Abrashi: MPMS i ka licencuar qindra shërbyes social

Aktuale

Abrashi: MPMS i ka licencuar qindra shërbyes social

Më: 9 shtator 2016 Në ora: 10:45
Arban Abrashi

(E plotësuar) - Është mbajtur konferenca finale e projektit “Mbështetja e BE-së për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në përforcimin e mekanizmit të shërbimeve sociale”, i cili ka për qëllim ofrimin e shërbimeve sociale nëpër komuna në mënyrë sa më efikase.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se këto lloj shërbimesh u kanë kaluar në kompetencë komunave dhe ka shtuar se projekti e ka ndihmuar shumë MPMS-në që të trajnojë njerëz, të cilët do të ofrojnë shërbime sociale.

Abrashi: Projekti ka bërë që shërbimet sociale të mbështeten më shumë

“Sipas legjislacionit të fuqi, shërbimet sociale janë kompetencë e komunave por fatkeqësisht kjo nuk është përcjellë qoftë me përkrahje financiare qoftë me burime njerëzore. Qëllimi i këtij projekti ka qenë që të ndryshoj kjo, jo e gjitha është arrit, është bërë një punë e mrekullueshëm dhe për këtë i falënderoj të gjithë ata zyrtarë të shërbimeve sociale në nivelin qendror në nivelin lokal që kanë punuar në hartimin e standardeve minimale për shërbime sociale, dhe tani ne e kemi një doracak të shërbimeve sociale si udhërrëfyes për ofrimin e këtyre shërbimeve, gjithashtu është bërë një hap i madh sa i përket licencimit të këtyre shërbimeve sociale. Ne i kemi licencuar përkatësisht Ministria i ka licencuar me qindra ofrues të shërbimeve sociale por gjithashtu edhe OJQ që ofrojnë shërbime sociale dhe tani i kanë patentat dhe janë ofrues të licencuar të shërbime ve sociale”, ka deklaruar ai.

Kurse, përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Kosovë, zyrë kjo e cila e ka mbështetur këtë projekt, Libor Chlad, ka thënë se ofrimi i shërbimeve cilësore sociale është i rëndësisë së madhe dhe se kjo duhet të përmirësohet vazhdimisht.

Chlad: Resurset për përkrahjen e këtyre shërbimeve janë të pak

“Fusha e ofrimit të shërbimeve sociale është mjaft e gjerë, po flasim për një varg të gjerë shërbimesh, të cilat u ndihmojnë njerëzve t’i tejkalojnë situatat e vështira në jetë, vështirësitë të cilat i hasin gjatë turbullirave dhe përshtatjeve në tregun global. Këto shërbime natyrisht e kanë koston e tyre dhe ne do të pajtohemi që resurset që i kemi në dispozicion janë të pakta. Është shumë e rëndësishme që ta rrisim efikasitetin e ofrimit të këtyre shërbimeve, që ne i zhvillojmë shërbimet në nivel qendror dhe kjo është detyrë e pushtetit qendror, që të sigurohet që ato të koordinohen mirë në Kosovë por edhe të përfshijnë komunat dhe të gjithë akterët tjerë duke përfshirë OJQ-të që janë aktive në terren në mënyrë që shërbimet të jenë të përshtatura”, ka thënë Chlad. 

Projekti për ofrimin e shërbimeve sociale cilësore nëpër komuna ka zgjatur rreth 30 muaj dhe është mbështetur nga BE.

Përfundon projekti i mbështetur nga BE për decentralizimin e shërbimeve sociale

U mbajt konferenca finale e projektit të BE-së, “Mbështetje për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në përforcimin e mekanizmave për implementimin e decentralizimit të shërbimeve sociale”.

Në këtë konferencë u bë e ditur se ky projekt ka zgjatur rreth 30 muaj.

Në fjalën e tij, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha se Ministria që ai drejton ka trajnuar mjaft shumë njerëz që të merren me shërbime sociale, por ai shtoi se kjo çështje është kompetencë e komunave, të cilën gjë komunat ende nuk kanë arritur ta kuptojnë si duhet.

Sipas tij, Kosova ka shënuar arritje në këtë drejtim dhe ofron mbështetje për komunat edhe më tutje në shërbimet sociale.

Projekti i financuar nga BE, është menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat