Zhvillimet politike në Kosovë, liberalizimi i vizave ende larg

Aktuale

Zhvillimet politike në Kosovë, liberalizimi i vizave ende larg

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 27 shtator 2016 Në ora: 16:14
Ilustrim

Njohës të çështjeve politikë vlerësojnë se Kosova, vështirë se mund të arrij diç në këtë drejtim, para pranverës 2017 me këto komplekse që ka. Sipas tyre, Kosova është në rrezik në sferën e jashtme, për vet faktin se viti 2017 në shumë vende të Evropës do të jetë vit i referendumeve, ku do të përcaktohet edhe jetëgjatësia e BE-së. Ata pohojnë se çdo zgjatje e këtij procesi, shkon në disfavor të Kosovës, meqë vendet e BE-së kanë përpara sfida më të mëdha brenda unionit, por edhe probleme të brendshme nga e djathta ekstreme, anti-emigrantëve

Kosova peng i politikave disfavorizuese të integrimeve nga Evropa!

Albrim Badallaj, analist politik ka thënë se Kosova, ka mbetur peng i politikave disfavorizuese të integrimeve nga Evropa, për shkak të përvojave të mëhershme me shtetet e tjera të rajonit, të cilat kanë thyer jo rrallëherë rregullat dhe limitet.

“Meqë Kosova edhe pas 8 viteve nuk ka ende një status të definuar, ku herë hyn në fuqi fusnota, e herë rezoluta 1244, shtuar kësaj se jemi shtet me vetëm 2 milion banorë, ka bërë që Evropa të tallet me qytetarët e vendit tonë dhe ta vonojë perspektiven evropianë të Kosovës. Marrë parasysh që zhvillimet e brendshme politike janë të ngathte, ku hyjnë këtu mos-izolimi i rasteve të korrupsionit, e njëkohësisht mungesa e gjuhës së përbashkët të klasës politike, janë tregues që Kosova për fat të keq nuk është në "pol position" për t'u bërë pjesë e familjes evropiane”, ka thënë Badallaj.

Sipas tij, të gjitha këto ngecje të brendshme janë më pak të rëndësishme se vet mos vullneti i Evropës që Kosovës jo t'ia dhurojë, por t'ia uroj procesin e liberalizimit, meqë për shumë arsye e meriton.

“Duke u shndërruar në vend eksperimentesh, ku matet pulsi i qytetarëve me izolim dhe me varfëri të skajshme, Kosova në këtë rast është duke u penalizuar nga vetë "miqtë evropiane". Me të gjitha këto komplekse, Kosova vështirë se mund të arrij diç në këtë drejtim, para pranverës 2017, ashtu siç është bërë shprehi që ose për Pashkë ose për Krishtlindje, t'iu dhurohet shteteve, procesi i liberalizimit. Kosova është në rrezik të themi në sferën e jashtme, për vet faktin se viti 2017 në shumë vende të Evropës do të jetë vit i referendumeve, ku do të përcaktohet edhe jetëgjatësia e BE-së, andaj cdo zgjatje e këtij procesi, shkon në disfavor të Kosovës, meqë vendet e BE-së kanë përpara sfida më të mëdha brenda unionit, por edhe probleme të brendshme nga e djathta ekstreme, anti-emigrantëve”, ka thënë ai.

Kurse sa i përket trendit për shfrytëzim të pushtetit për interesa të ngushta dhe puro klienteliste, i cili imitohet dhe paraqitet si shembull që duhet ndjekur, Badallaj ka thënë se ata vet janë shkaktari kryesor i gjendjes aktuale socio-ekonomike, por edhe politike.

“Në të njëjtën kohë, ne e dimë që disa favore që të ofron pushteti, edhe ligjërisht, të cilat janë benifite, medoemos që duhet të pranohen, mirëpo kur ato tejkalojnë çdo limit dhe suazë, atëherë kjo është një krim që duhet dënuar. Është populli ai që i ka mësuar dhe që i pëlqen që të kemi një funksionim të këtillë të shtetit, i cili ka shtrirë rrënjët në të gjitha poret e jetës. Kjo është një temë e cila tregon vetëdijen kolektive, meqë ata që më së shumti humbin edhe pse e përkrahin fuqishëm shfrytëzimin e pushtetit për interesa partiake, janë verë qytetarët që janë bërë argat pa mëditje, të këtij funksionimi”, ka thënë Badallaj.

Sipas tij, ky trend për fat të keq ka kapluar Kosovën tani e 17 vite dhe është shndërruar në një rutinë të ekzekutiveve të njëpasnjëshme.

“Mënyra e qeverisjes do të mund të ndryshojë, vetëm atëherë kur ndryshon mentaliteti qytetarëve, e të cilët edhe pse pothuajse të mbështetur për muri nga skamja, po e përkrahin këtë formë, së paku me heshtje dhe jo vetëm. Partitë duhet të shërbejnë si koloritet i mundësive që të ofron demokracia, e jo si uzurpator apo vjelës të shtetit. Rrjeti i përfitimit nuk mund të themi që është një partiak apo monist, meqë kualicionet janë ato që po bëjnë të shpërndahet në disa sosh "e drejta" për të përvetsuar dhe ndikimi për të kryer punë”, ka thënë Badallaj.

Me ritmin aktual të zhvillimeve politike në vend, qytetarët nuk mund të presin liberalizimin e vizave këtë vit

Ndërsa Emrush Ujkani ligjërues i së drejtës se BE-se ka thënë se nuk do të ketë liberalizim të vizave deri në vitin 2017, pasi ky proces nuk varet nga premtimet.

 “Nuk e besoj se me ritmin aktual të zhvillimeve politike në vend qytetarët mund të presin liberalizimin e vizave këtë vit. Ky nuk është proces që varet nga premtimet, por nga përmbushja e kritereve të mbetura. Dhe përderisa ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të jetë kriter i vendosur nga BE-ja dhe i njëjti nuk plotësohet nga ana institucioneve të Kosovës, atëherë natyrisht që mos përmbushja e tij do e vonojë edhe vendimmarrjen e BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Ujkani.

Sipas tij, përgjegjësia për një dështim të tillë bie në rend të parë mbi institucionet e Kosovës kjo shikuar edhe nga vlerësimi i BE-së.

“Në këtë rast edhe opozita duhet të ndjehet përgjegjëse pasi në këtë çështje të gjithë duhet të kërkojnë gjetjen dhe arritjen e një koncenzusi nacional”, ka thënë Ujkani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat