Cili ishte motivi i vrasjes së dy të rinjve te Parku i Qytetit, flet policia

Aktuale

Cili ishte motivi i vrasjes së dy të rinjve te Parku i Qytetit, flet policia

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 30 gusht 2016 Në ora: 14:59
Eron Agaj dhe Arianit Gashi

Kohëve të fundit, vrasjet janë bërë të shpeshta në Kosovë.

Për vetëm 10 ditë, kanë ndodhur 9 vrasje, duke e bërë këtë një dukuri shqetësuese në vend.

Dje, rreth orës 12 ka ndodhur një vrasje e dyfishtë tek Parku i Qytetit në Prishtinë, ku një person ka plagosur dy të rinj.

Të dy janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku nuk kanë mundur t’i mbijetojnë plagëve të marra dhe kanë ndërruar jetë.

Viktimat janë Arianit Gashi, 21-vjeç dhe Eron Agaj, 22 vjeç.

Policia ka arritur ta identifikojë personin që shtiu me armë dhe la të vdekur të dy personat, por ende nuk ka arritur ta arrestojë.

Zëdhënësja e Policisë Flora Ahmeti ka folur për gazetën Bota Sot lidhur me vrasjen, e cila ka thënë se nuk komentohen ato që janë shkruar në portale, por vetëm versioni zyrtar, që thotë se janë në kërkim të dorasit, që është identifikuar.

Sa i përket motivit, Ahmeti ka thënë se është ende herët të dihet, pasi janë në fazën e intervistimit.

“Motivi nuk mund të jepet, nuk mund të dihet. I kemi dy persona të vdekur, nuk kemi  pasur mundësi t’i intervistojmë, por ka elemente tjera, gjëra tjera që mund t’i lidhim por është ende herët për të dhënë motivin se cili është. Duhet të arrestohet edhe i dyshuari, jemi në fazën e intervistimit, jemi duke intervistuar persona, andaj është herët për të treguar se cili është motivi”, ka thënë Ahmeti për gazetën Bota Sot.

Në ndërkohë, policia po vazhdon me kërkimin e të dyshuarit që ka vrarë të dy të rinjtë.

Viktimat Arianiti dhe Eroni kanë qenë shokë dhe familjarë e të afërm kanë shprehur ngushëllimet për vdekjen e tyre./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat