66% e qytetarëve të pakënaqur me zhvillimet politike dhe ekonomike në vend

Aktuale

66% e qytetarëve të pakënaqur me zhvillimet politike dhe ekonomike në vend

Më: 6 tetor 2016 Në ora: 15:43
Pamje nga tryeza

Qytetarët janë shumë pak të informuar rreth Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) me Kosovën. Deklarohen se vetëm tre përqind e tyre kanë njohuri rreth MSA-së. Ndërsa qytetarët të cilët janë të pakënaqur me situatën politike dhe ekonomike në vend, nuk besojnë në implementimin e kësaj marrëveshje.

Kështu u tha në një tryezë të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) dhe Grupi për Studime Politike dhe Juridike, ku u prezantuan rezultatet e hulumtimit " Njohja e MSA së nga qytetarët dhe perceptimet e tyre".

Hulumtimi tregon se shqetësimet e qytetarëve në Kosovë, më së shumti kanë të bëjnë me zhvillimin e dobët ekonomik dhe papunësinë e lartë. Nga këto rezultate del se 66 për qind  e qytetarëve nuk janë të kënaqur me drejtimin ekonomik në të cilin po shkon Kosova. Qytetarët janë deklaruar se Kosova nuk është e gatshme ekonomikisht ta implementojë MSA- në. Po ashtu, 60 për qind e qytetarëve janë shprehur të pakënaqur me politikën e Kosovës.

Përndryshe, nga ky hulumtim del se qytetarët  e Kosovës janë pro-evropian dhe mendojnë që Kosova duhet të anëtarësohet sa më shpejtë në BE.

Leonora Kryeziu, drejtoreshë ekzekutive e PIPS tha se qytetarëve në Kosovë u duhet një fushatë vetëdijesuese e cila do t’u mësonte më shumë rreth procesit të MSA-së në raport me Kosovën.

Kryeziu: Qytetarët të painformuar për MSA-në

“Kjo marrëveshje kërkon që Kosova të implementojë një sërë reformash. Qytetarët e Kosovës kanë pak njohuri sa i përket përmbajtjes së saj. Hulumtimi tregon  se njerëzit  të cilët janë të pakënaqur  me zhvillimet politike dhe ekonomike, janë po ata të cilët mendojnë që Kosova  nuk është e përgatitur për implementimin e kësaj marrëveshje. Sugjerohet nga hulumtimi që Qeveria të punojë shumë në sundimin e  ligjit dhe me promovua zhvillimin ekonomik.  Ndër gjetjet e dyta është se qytetarët kanë tepër pak njohuri për përmbajtjen e MSA-së, andaj duhet të ketë më shumë fushatë vetëdijesuese “, tha ajo.

Ndërsa Gerrie Willems, ambasadore e Holandës në Kosovë, tha se  MSA është një mundësi  që Kosova të jetë më afër BE-së dhe të përmirësohet standardi i jetës së qytetarëve. Ajo tha se  Holanda është e interesuar t’i ndihmojë Kosovës, por se presin vullnet politik dhe reforma konkrete.

Willems: Nevojitet vullnet politik

“Për zbatimin e MSA-së nevojitet vullnet politik dhe shume përpjekje nga të gjitha palët e shoqërisë. BE dhe shtetet anëtare të saj janë duke e mbështetur Kosovën, që te vije deri tek zbatimi i saj. MSA do të ofroj një rast për përmirësim të sundimit të ligjit, dhe kjo mundëson ardhjen e kompanive, investimet e huaja direkte. Jam e lumtur që nga hulumtimi del se 88 për qind e njerëzve në Kosovë,  janë pro Evropian..  Me rendësi është për ne si shtete anëtare të BE-së të shohim se prania e BE-së në Kosovë  ka ndihmuar zhvillimin e vendit. Njerëzit nuk janë në dijeni për MSA-në. Duhet të behën më shumë gjëra dhe të ketë komunikim për t’i informuar për MSA-në. Brengosëse është se 66 për qind e qytetarëve s’janë të kënaqur me situatën politike. Dhe 66 për qind me situatën ekonomike. Këto rezultatet duhet të shërbejnë si një thirrje ose alarm &nbsp ;për tu zgjuar jo vetëm për  liderët politik, por dhe për akterët tjerë si shoqëria civile dhe qytetarët”, tha ajo.

Edhe Thomas Gnocchi, nga zyra e BE-së në Kosovë, tha se duhen më shumë aktivitete për rritur nivelin e vetëdijesimit të shoqërisë për këto procese.  

Gnocchi: Duhet vullnet politik

“Duhet të kemi më shumë aktivitete për rritjen e vetëdijesimit të qytetarëve për MSA-në. Për ne kjo është marrëveshje thelbësore. Për herë te pare kemi raporte kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së. Përmes kësaj kemi të drejta dhe obligime nga të dy palët. Puna e vërtetë në mes Komisionit Evropian dhe Qeverisë ende nuk ka filluar. Është proces i rëndësishëm. MSA  është një lloj mjeti dhe duhet ta shfrytëzoni maksimalisht. Duhet të ketë vullnet politik. Porosi për Qeverinë është që të përqendrohet në zhvillim dhe rezultate në zbatimin e MSA-së. Ky është prioritet kryesor i Qeverisë”, tha ai.

Ndryshe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) ka hyrë në fuqi me 01 prill 2016 dhe është marrëveshja  e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, që kërkon që Kosova të implementoj një sërë reformash në të gjitha sferat dhe afrimin e legjislacionit me atë të BE-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat