AAK-ja e kundërshton në mënyrën e vet në demarkacionin

Aktuale

AAK-ja e kundërshton në mënyrën e vet në demarkacionin

Më: 20 gusht 2016 Në ora: 20:38
Time Kadriaj

Deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj ka mohuar që  kjo parti të ketë qenë e njoftuar nga Lëvizja Vetëvendosje për protestën e thirrur me 1 shtator.

Me këtë protestë, pritet të kundërshtohet ratifikimi i marrëveshjes për përcaktimin e vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi.

Kadriaj ka thënë se AAK nuk ka qenë e informuar për protestën e VV-së, por ka treguar se partia ku ajo është deputete, do ta kundërshtojnë këtë marrëveshje duke e shprehur në forma të tjera.

“S`është e vërtetë, Aleanca s`ka qenë e informuar për këtë tentim të Vetëvendosjes, Aleanca fare nuk është informuar se do të ketë protestë, andaj ne nuk jemi të detyrueshëm të marrim pjesë, ne gjithmonë e kemi kundërshtuar demarkacionin, do të vazhdojmë ta kundërshtojmë edhe me 1 shtator por në format që ne do t`i vendosim në Këshillin Drejtues”, është shprehur Kadrijaj për indeksonline.

Kadriaj ka sqaruar se brenda AAK-së nuk ekziston asnjë dilemë rreth votimit të demarkacionit.

Ajo ka thënë se AAK qëndron mbrapa deklarimeve publike se kjo marrëveshje do të votohet kundër nga deputetët e kësaj partie.

“Kurfarë dileme nuk ka. Aleanca siç e dinë të gjithë ka qenë ndër të parët që e ka ngritë këtë shqetësim, e ka kundërshtuar dhe po vazhdon ta kundërshtojë dhe nuk ka asnjë dilemë në votim të kësaj forme të demarkacionit sepse më Aleanca e ka të ditur publikisht se do të votojë kundër”, ka thënë deputetja Kadriaj.

Ajo ka shtuar se AAK do të lobojë te deputetët e tjerë që të votojnë kundër kësaj forme të demarkacionit. Kadriaj ka thënë se për çdo veprim, AAK konsultohet me organet e partisë dhe çfarëdo vendimi që do të merret brenda Kryesisë së AAK-së lidhur me 1 shtatorin, ai vendim do të zbatohet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat