Vetëvendosje: Përveç veriut, Veseli i gatshëm të shesë edhe perëndimin

Aktuale

Vetëvendosje: Përveç veriut, Veseli i gatshëm të shesë edhe perëndimin

Më: 26 gusht 2016 Në ora: 14:52
Aktiviteti i Vetëvendosjes në Mitrovicë

Dhjetëra aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje janë përleshur sot me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në përpjekje për të vendosur një pano në shtëpinë e prindërve të kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, e cila ndodhet në Mitrovicë.

Panonë me mbishkrimin ‘Perëndimi nuk falet, veriu nuk ndahet’, aktivistët e Vetëvendosjes nuk arritën ta vendosin aty ku kishin planifikuar, pasi që Policia i pengoi ata, ndërsa edhe banorët e lagjes ku jetojnë prindërit e kryeparlamentarit, u shprehën kundër një aksioni të tillë të Vetëvendosjes, duke thënë se në këtë mënyrë po shqetësohen fëmijët dhe familjet e tyre.

Fidan Ademi, aktivist i kësaj Lëvizje në Mitrovicë, tha se në këtë formë janë duke shprehur mllefin kundër kryetarit të Kuvendit të Kosovës, sepse siç u shpreh, ai nuk ka bërë asgjë për shuarjen e strukturave paralele, dhe se është i gatshëm që përveç veriut, ta shesë edhe perëndimin e vendit.

 Ademi: Veseli, përveç veriut, i gatshëm të shesë edhe perëndimin

 “Kadri Veseli nuk ka bërë asgjë për shuarjen e strukturave paralele. E vetmja gjë që ka bërë është se i ka formalizuar ato, duke i shtirë në institucionet e sigurisë dhe paguhen edhe me taksat tona edhe me taksat e Serbisë. Qytetarëve Kadri Veseli i takon vetëm në kohë fushate, ai e mirëmban varfërinë që e ka mbjellë vetë, duke i blerë votat e qytetarëve dhe grupit të vetë kriminal qysh e pamë sot në vepër…Për të ruajtur mirëqenien e interesave të veta kriminale dhe të klanit të vet, ai është i gatshëm që pas veriut ta shesë edhe perëndimin…Ne nuk e pranojmë ndarjen e veriut dhe as të perëndimit. Kushdo që ndihmon ose mundëson jetësimin e kësaj marrëveshje kapitulluese, do të damkoset përjetësisht me epitetin tradhtar”, ka thënë Ademi..

Ndërkaq, Nexhat  Zeneli, banor i lagjes ku jetojnë prindërit e kryeparlamentarit, tha se kjo që po ndodhë nuk është në rregull.

 Sipas tij, në këtë mënyrë vetëm sa po trishtohen fëmijët e tyre dhe familjarët në përgjithësi.

 Zeneli: Këta nuk janë Vetëvendosje, po vetëfundosje

“Unë papritmas jam dal kur e pash policinë, mendova se na ra Serbia, dola ndërsa fëmijët më ikën brenda, kur po shoh  ishin dal këta vetëfundosja, se këta vetëvendosje s’janë. Këta çka po mendojnë kështu me ardhë nëpër lagje e me na trishtue nuk është në rregull”, theksoi Zeneli.

Në anën tjetër, kryetari i Vetëvendosjes në Mitrovicë, Faruk Mujka, i ka thënë KosovaPress-it përmes telefonit, se aktivisti i tyre Imer Fejza, është arrestuar nga policia, ndërsa Musa Ajeti është i lënduar.

Ai potencoi se nuk është ndjerë mirë kur ka parë se gjatë këtij aksioni, pjesëtarët e policisë kanë marrë urdhra nga eksponentët e PDK-së në Mitrovicë

Ndërsa, zëdhënësja e Policisë në Mitrovicë, Fexhrije Pllana, ka bërë të ditur për KosovaPress, se janë arrestuar dy persona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat