"Gorani shpalosë qëllimin e vërtetë të anarkistëve"

Aktuale

"Gorani shpalosë qëllimin e vërtetë të anarkistëve"

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 31 gusht 2016 Në ora: 11:53
Armet e konfiksuara nga Policia te aktivistët e VV

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar ndaj deklaratave të z. Gukagjin Gorani nga Lëvizja Vetëvendosje.

Gecaj ia ka kujtuar Goranit kohën kur për 7 vite i shërbeu Hashim Thaçit, si Këshilltar në kohën sa ishte Kryeministër.

Për më tepër, ky është postimi i z. Bajram Gecaj në FB:

Duke lexuar një intervistë të publicistit Dukagjin Gorani në ‘Gazetën Blic’ në fillim fitohet përshtypja se ndoshta kjo prurje e re në ‘Lëvizjen Anarkiste të Vetëvendosjes’ (LAV) mund edhe ta civilizoj këtë subjekt dhe t’i largoj metodat e deritanishme të stilit të ‘Brigadave të Kuqe’. Kjo posaçërisht kur fillimisht lexon mendimet e tij se ata do të kundërshtojnë me “protesta masive, rezistencë popullore dhe padëgjueshmëri qytetare”! Por zhgënjimi është i menjëhershëm, sepse intervista shpejt degradon në nivelin dhe konceptet tashmë të provuar të anarkistëve revolucionarë.

Si parapërgatitje për numrin e vogël të protestuesve, Gorani thotë se ‘nuk dalin të gjithë të pakënaqurit në protesta’, edhe pse është botërisht e dituar se zakonisht në raste të tilla skajshmërisht më shumë dëgjohet zëri kundërshtues, pasi që ata të cilët janë ‘pro’, mendimin e tyre e japin në kutitë e votimit dhe pastaj presin rastin e (ri) konfirmimit në ciklin e ardhshëm zgjedhor. Në këtë intervistë Gorani në një formë të re vetëm provon teorinë e vjetër të krye-kaçakut të LAV, Dardan Molliqaj, se do t’i ngrehin zvarrë zyrtarët e partive në pushtet nëse (ruana zot) e marrin pushtetin, pasi që Gorani i sugjeron zyrtarëve të tanishëm shtetëror se mund t’i shpëtojë vetëm “mbetja e përjetshme në pushtet”, duke parashikuar gjithashtu se “rezistenca” e tyre do të “përshkallëzoj në konfrontim”.

Gorani i papërmbajtur shkon aq larg sa të bëj krahasime konceptualisht dhe përmbajtësisht të pakrahasueshme, duke tentuar të barazoj të zgjedhurit e tashëm të popullit me të emëruarit e sistemit të kaluar komunist të vitit 1989. Madje-madje ai, me vetëdije apo pa të, por prapë pa prirjen për tu përmbajtur në sulme, tenton të barazoj dunën e sistemit diktatorial me sugjerimet e miqve të tanishëm ndërkombëtarë, të cilët edhe ai vetë e di mirë se janë mu shpëtimtarët tanë nga po ato kthetra komuniste-nacionaliste.

Nuk dua të përzihem shumë në relacionin e tij emocional me punëdhënësin e mëparshëm të tij, por më intrigon fakti se si Gorani nuk e paska vërejt “analfabetizmin” e punëdhënësit të tij, si këshilltar, gjatë shtatë viteve të shërbimit të tij të përkushtuar e besnik ndaj po të njëjtit “patron” të cilin tani e sulmon në ekstrem. Gorani madje thotë se duhet të “kalojnë disa vite për ta pranuar se [qytetari] përballet me një pushtet kriminal”, por duket se edhe këtu harron se mu ai i ka shërbyer po të njëjtit pushteti për shtatë vite me radhë. Një është e sigurt, se kauza e opozitës është njëmend falso, pasi që me te tentohet të realizohen qëllime politike të cilat për ta ishin të pamundura dhe të paarritshme të realizohen në kutitë e votimit.

Gjithashtu, Gorani thotë se zyrtarët e tanishëm “synojnë pushtetin me çdo kusht”, qartazi duke lënë anash faktin se këta zyrtarë tani mbajnë atë pushtet të arritur me vota të qytetarëve të Kosovës dhe se është mu LAV e cila tenton ta marrë atë pushtet me çdo kusht dhe në stilin makiavelist -me çdo mjet. Në kohën e LVAN-it, ishin zyrtarët e LAV të cilët, me qëllim që me çdo kusht të vijnë në pushtet, kishin pranuar një hise të vogël të pushtetit me ata të cilët më parë (po edhe atëherë) i kishin etiketuar si “hajnat e ligës së dytë” - hipokrizia nuk ka brina. Në fund të intervistës, parashikuesi Gorani, paralajmëron zgjedhje të parakohshme (qëllimi i parë dhe i fundit i tyre), madje-madje duke u sugjeruar deputetëve tanë se ky veprim pra votimi i demarkacionit do të ishte “qyqarllëk i paparë politik, porse edhe i pritshëm nga ta”. Pra, ai insiston se ne duhet të dorëzohemi para makinerisë së tyre të dhunshme, pasi që jemi “qyqarë” përballë këtyre “trimave legjendarë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat