mia modeste për traditën e tyre fetare. Që në fillim ata i ngritën  marrëdhëniet tona mbi bazat e një barazie të përsosur. Asnjëherë, si këtu, si në Turqi, ku jam ftuar shpesh për të vizituar institucionet e tyre, nuk jam ndjerë asnjëherë si i trajtuar thjesht me mirësjellje hipoktrite.

Çfarë aktivitetesh keni zhvilluar ju së bashku me ta?

Ne mblidheshim për darka në shtëpitë e miqve të ndryshëm në Stamboll, me familjet ku mund të komunikoja me familjarët në anglisht më lehtë me më të rinjtë, ndërsa, me më të rriturit, ishte gjithnjë ndokush që na ndihmonte duke përkthyer. Gjatë një mbrëmjeje të një të premteje të shenjtë më kërkuan t’u shpjegoj çfarë nënkuptonte për mua si i krishterë kjo ditë e veçantë.

Ndërsa tregoja për pasionin dhe vdekjen e Krishtit, kryefamiljari mori nga biblioteka e tij një Bibël në gjuhën e më tha: – Ajo që po tregon ti është e shkruar këtu. Në tridhjetë vite, diçka të tillë nuk e kisha pëjetuar në asnjë vend arab. Pikërisht gjatë atyre ditëve kishte ndodhur vrasja e gazetarit të njohur armen Hrant Dinkut. Një nga miqtë më tha me një keqardhje të sinqertë: – Do të kisha dashur të njihja ndonjë armen që t’i tregoja se sa keq më vjen, por zbulova që nuk kam asnjë mik armen. 

Këto ditë po flitet shumë për shkollat e tyre. Dikush i përshkruan si një rrjet paralel i indoktrinimit…

Rreth 2000 shkollat e hapura nga lëvizja në çdo cep të botës janë të bazuara mbi kritere ekselence, pa qëllimin më të vogël për t’u kthyer në medrese. "Ka mjaftueshëm të tilla, edhe sikur të mos hapnim më për 200 vitet e ardhshme,"–  më thanë. "Kuranin e studiojmë edhe në xhami, edhe në shtëpi, në shkolla duhet të mësohet etika." Nuk po u besoja veshëve.

Kështu shumica e nismave të ndërmarra të mbështetura prej tyre në Itali janë gjithmonë të frymëzuara drejt hapjes ndaj të tjereve, besimeve të tyre apo edhe jofetarëve.

Në libër i bukur i botuar nga «Jaca Book», mbi Gjonin XXIII, i cili është njohur për miqësinë e tij me turqit, përmbledh përvojën e jashtëzakonshme njerëzore dhe shpirtërore të Papës së Koncilit në brigjet e Bosforit. Edhe kjo është një tjetër iniciativë e kësaj lëvizjeje e cila po akuzohet si organizatorja e çdo veprimtarie kriminale që ndodh në atdheun e tyre.

Erdogani i akuzon ata si nxitësit e përpjekjes për grusht shteti në Turqi...

Kam mjaftueshëm vite mbi supe për të imagjinuar se mund të ketë edhe ndonjë individ prej një grupi me një energji të tillë që mund të ketë shkelur mbi territor të minuar. Dhe nuk jam aq ëndërrimtar sa t’i paraqes si engjëj të rënë nga qielli. Por unë di që qeveria e Berlinit u ka besuar shkollave të tyre shkollat mësimdhënien e gjermanishtes ndaj refugjatëve sirianë. Kam dijeni që disa prej tyre kanë qenë me mua në kishën e aeroportit para se të niseshim për në Stambollm duke më thënë – "më duhet një shtëpi e Zotit ku të mund të falem." Di që kur vjehrri im ishte në spital si i sëmurë terminal, pranë kokës së tij, duke u lutur me mua, nuk kam pasur askënd tjetër veç njërin prej tyre. Di që kur u përballa me një grup refugjatësh, gra e fëmijë, në kohën kur mediat as që mëtonin të flisnin për diçka tëëtille, i telefonova një aktivisti të kësaj lëvizjeje për ndihmë dhe ai nuk më pyeti fare se kush janë, çfarë besimi i përkasin, të cilës racë janë apo sa janë në numër. Brenda pak minutave erdhën dhe më prunë plot 50 vakte të ngrohta ushqimi dhe nuk më kërkuan asnjëherë asnjë gjë për këte.

Cili është qëndrimi që ata mbajnë ndaj feve të tjera?

Së bashku me ta kemi bërë një udhëtim të mrekullueshëm nga Evropa në Azi. Hebrej, kristianë e myslimanë, të gjithë së bashku, kemi vizituar xhami, kisha dhe muzeun hebraik të Gallatës. Kemi marrë pjesë në meshën e së dielës të celebruar në gjuhën italiane nga një prift kongolez, vetëm dy hapa larg sheshit Taksim.

Ishim më shumë ne si vizitorë se sa besimtarët lokalë, lëre që pastaj nuk mungoi as çaji në shtëpinë e priftit, i cili edhe na përcolli më vonë.

Mund të vazhdoj me shembuj të tillë, por ka diçka që duhet theksuar: pak vite më parë, gjatë udhëtimeve të mia, nuk dalloja të kish ndonjë ndarje kaq të thellë mes tyre dhe AKP-së. Përkundrazi, në një farë mënyre, mendoja se Turqia po bën një diferencë edhe falë një partie popullore jolaike, por pranë traditës fetare lokale, siç ndodhi me demokristianët europianë.

Po tani?

Jam thellësisht i shqetësuar për atë që ndodh. Në Turqi dallon gjithnjë e më shumë hijen e pushtetit të një lideri, i cili, me zgjedhjet e tij të papërgjegjshme dhe vrastare për lirinë, ka humbur besueshmërinë. Edhe në Itali, qendra gyleniste që gjendet në Modena, natën e të ashtuquajturit grusht shteti ka qenë objekt i një atentati, ku i është vënë edhe zjarri, e cila, me shumë gjasa është frymëzuar nga mbështetësit e Sulltanit.

Me sa jam në dijeni, pa diskutim, kjo është hera e parë që Italia, një vend i banuar nga myslimanë sulmohet jo nga ksenofobë lokalë por nga bashkëfetarët e tyre fanatikë, nën heshtjen shurdhuese të mediave.

Pra përpara ciklonit sot është një ndër fytyrat e Islamit të moderuar, i cili po kërkohet me kaq shumë ngulm?

Nuk më pëlqen t’i quaj të moderuar, sepse ata janë besimtarë të bindur dhe praktikantë. Por ata i japin besimit të tyre një orientim të veçantë që është e rrallë ta gjesh në vende të tjera.

Pikërisht këto ditë po vë re i tmerruar ekzaltimin e Erdoganit për shtypjen e pushtetit tij si një "revolucion i vërtetë" në vend të "pranverave arabe" nga të njëjtët agjentë të Islamit të organizuar, të cilët që nuk kanë shprehur kurrë qoftë edhe një fjalë të vetme për kushtet çnjerëzore me të cilat trajtohen punëtoret e huaj, përfshi këtu edhe myslimanët në monarkitë e naftës në Gjirin Persik.

Për këta myslimanë sallonesh televizive po tregohet një vëmendje e jashtëzakonshme, ndërkohë që për miqtë tanë turq, për të cilët s’kam ç’të shpreh veç dhimbjes sime të padobishme, thuajse i dëshperuar. Të parëve, të gjitha avantazhet e rretheve mediatike politike që sot nuk meritojnë më aspak besim. Të dytëve, të panjohurën me të cilën dëshiron të merret çdo gjë që mund të quhet Shpirt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat