Ahmeti takohet me Apostoloven, flasin për projektet e së ardhmes

Aktuale

Ahmeti takohet me Apostoloven, flasin për projektet e së ardhmes

Më: 26 shtator 2016 Në ora: 15:50
Nataliya Apostolova, Shpend Ahmeti

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka pritur sot në takim shefen e re të Zyrës së Bashkimit Evropian, njëherësh përfaqësuese e posaçme e BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, të cilës i ka uruar punë të mbarë në detyrën e re dhe mirëseardhje në Kosovë.

Në një njoftim për media thuhet se në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin që kanë pasur në të kaluarën me Komunën e Prishtinës, të gjitha sfidat, si dhe prioritetet e komunës.

Ahmeti tha se do të shikojnë së bashku mundësitë për implementimin  e projekteve me Komisionin Evropian për ta bërë Prishtinën një vend më të mirë.

“Ishte një takim i frytshëm dhe besoj që do të vazhdojë bashkëpunimi edhe në të ardhmen në të gjitha projektet që janë në interes të qytetarëve të Prishtinës”, tha Ahmeti.

Apostolova nënvizoi rëndësinë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), si një gur themel në marrëdhëniet Kosovë-BE.

“Me vendosjen e MSA-së, sfida e ardhshme është zbatimi. Pushteti lokal ka një rol të rëndësishëm në sjelljen MSA-së, më afër qytetarëve. Në këtë kontekst, ne jemi duke punuar në Agjendën Evropiane të Reformës (ERA), që është një mjet i orientuar drejt rezultatit për t’i shndërruar prioritetet e MSA-së, në përfitime konkrete për popullin”, tha Apostolova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat