Havolli tregon arsyet e tërheqjes nga votimi të demarkacionit

Aktuale

Havolli tregon arsyet e tërheqjes nga votimi të demarkacionit

Më: 2 shtator 2016 Në ora: 09:34
Foto arkiv

Shefin e Kabinetit të Kryeministrit Mustafa, Sokol Havolli ka theksuar se arsyet e tërheqjes nga votimi të Marrëveshjes për demarkacioin me Malin e Zi ishin të tjera dhe nuk lidheshin me numrat.

“U tërhoq pas një presioni dhe kërcënimeve të konsiderueshme që janë bërë në drejtim të deputetëve”, ka deklaruar Havolli.

Ai ka theksuar se ratifikimi i demarkacionit është kusht për liberalizimin e vizave dhe se duhet të ndodhë sa më shpejt, ndërsa akuzon opozitën se po e përdor këtë për qëllime politike.

“Të gjitha palët janë bindur që demarkacioni është në rregull, por njëra palë dhe një grup i caktuar brenda koalicionit mund të kenë apo shfrytëzojnë këtë për arsye politike. Nuk kemi një datë të saktë, por sapo të krijohen kushtet do të kthehet në Kuvend për t’u ratifikuar. Do të bëhet në një të ardhme të afërt duke patur parasysh që është kriter për liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.

Sipas shefit të Kabinetit të Kryeministrit, marrëveshja ka mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa shton se refuzimi i saj mund të prishë marrëdhëniet e mira që Prishtina ka me Podgoricën.

Ndërsa analisti Imer Mushkolaj thotë se dështimi në votimin e marrëveshjes ishte i pritshëm.

“Duke patur parasysh gjithë rrjedhën e ngjarjeve dhe reagimin e atyre që kanë dominuar skenën politike për një vit, ishte një epilog i pritshëm. Kryeministri Mustafa vendosi ta tërheqë duke patur parasysh që nuk kishte numrat e mjaftueshëm në Parlament. Bëri mirë sepse edhe po të ishin numrat, votimi i këtij versioni do të përkeqësonte problemin dhe do të polarizonte më tej skenën politike në Kosovë”, thotë ai.

Mushkolaj ka edhe një propozim për të dalë nga kjo krizë. 

“Kemi një vit me këtë çështje duke lënë menjëanë të gjtiha çështjet e tjera më të rëndësishme. Është e nevojshme që të vihet një moratorium në këtë çështje dhe gjatë asaj kohe të gjendet një zgjidhje. Kolaicioni qeveritar jo vetëm që nuk ka bindur opozitën për këtë marrëveshje, por as disa nga deputetët e vet. Ndaj brenda kësaj kohe, 3 ose 6 muaj duhet të shihet se çfarë mund të përmirësohet në këtë marrëveshje duke krijuar edhe një grup më gjithëpërfshirës”, thotë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat