Policia e Kosovës ka reaguar ndaj publikimit të përgjimeve të fundit nga portali “Insajderi”, në të cilin flitet për punësimin e një personi me emrin Gani Nikqi në Policinë e Kosovës.
Policia thotë se të gjitha punësimet në Policinë e Kosovës kanë qenë transparente dhe publike.
“Referuar publikimit të përgjimeve të bëra sot (23.08.2016) në portalin “Insajderi”, Policia e Kosovës informon opinionin e gjerë se të gjitha konkurset dhe punësimet e bëra në PK, kanë qenë shumë transparente dhe publike, si dhe janë realizuar sipas procedurave standarde dhe ligjeve në fuqi”, thuhet në reagimin e PK-së.
Sipas PK-së, në të gjitha proceset e rekrutimit dhe seleksionimit të zyrtarëve policor, Policia e Kosovës ka qenë e hapur duke publikuar çdoherë në media dhe internet konkurset, si dhe listat e rezultateve të arritura të kandidatëve nëpër të gjitha fazat e testimit duke filluar nga testi me shkrim e deri te faza finale e përzgjedhjes.
“Të gjitha konkurset dhe punësimet e punonjësve policor kanë qenë shumë transparente dhe të monitoruara nga misionet ndërkombëtare prezente ne Kosove, si dhe të inspektuara nga Inspektorati Policor i Kosovës”, thuhet tutje në reagim.
Policia thotë se zyrtari policor me emrin Gani Nikqi, nuk është punësuar në kohën e udhëheqjes së drejtorit të përgjithshëm të PK-së, Shpend Maxhuni, dhe se emri i tij nuk ka të bëjë fare me përgjimet e publikuara.
“Vlen të potencohet se në Policinë e Kosovës është i punësuar vetëm një zyrtar policor me emrin Gani Nikqi, i cili është punësuar me 12.01.2004, e që nuk ka të bëjë fare me përgjimet e publikuara dhe me kohën e udhëheqjes apo menaxhimit të Drejtori të PK-së z. Shpend Maxhuni”m, thotë PK-ja.
Policia thotë se ka qenë edhe një kandidat për zyrtar policor me emrin Gani Nikqi në vitin 2011, por se i njëjti nuk ka përmbushur kriteret për punësim.
“Ndërsa gjatë procesit të rekrutimit dhe seleksionimit në vitin 2011, po ashtu ka qenë në proces një kandidat për zyrtar policor me emrin e njëjtë Gani Nikqi, por i njëjti referuar të dhënave nga Policia e Kosovës, nuk ka arritur që të përmbushë kriteret e parapara, respektivisht të kaloj testet e nevojshme sipas procedurave standarde për seleksionim dhe pranim në Policinë e Kosovës dhe i njëjti asnjëherë nuk është bërë pjesë apo punonjës i Policisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e PK-së.