Hoxhaj zhvilloi 76 takime në New York, paralajmëron tri njohje të reja

Aktuale

Hoxhaj zhvilloi 76 takime në New York, paralajmëron tri njohje të reja

Më: 30 shtator 2016 Në ora: 16:33
Enver Hoxhaj

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka bërë me dije të premten se brenda këtij viti pavarësia e Kosovës do të njihet nga tri shtete.

Konfirmimin për këtë ministri Hoxhaj e ka marrë gjatë takimeve që ka zhvilluar në New-York ku ka marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me ç’rast ka realizuar më shumë se 70 takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme.

“Qëllimi jonë i parë në Asamble të Përgjithshme ka qenë sesi të ecim më tutje me njohjet ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës dhe kemi takuar përfaqësues të 30 shteteve jo njohëse dhe prej tyre kemi marrë qëndrime pozitive se do ta njohin Kosovën. Kështu që mund t’ju them se deri në fund të këtij viti do të jenë tri vende që do ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe disa këto vende do të kenë peshë të veçantë me njohjet që do t’i shpallim javëve apo muajve në vijim”, ka thënë ministri Hoxhaj në konferencën për medie.

Hoxhaj ka theksuar se qëllimi i dytë gjatë pjesëmarrjes në punimet e asamblesë ka qenë zyrtarizimi i raporteve ndërshtetërore me disa nga shtetet që tashmë e kanë njohur Kosovën, me qëllim të avancimit të raporteve bilaterale.

“Fokusi i dytë ka qenë nënshkrimi i marrëveshjeve të marrëdhënieve diplomatike me vendet të cilat e kanë njohur Kosovën por që nuk ka pasur marrëdhënie diplomatike. Është bërë nënshkrimi i marrëveshjes për marrëdhënie diplomatike me Gambinë, Malavin dhe me Bregun e Fildishtë. Ndërkohë kemi arritur të sigurojmë mbështetje nga Kolumbia, Omani, Jemeni, Samoa dhe Toga për të nënshkruar marrëveshje të marrëdhënieve diplomatike gjatë dy muajve të ardhshëm”, është shprehur ministri Hoxhaj.

Duke theksuar se nënshkrimi i marrëveshjeve për marrëdhënie diplomatike është faza e dytë më e rëndësishme pas njohjes nga shtetet, pasi që pas nënshkrimit sigurohet vota për përkrahje për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ministri Hoxhaj e ka vlerësuar këtë proces kaptinë të re për një bashkëpunim më të ngushtë në fusha të ndryshme.

“Fokusi i tretë është sigurimi i votave për Kosovën nëse ne aplikojmë në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe në këtë drejtim ne kemi arritur që të takojmë ministra të jashtëm të Emirateve, Ganës, Tajlandës, Tanzanisë, Egjiptit, Grenadës dhe të shteteve të tjera, prej të cilëve kemi marrë premtimet se nëse Kosova aplikon në ndonjë organizatë ndërkombëtare, në ndonjë agjenci të Kombeve të Bashkuara apo në ndonjë mekanizëm multilateral këto vende do ta mbështesin Kosovën që të anëtarësohet në to”,  ka thënë Hoxhaj.

Por ka shtuar se “ideja që të anëtarësohemi nëpër organizata nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e sovranitetit por ka të bëjë edhe me ushtrimin e sovranitetit dhe pikërisht detyra jonë si MPJ është që ta ushtrojmë sovranitetin. Dhe ne mund ta ushtrojmë sovranitetin përmes organizatave, duke promovuar një politikë të jashtme që i përmbush kërkesat tona të brendshme”.

Fokusi i radhës, siç ka thënë ministri është Hoxhaj, gjatë takimeve në New York ka qenë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Vendimmarrja për liberalizimin e vizave sa është e institucioneve në Bruksel po aq është edhe e shteteve nacionale. Dhe në këtë drejtim gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme kam takuar ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës, Bullgarisë, Greqisë, Sllovakisë, Polonisë, Hungarisë, Maltës, Kroacisë, Letonisë dhe Lituanisë me qëllim që nga këto vende të sigurojmë mbështetje dhe zotim për liberalizimin e vizave”, është shprehur ministri Hoxhaj.

Ai gjithashtu ka theksuar se gjatë takimeve me zyrtarë të lartë të shteteve partnere ka diskutuar edhe për avancimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe NATO-së dhe për bashkëpunimin me organizata të ndryshme multilaterale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat