Ndryshimi i ligjit, i domosdoshëm për shkelësit e “pushtetshëm”!

Aktuale

Ndryshimi i ligjit, i domosdoshëm për shkelësit e “pushtetshëm”!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 23 shtator 2016 Në ora: 11:33
Ilustrim

Praktika e deritashme e uzurpimit të dy e më shumë vendeve të punës nga zyrtarët politike, duhet patjetër të shmanget me ndryshimin e ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit.

Kjo për faktin se kur është në pyetje zbatimi i ligjit, të tillët duhet të vetëdijesohen dhe të kuptojnë se ligji duhet të respektohet, në të kundërtën pakënaqësitë dhe brengat ekonomike të qytetareve do të rriten në vazhdimësi.

Armend Zemaj deputet nga LDK-ja, dhe anëtar i Komisionit për Legjislacion, ka thënë se mbajtja e më shumë pozitave në punë, është një ndër çështjet që jo rrallë herë ka qenë pjesë e debatit publik. Ai ka thënë se mbajtja e dy apo më shumë pozitave që paguhen nga taksat publike është parë si problem i rregullimit të brendshëm institucional dhe shpesh herë dhe si konflikt interesi i zyrtarëve publik.

“ Ka pasur avancim ligjor ne eliminimin e kësaj dukurie e cila për shkake zbrazëtirave ligjore në shumë raste është keqpërdore, unë mendoj se krahas ndryshim plotësimit të ligjit për parandalim të konfliktit të interesit duhet edhe disa ligje specifike ku qartësisht definohet se në cilat raste një zyrtar publik mund të ushtrojë dy pozita të cilat nuk janë në konflikt interesi me njëra tjetrën me të cilën do të këtë edhe sanksione më të qarta deri në eliminim të plote për të lejuar ushtrimin e dy pozitave në të njëjtën kohë”, ka thënë Zemaj.

Sipas tij, ka edhe shumë raste të tjera të cilat lidhen me shfrytëzimet buxhetore ku shumë zyrtare publik përpos pagës përfitojnë edhe pensione të ndryshme duke marre parasysh se disa ligje infusin në ato kategori.

“Kjo mendoj se e tejkalon etikën profesionale e morale duke marre parasysh pozitën çfarë e kanë dhe kushtet dhe rrethanat e zhvillimit ekonomik të vendit dhe qytetarëve tanë” ka thënë deputeti Zemaj.

Badallaj: Kosova ka pasur dobësi në zbatueshmerinë e ligjit

Albrim Badallaj, analist politik ka thënë se Kosova deri më tani nuk është se ka vuajtur për ligje, por më tepër ka pasur dobësi në zbatueshmerinë e ligjit, paanshmërinë dhe në qasjen selektive.

Ai ka thënë se në të kaluarën e afërt, ne kemi parë një iniciativë nga ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, që t'ua bllokojë punën në Universitet të gjithë atyre që kanë 2 e më tepër vende pune, mirëpo kjo nuk gjeti përkrahje dhe nuk kishte jetëgjatësi, meqë prekte një grup të mirë të politikanëve, deputetëve e ministrave.

“ Ne të gjithë e dimë që Qeveria e Kosovës brenda 24 orëve mund të hap 10 mijë vende të reja pune, po që se të punësuarit në institucionet shtetërore që mbajnë dy apo më tepër vende pune, të heqin dorë vetëm nga njëra punë. Ndryshimet ligjore çdoherë janë të mirëseardhura, mirëpo zakonisht ligjet e tilla vijnë si imponim nga bashkësia dhe organizatat ndërkombëtare, meqë më me dëshirë politik bërësit tanë do të vazhdonin ta gëzonin privilegjin e shumë vendeve të punës. Jam skeptik, pa dashur të jem pesimist, që ky ligj të sjell ndryshime të kënaqshme së paku, meqë ndryshime drastike as që priten, derisa forma e shkruar e ligjit nuk zbatohet dhe kjo duhet të fillojë nga kupola e shtetit duke vazhduar teposhtë”, ka thënë Badallaj. Sipas tij, në formulimin e këtij ligji, mund të ketë hapësira ligjore të cilat i garantojnë grupeve të caktuara privilegje për shumë vende të punës, meqë në hartimin e ligjit marrin pjesë edhe persona nga politika. “Është tejet e dhimbshme se si ka ministra me nga 7 vende pune, në një vend ku papunësia kap vlerat më të larta të kontinentit, e nga ana tjetër edhe ajka e akademisë dhe shkencës gëzojnë goxha shumë vende pune, kur e dimë se sa të rijnë kemi me tituj shkencor, e që sorollaten nëpër dyert e vendeve të huaja. Kjo iniciativë është për tu përshëndetur, mirëpo nuk mjafton vetëm miratimi i tij dhe vullneti i mirë, meqë duhet të vërehen rezultate konkrete në terren”, ka thënë Badallaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat