Kosovë, mbërrijnë trupat e pajetë të viktimave të tragjedisë së Mynihut

Aktuale

Kosovë, mbërrijnë trupat e pajetë të viktimave të tragjedisë së Mynihut

Më: 26 korrik 2016 Në ora: 01:33

Në orët e para së të martës në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë kanë mbërritur trupat e pajetë të Armela Segashit dhe Diamant Zabërgjës, dy shqiptarëve nga Kosova të cilët mbetën të vrarë në një sulm të armatosur në një qendër tregtare në Mynih të Gjermanisë.

Përpos familjarëve të ngushtë, në aeroport kishin dalë edhe zyrtarë qeveritarë, përfshirë edhe ministrin e Diasporës, Valon Murati, i cili shprehu dhimbjen për humbjen e jetëve të tre shqiptarëve në tragjedinë e Mynihut.

Trupat e pajetë të dy viktimave mbërritën në Prishtinë pak para orës 01:00 të ditës së martë, ndërsa ato iu dorëzuan familjarëve.

Ndërkohë, një prej personave të shumtë që ndodheshin në qendrën tregtare në Mynih ku ndodhi ngjarja e tmerrshme, ishte edhe një tjetër shqiptar nga Kosova, Luan Zeqiri, i cili fatmirësisht i ka shpëtuar sulmit.

Ai është shprehur se ka parë vetëm një agresor, teksa ka qëlluar me armë mbi 2 persona të cilët po ngjisnin shkallët. Shqiptari Luan Zeqiri tregon se i shpëtoi sulmit duke u fshehur në një dyqan. Ai thotë se ka parë të shtrirë në tokë persona të vdekur e të tjerë të plagosur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat