Liderët shkelën ligjin për Nënën Tereze

Aktuale

Liderët shkelën ligjin për Nënën Tereze

Më: 4 shtator 2016 Në ora: 20:36
Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa e kryeparlamentari Kadri Veseli në Selinë e Shenjtë në Vatikan

Asnjëri nuk pranoi që të qëndrojë në Kosovë, ditën kur Nëna Tereze u shenjtërua në Vatikan nga Papa.

Që të tre, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa e kryeparlamentari Kadri Veseli shkuan në Selinë e Shenjtë në Vatikan për ta përcjellë ceremoninë e shenjtërimit, pavarësisht se ligji nuk e lejon që ata të jenë në të njëjtën kohë jashtë shtetit.

Kështu, të tre e shkelën protokollin shtetëror.

Ligji për protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës, saktësisht, kreu IV që flet për ceremonialin  zyrtar të autoriteteve të larta të shtetit, e definon qartë çështjen e koordinimit të liderëve gjatë udhëtimeve jashtë vendit.

"Protokolli i Shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit", përcakton ligji.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat