Partia e Drejtësisë kundër Aganit: Nuk e votojmë demarkacionin

Aktuale

Partia e Drejtësisë kundër Aganit: Nuk e votojmë demarkacionin

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 22:40
PD

Partia e Drejtësisë thotë se mbështetë qëndrimin e nënkryetares, njëherësh deputete në Kuvendin e Kosovës, Labinotë Demi-Murtezi, e cila ka deklaruar se do të votojë kundër ratifikimit të marrëveshjes së shënjimit të vijës kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

"Partia e Drejtësisë, përkatësisht, shumica e anëtarëve të Kryesisë të prirë nga nënkryetarë të Partisë, sekretari i përgjithshëm, koordinatori politik për degë, shumica dërmuese e anëtarëve të Këshillit Drejtues si dhe 17 degë të Partisë, prej 24 sa janë, mbështetë fuqishëm, qëndrimin e deputetes së Partisë së Drejtësisë, njëheritë, nënkryetares së Partisë, znj. Labinotë Demi Murtezi, për votimin kundër të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionit e kufirit mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi”, thuhet në komunikatën e PD-së.

Partia e Drejtësisë e konsideron qëndrimin e deputetes Demi-Murtezi, si qëndrim parimor, korrekt dhe në pajtim me interesat shtetërore dhe politike të vendit tonë.

“Këtë qëndrim PD e mbështetë në opinionet profesionale e shkencore të ekspertëve të saj dhe ekspertëve të tjerë profesional dhe apolitik që kanë dhënë përkitazi me shënjimin e vijës kufitare mes dy shteteve respective”, thuhet më tej në komunikatën e PD-së.

Partia e Drejtësisë gjithashtu ju bënë apel anëtarësisë së saj, strukturave politike dhe udhëheqëse të PD-së, që çdo qëndrim tjetër i Partisë, përveç këtij qëndrimi është qëndrim individual apo grupor por jo zyrtar.

“Qëndrimet e dala në adresë të PD-së, pro dhe kundër demarkacionit kanë ardhur si rezultat i presionin të pa drejtë politik nga struktura të ndryshme institucionale dhe politike brenda Partisë e që nuk ja arritën ta luhatin nga ky qëndrim parimor as deputeten Demi-Murtezi e as strukturat politike të PD-së, përveç një grupi të vogël të kryesisë së partisë të prirë nga z. Agani”, thotë Partia e Drejtësisë.

Partia e Drejtësisë në fund u ka  bërë thirrje institucioneve të vendit që të tregojnë pjekuri politike dhe për interesa të veta mos ta viktimizojnë raportin e mirë miqësor që ka Kosova me shtetet mike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat