Mendimet e qytetarëve pro dhe kundër protestës së nesërme

Aktuale

Mendimet e qytetarëve pro dhe kundër protestës së nesërme

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 20:03
Protesta e Vetëvendosjes

Në mesin e atyre që do t’i bashkohen protestës së nesërme për kundërshtimin e marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje është edhe poeti dhe aktori i mirënjohur Çun Lajçi, i cili zëshëm e ka kundërshtuar Demarkacionin me Malin e Zi, përgjatë tërë procesit.

Ai tha për KosovaPressin se përkundër moshës së tij do i bashkohet protestave, ngase sipas tij, nëse tash jepet Çakorri atëherë çka do ndodh gjatë procesit të demarkacionit në mes Kosovës dhe Serbinë.

Lajçi: Atdheu nuk jepet për një vizë

“Çka na vyn neve viza me dalë nesër në Evropë kur ty atdheu të cungohet? A jepet atdheu për një lëvizje të lirë me shku gjer në Gjermani edhe mu kthy prapa? Unë them se jo”, tha Lajçi.

Edhe qytetarë të tjerë të cilët janë anketuar nga KosovaPress-i, e përkrahin protestën e nesërme të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje kundër marrëveshjes së shënjimit të kufirit me Malin e Zi, e disa të tjerë janë shprehur se nuk ju intereson kjo çështje dhe se nuk do të dalin për të protestuar.

Njëri nga ta është qytetari, Bahtir  Jusufi, sipas të cilit çështja e Demarkacionit është e kryer, meqë sipas tij, qeveritarët mundën vet ta rregullojnë këtë çështje dhe se protestat nuk janë të duhura,  duke thënë se gjatë protestave po dëmtohen pronat shtetërore.

Jusufi: Qeveritarët mund ta rregullojnë demarkacionin

“Jo, nuk kam me dal në protestë se kam tjera angazhime, unë edhe nuk jam  nga këtu, kjo çështja e demarkacionit pothuajse është e kryer, këta qeveritarët e kanë ata që munden vet me i rregulle, e jo protesta me dal me i shkatërrua, ky është qyteti jonë është prona jonë, menxi e kena arrit këtë liri edhe me shkatërru qytetin tonë s’pe shoh të arsyeshme. Nuk besoj se do të ketë efekt”, tha Jusufi.

Një qytetar tjetër, Ismet Hajdari, tha se do t’i bashkohet protestës, por është shprehur pesimist nëse protesta do të sjellë ndonjë rezultat. Ai thotë se  përderisa kjo Qeveri është funksionale, protestat nuk do të kenë efekt.

Hajdari: Protesta nuk do të ketë efekt

“Besoj që kam me dal në protestë, mirëpo nuk do të ketë sukses apo  efekt, sa të jetë kjo Qeveri  protesta nuk do të ketë efekt”, tha Hajdari.

E Granit Hyseni, nuk e sheh të arsyeshme daljen në protestë, duke thënë se kjo është një çështje që u takon vetëm insitutcioneve të Kosovës, dhe këta të fundit duhet ta zgjidhin këtë problem.

Hyseni: Institucionet duhet ta zgjedhin këtë problem

“Nuk do të dal në protestë, pasi që nuk e shoh të arsyeshme, besoj që institucionet e Kosovës janë ato institucione që duhet ta zgjedhin këtë problem edhe ne i kemi zgjedhur deputet me votën tonë për të na përfaqësuar neve edhe ata e dinë më së miri se si duhet ta zgjedhin këtë çështje. Po mendoj, ata që e kanë mendimin për me dal në protestë ndoshta do të ketë efekt por nuk do të ketë efekt në përgjithësi për shoqërinë tonë, se sido që të jetë a do të dalim në protestë apo jo zgjidhja do t’iu takojë institucioneve”, tha Hyseni

Qytetari ,Hekuran Rexhepi, theksoi se përmes protestave asnjëherë nuk është arritur ndonjë rezultat.

Rexhepi: Protesta s’ ka efekt

“Jo, sepse nuk do të arrihet diçka prej protestës, nuk është arrite as deri qetash”, tha Rexhepi.

Bore Gasfri-Gojani, e  cila jeton në Neë York,  tha se protesta është shumë e duhur mirëpo,  dhuna nuk është e nevojshme në asnjë mënyrë.

Gasfri-Gojani: Protesta është e nevojshme

“Jam mysafir, jam prej Neë York-ut, unë mendoj që duhet me protestu  edhe duhet me pas efekt edhe është protestë shumë me vend, por nuk kisha pas dëshirë më përdor dhunën në asnjë mënyrë, as nga protestuesit e as nga qeveria, ndoshta edhe do të marr pjesë”, tha ajo.

Një qytetar tjetër, Januz Shatri  beson se demarkacioni nuk do të kalojë në seancën e nesërme, dhe për këtë, thotë se është bindur nga qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje.

Shatri: Demarkacioni nuk do të kalojë

“Besoj shumë në deklaratat e LVV, sidomos në deklarimet e tyre që kanë thënë se Demarkacioni nuk kalon, pasi që është i dëmshëm për shtetin tonë, për besimin që kam ndaj kësaj organizate besoj që nuk do të kalojë dhe protesta do të ketë efekt”, tha Shatri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat