Fati i të pagjeturve një nga plagët më të rënda të pasluftës në Kosovë

Aktuale

Fati i të pagjeturve një nga plagët më të rënda të pasluftës në Kosovë

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 29 gusht 2016 Në ora: 14:12
Foto arkiv

Mos zbardhja e fatit të të pagjeturve, vazhdon të jetë një nga plagët më të rënda të pasluftës në Kosovë. Ende nuk dihet fati e 1 e 750 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ndërkohë që familjarët e të pagjeturve, vazhdimisht kanë akuzuar institucionet vendore të cilat sipas tyre nuk e kanë shtjelluar këtë çështje sa duhet në bisedimet në Bruksel.

30 gushti shënon ditën ndërkombëtare të personave të zhdukur, ndërsa Kosova ka 17 vjet që përballet me këtë plagë.

Sipas analistit Faik Krasniqi, institucionet e vendit kanë bërë shumë pak për çështjen e të pagjeturve, derisa gabimi më i madh i qeverisë sipas tij, ishin bisedimet e Serbisë pa asnjë kusht të vetëm.

“Deri sa kemi edhe rreth 1800 shqiptarë të zhdukur, edhe 17 vite pas përfundimit të luftës së fundit, mund të themi lirisht që institucionet e Kosovës kanë bërë shumë pak për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Gabimi më i madh i Qeverisë së Kosovës, ishte fillimi i bisedimeve me Serbinë me ndërmjetësimin e Brukselit, pa asnjë kusht të vetëm. E, njëra nga kushtet do të duhej të ishte edhe zbardhja e të të pagjeturve”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Krasniqi ka thënë se, Qeveria e Kosovës duhet të jetë sa më këmbëngulëse që sa më parë të zbardhet fati i secilit qytetar të Kosovës, në mënyrë që familjet e të pagjeturve të gjejnë paqen e tyre.

“Në të kundërtën, Kosova s'ka pse t'i vazhdojë bisedimet me Serbinë, sepse kjo e fundit edhe ashtu asnjë nga marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, nuk është duke i zbatuar në praktikë”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, sipas analistit Blerim Burjani, konsideron se institucionet e Kosovës nuk mund të ofrojnë më shumë në këtë temë humanitare, pasi nuk është bërë kushtëzimi nga Bashkësia Ndërkombëtare për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

”Tash e 16 pas luftës ende nuk u zbardhen krimet serbe. Ende shumë kriminel lufte serb nuk morën dënimin e merituar nga drejtësia ndërkombëtare. Institucionet fatkeqësisht nuk munden të ofrojnë më shume në këtë temë humanitare. Bashkësia ndërkombëtare thotë se zbardhja e krimeve serbe është proces dhe nuk ka ndikuar më shumë po as nuk i kushtëzuar në integrimet evropiane. Koha po ecë e tragjedia mbeti e freskët për popullin e Kosovës familjarët që pësuan”, ka deklaruar Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat