Hyseni: 73 persona ende ndodhen në luftërat e huaja, kryesisht gra e fëmijë

Aktuale

Hyseni: 73 persona ende ndodhen në luftërat e huaja, kryesisht gra e fëmijë

Më: 18 gusht 2016 Në ora: 18:47
Skender Hyseni

Ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni, është takuar me anëtarët e forumeve lokale të sigurisë së rajonit të Prizrenit, me ç’rast ka thënë se edhe 73 qytetarë nga Kosova, janë pjesëmarrës në luftërat e huaja.

Duke folur për radikalizmin e dhunshëm Hyseni gjatë këtij takimi ka deklaruar se që 11 muaj, nuk ka pasur raste të ikjes së kosovarëve në luftërat e vendeve të huaja.

Parandalimi i këtij fenomeni është bërë falë bashkëpunimit që kemi bërë bashkërisht edhe ju anëtarët e këshillave të sigurisë dhe miratimit të ligjit kundër pjesëmarrjes në luftëra të huaja, ku janë arrestuar persona që janë marrë drejtpërdrejtë në përfshirjen dhe pjesëmarrjen e njerëzve në luftëra të huaja. Shqetësues mbetet fakti se sipas informacioneve, në zona të luftës kemi ende 73 qytetarë tanë kryesisht gra dhe fëmijë”, tha ministri Hyseni.

Gjatë këtij takimi që ai e ka zhvilluar të enjten në Prizren, u ka kërkuar këtyre forumeve që të punohet në parandalimin e trafikimit me njerëz duke thënë se në Kosovë kjo dukuri është ekzistente.

“Në Kosovë ky fenomen është i pranishëm dhe duhet me shumë seriozitet të merremi me këtë problem dhe për këtë duhet funksionimi zinxhiror i institucioneve të sigurisë në Kosovë, në mënyrë që të luftohen grupet kriminale që merren me tregtinë me njerëz”, ka thënë ministri Hyseni.

Ai ka folur edhe për përdorimin e shtuar të narkotikëve në Prizren, dhe ka kërkuar që këto forume të sigurisë ta shtrijnë ndikimin e tyre në familje, shkolla e bashkësi fetare.

Situata e përgjithshme e sigurinë në rajonin e Prizrenit është vlerësuar si shumë e mirë dhe nuk janë shënuar incidente të rënda për këtë periudhë të raportimit të këtij viti, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat