Thaçi vlerëson punën e Veliajt: Krenarë me “Tiranën e re"

Aktuale

Thaçi vlerëson punën e Veliajt: Krenarë me “Tiranën e re"

Më: 4 tetor 2016 Në ora: 12:39
Hashim Thaçi, Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti sot në një takim të veçantë Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Ndërsa i uroi Presidentit Thaçi mirëseardhjen në Tiranë, kryetari i Bashkisë së Tiranës vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona.

Ai e vlerësoi Presidentin Thaçi si një mik të Tiranës. 

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme sot që pritëm presidentin e Kosovës, mikun tonë Hashim Thaçin, mikun tim, mikun e të gjithë qytetarëve të Tiranës, është gjithmonë një kënaqësi. Kjo është shtëpia jote e dytë dhe jemi gjithmonë të lumtur të të presim në Tiranë”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës në fjalën e tij të mirëseardhjes. 

Ndërkohë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pasi falënderoi kryetarin e Bashkisë për mikpritjen shprehu vlerësimin e tij për transformimin që po pëson Tirana nën drejtimin e Veliajt.

“Faleminderit shumë kryetar! Edhe për mua është një kënaqësi e veçantë që sot takohem me mikun, vëllain, Kryetarin e Bashkisë në Tiranë, zotin Erion Veliaj, të cilin dëshiroj që ta uroj dhe përgëzoj për punën e tij të shkëlqyer, brilante dhe fantastike që po e bën për të ndryshuar dhe modernizuar Tiranën, që të gjithë ne njerëzve (që secilin prej nesh) të na bëjë të ndihemi mirë dhe shumë krenarë me “Tiranën e re”, me Tiranën europiane. Një Tiranë të cilën e kemi ëndërruar, shpresuar të gjithë, e këtë ëndërr të të gjithëve ne, po e bën realitet Erioni. E uroj dhe e përgëzoj, urimet më të mira!”, u shpreh Presidenti Thaçi në fjalën e tij.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat