Më 25 gusht 2015 ishin nënshkruar marrëveshja për themelimin e statutit të Asociacionit të Komunave Serbe dhe ajo për urën e Ibrit si dhe ishin përcaktuar planet e veprimit për zbatimin e marrëveshjeve të telekomunikacionit dhe energjisë.
Edhe pse kanë kaluar një vit, marrëveshja kryesore e asaj kohe për statusin e asociacionit pos që ka prodhuar protesta të shumta dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese që pozita e opozita po e interpretojnë ndryshe, nuk ka sjellë diçka të re.
Kallxo kishte shkruar më herët se qeveria ka nisur krijimin e grupit menaxhues për hartimin e këtij statusi, që do të përbëhet nga 4 serbë në bashkëpunim me zyrtarë të Ministrisë së Administrimit dhe Pushteti Lokal si dhe nga zyrtarë të OSBE-së.
Por, punët nuk kanë shkuar përtej kësaj.
Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës Edita Tahiri thotë se nuk ka vend për asociacionin derisa Serbia t’i plotësojë disa kushte.
“Nuk kemi më çka të bisedojmë rreth asociacionit në Bruksel , sepse marrëveshje është arritur, por ne ende nuk e kemi filluar zbatimin, përkatësisht nuk kemi filluar me hartimin e statutit, për shkak se i kemi dhënë disa kushte, kemi thanë që përderisa Serbia i ka blloku kodin telefonik edhe KOSTT-in që të veprojnë si të pavarur në bazë të marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel”, tregon ajo.
Në Bruksel më 15 gusht u zhvilluan bisedime në të cilat pala kosovare njoftoi se do të bisedohej për kodin telefonik të Kosovës, e shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq u tha medieve serbe se bisedimet do të zhviloheshin për themelimin e asociacionit dhe funksionimin pa pengesa të Telekomit të Serbisë në Kosovë.
Edita Tahiri një ditë më pas tha se nuk është biseduar fare për asociacionin. Edhe Maja Kociancic, zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së Federica Mogherini konfirmoi se është biseduar për telekomunikacionin.
Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit pas këtyre bisedimeve pala kosovare deklaratat e Gjuriqit i cilësoi të pavërteta.
Por analisti Nexhmedin Spahiu thotë se paaftësia e negociatorëve kosovarë po e bën dialogun e Brukselit të dëmshëm.
“Bisedimet me Beogradin kanë shkuar në qorrsokak për shkak të paaftësisë së ekipit negociator të Prishtinës, e që janë duke e dëmtuar rëndë interesin e Kosovës”, thotë Spahiu.
Në lidhje me të rejat rreth zbatimit të marrëveshjes për parimet e Asociacionit të Komunave Serbe, media tentoi të marrë edhe deklarata nga deputetët të Listës Serbe, pjesë e koalicionit qeveritar në Kosovë, por ata ishin të paqasshëm.
Më herët Nenad Rashiq, njëri nga këta deputetë kishte thënë se partnerët e koalicionit nuk janë duke biseduar për asociacionin.
Tahiri nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen të ketë vazhdim dialogu në nivel kryeministrash në Bruksel, por sqaroi se ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për këtë.