Lufta për poste ministrore, PDK pengon riformatimin e Qeverisë!

Aktuale

Lufta për poste ministrore, PDK pengon riformatimin e Qeverisë!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 27 shtator 2016 Në ora: 12:02
PDK

Riformatimi i Qeverisë “Mustafa” ka kohë që është paralajmëruar, por deri më tani një gjë e tille ende nuk ka ndodhur.  Analistët politikë vlerësojnë se PDK-ja po e pengon ri formatimin e Qeverisë. Sipas tyre, PDK-ja fillimisht ka probleme në emërimin e në pozitat ministrore e zv/ ministror, pasi që bëri një numër të madh koalicionesh me partitë të ndryshme të cilave ju premtoi zv/ ministra e ministra me shumicë dhe tani nuk guxon të hallkat punë. Ata kanë pohuar se kjo Qeveri është e ngarkuar si në numër ashtu edhe me staf civil e politik. 

Kushtrim Kadriu politolog ka thënë, se PDK-ja ka probleme te brendshme, te cilat probleme nuk duken në opinion.  Sipas të njëjtit, PDK-ja ka probleme në emërimin e në pozitat ministrore e zv / ministror, pasi që kur bëri një numër të madh koalicionesh me partitë të ndryshme të cilave,  iu premtoi zv/ ministra e ministra me shumicë dhe tani nuk guxon të hallakat punë, pasi që me të hap këtë kuti të pandorës duhet  të kënaqë orekset e borxhet ndaj të gjithëve për këtë arsyeje nuk guxon të hap këtë front. “Gjithashtu mundet të jetë duke pritur edhe aktakuzat e Gjykatës Speciale, ku besohet se një numër i drejtuesve te PDK-së do të përballen me këtë gjykatë. Kurse LDK-ja e ka më të lehtë këtë proces, pasi do të jetë parti pak e prekur nga këto zhvillime dhe nuk ka borxhe me partnerët e koalicionit, pasi që nuk kishte koalicione”, ka thënë politologu Kadriu.

Formatimi i Qeverisë, si lojë

Ndërsa, Sadri Ramabaja njohës i çështjeve politike ka thënë se, i ashtuquajturi riformatim i qeverisë është loja e radhës e dyshes Veseli-Mustafa.  Sipas të njëjtit,  qëllimi dihet: hedhje në treg e një teme të re politike dhe shmangia e vëmendjes nga problemet mal të qeverisjes.   “PDK-ja, de fakto, ka kohë që ka hyrë në periudhën e para fushatës zgjedhore. Nuk është krejt e rastësishme që RTK, po edhe mediat e afërta me këtë korporatë politiko-biznesore, çdo hap që e bën lidershipi i PDK -së e prezantojnë gjerësisht, duke besuar se kështu mund ta mashtrojnë popullin pafundësisht. Ndërkaq me mendësi  bizantine tashmë të njohur, po vepron edhe LDK-ja” ka thënë Ramabaja.  Sipas tij, skenaristët e kësaj loje nuk duhet të harrojnë se i kanë nëpërkëmbur 200 mijë nënshkrimeve të peticionit, i kanë shpërfillur protestat masive, nga më të mëdhatë në historinë e Kosovës, kanë futur veshët në lesh duke injoruar konstatimin e Gjykatës Kushtetuese që vuri në pah shkeljen e Kushtetutës me rastin e Zajednicës, përkundër reagimit te shoqërisë civile, botës akademike dhe opozitës rreth demarkacionit. “Kjo mungesë ndjeshmërie ndaj pothuajse një kombi të tërë, a nuk është tallje e plotë me demokracinë dhe insistim për ta mbajtur Republikën peng të marionetave që janë pushtet. Prandaj paralajmërimi i riformatimin e qeverisë, është tallja e radhës dhe asgjë më pak a më shumë. Këtë populli tashmë e ka të qartë”, ka thënë Ramabaja.

Riformatimi i Qeverisë, i nevojshëm

Ndërkaq, Leon Duhanaj analist politik, ka thënë se ajo çka është evidente dhe, ka qenë në vazhdimësi në Kosovë, është se qeveritë janë megalomane, me shumë ministri, me shumë zv/ ministra të cilët në masë të madhe nuk kryejnë ndonjë funksion të rëndësishëm përpos asaj që ngatërrohen në mes vete duke u munduar të pretendohen në mbrojtje të vendit të punës.

Ai ka pohuar, se edhe kjo qeveri është e madhe në numër dhe po ashtu e stërngarkuar me staf, qoftë ai civil, qoftë ai politik.

“Nga qarqet qeveritare kemi dëgjuar deklarime të ndryshme, nga të cilat parashihet një riformatim i qeverisë. Se a është kjo ide e PDK-së, LDK-së, apo ndonjë sugjerim nga miqtë ndërkombëtarë, këtë nuk mund ta di. Megjithatë, është evidente se po përflitet ideja e riformatimit dhe se për mendimin tim është ide me vend. Ka ministri të caktuara, të cilat nuk janë të nevojshme dhe se të tillat lirisht mund të shndërrohen në departamente në kuadër të ministrive të rëndësishme në vend. Për mendimin tim, do të duhet që të dy subjektet në koalicion të gjenin gjuhë të përbashkët për t’i shtyre planet qeveritare deri në fund, qoftë edhe realizimin e një riformatimi të qeverisë, duke e freskuar me elan të ri”, ka thënë Duhanaj. 

Sipas tij, kjo madje është më së e nevojshme duke pasur parasysh sfidat e shumta që ka Kosova në shumë fusha. Ka disa ministri të cilat kanë performancë më të mirë, përderisa disa të tjera kanë ngecje.

“ Ideja e sjelljes së një dinamike të re është në interes të vendit në radhë të parë, por, edhe në interes të vet subjekteve në koalicionin qeverisës. Prandaj, është e udhës që për mbarëvajtjen e qeverisjes të ketë konsensus të plotë për të gjitha çështjet. Atëherë kur ka ngecje dhe kur nuk mund të arrihet dakordancë për mbarëvajtjen e programit qeverisës, do të ishte shumë e udhës që të ndërpritet bashkëqeverisja prandaj mendoj që ka vend për ndryshime dhe se ka edhe gatishmëri për bashkëpunim”, ka thënë Duhanaj. Ai ka thënë se koalicioni qeverisës në masë të madhe është duke funksionuar mirë.

“Përjashto këto sfidat e panatyrshme të cilat kanë ardhur si rezultat i luftës së madhe për pushtet të cilën opozita e bën përmes rrugëve jo konvencionale. Sido që të jetë, mbi të gjitha është Kosova dhe, çdo koalicion qeverisës, duhet ta ketë primarë interesin dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Për këtë duhet të angazhohen që të kenë bashkëpunim të mirë dhe parimorë. Në atë moment kur gjërat nuk shkojnë në binarët e duhur dhe nuk i kontribuojnë interesit të vendit, apo e stagnojnë ndonjë proces, është më mirë të ndërpritet koalicioni se sa të mbahen në këmbë më zor”, ka thënë analisti politik Duhanaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat