Reagon edhe Thaçi për ngjarjet në Mushtisht: Të gjithë kanë të drejtë të kthehen në vendin e tyre

Aktuale

Reagon edhe Thaçi për ngjarjet në Mushtisht: Të gjithë kanë të drejtë të kthehen në vendin e tyre

Më: 28 gusht 2016 Në ora: 17:47
Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se janë të papranueshme skenat që janë parë të dielën në fshatin Mushtisht dhe ka bërë thirrje që të respektohet e drejta e secilit që të kthehet në pronat e veta.

“Janë krejtësisht të panevojshme dhe të papranueshme skenat nga fshati Mushtisht”, është shprehur presidenti Thaçi, i cili ka shtuar se “këto veprime nuk janë as në interes të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”. Ai ka përsëritur se është e drejtë e secilit që të kthehet në pronën e tij dhe në vendin e tij të origjinës.

I pari i vendit ka thënë se të gjithë kanë të drejtë të kthehen në vendin e tyre të origjinës, në pronën e tyre. “Kjo vlen për çdo qytetar të Kosovës, pa dallim etnie”, tha presidenti Thaçi, duke bërë thirrje që të gjithë të respektojnë këtë të drejtë.

“Çështja e të zhdukurve, e të zhvendosurve, e pronave të uzurpuara janë plagë të hapura nga lufta. Duhet t’i mbyllim sa më parë këto plagë dhe të kthehemi nga e ardhmja”, ka thënë presidenti Thaçi, i cili theksoi se e ardhmja është në paqe, dialog dhe bashkëpunim.

Duke shtuar se dhuna nuk ka vend në Kosovën e re, presidenti Thaçi përfundoi se drejtësia do të merret me të gjithë ata që kanë kryer krime në të kaluarën, meqë “drejtësia është kusht për pajtim të sinqertë dhe për ndërtimin e Kosovës multietnike".

Ndryshe sot në Mushtisht shqiptarët e këtij fshati kanë penguar dhjetëra serbë që të vijnë në fshatin e tyre për të festuar një festë ortodokse.

Banorët e këtij fshati kanë dalë herët për ta bllokuar rrugën ndërkohë që Policia e Kosovës ka intervenuar edhe me gaz lotsjellës në mënyrë që t’ua lirojnë rrugën të ardhurve serbë.

Këta të fundit janë kthyer mbrapsht nga kanë ardhur.

Gjatë luftës në këtë fshat të Suharekës janë vrarë, masarkuar dhe zhdukur qindra njerëz.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat