Thaçi me katër letra në adresë të drejtësisë së Kosovës

Aktuale

Thaçi me katër letra në adresë të drejtësisë së Kosovës

Më: 10 tetor 2016 Në ora: 15:24
Hashim Thaçi

Jam këtu të përgëzoj sistemin e drejtësisë në vend për punën e suksesshme në vitet e fundit, me këto fjalë ka nisur konferencën e sotme për media, presidenti Hashim Thaçi.

Ai tha se falë këtij sistemi të drejtësisë që kemi sot, është ngrit një sistem i konsoliduar i gatshëm të përballet me sfidat në vendin tonë.

“Sistemi i drejtësisë është ngritur hap pas hapi. Falë kësaj pune çdo ditë e më shumë po shohim veprime konkrete të instalimit të drejtësisë dhe rendit e ligjit. Këto të arritura po njihen edhe nga BE që tashmë e ka dorëzuar tek organet vendore gati krejt kompetencat që i ka pas dikur”, ka thënë Thaçi.

Duke përmendur bartjen e kompetencave, nga ndërkombëtarët tek vendorët, dhe ndihmën që të huajt dhanë në Kosovë, Thaçi tha se me bartjen e kompetencave tek vendorët tani përgjegjësia jonë është më e madhe për të vënë drejtësi në ngjarjet e kaluara.

Sot i kam dërguar katër letra në adresë në KPK-së dhe zyrës së Prokurorit për të ngritur vëmendje për disa raste që shqetësojnë gjithë  popullin e Kosovës, ka thënë presidenti i Kosovës, duke përmendur radhazi rastet që kërkohet të kenë vëmendje të veçantë në zbardhjen e së vërtetës për to.

“Në letrën e parë, kam kërkuar hetime për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, siç është masakra kundër familjes Jashari, masakra e Reçakut, Mejës, Dubravës, Qyshkut, Lubeniqit, apo kudo tjetër ku kanë ndodhur”, ka thënë i pari i shtetit.

Në letrën e dytë, Thaçi tha se ka kërkuar që organet e drejtësisë të merren me krimet serioze që janë kryer menjëherë pas luftës, apo edhe më vonë, siç janë vrasja e vëllezërve Bytyqi, atentati ndaj Ibrahim Rugovës, etj.

Në letrën e tretë, Thaçi deklaroi se ka kërkuar nga organet e drejtësisë që t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë dhunës seksuale të ushtruar ndaj vajzave dhe grave të pambrojtura gjatë viteve të luftës në Kosovë, 1998-1999. “Kjo plagë është mbajtur e heshtur mjaftë gjatë, ka thënë presidenti, duke kërkuar që të zbardhet e vërteta dhe autorët të dihen me emra e mbiemra.

Në letrën e tij të katërt, Hashim Thaçi ka njoftuar se ka inkurajuar zyrën e prokurorit të Shtetit që vëmendje të veçantë t’i kushtojë rasteve të siç i tha ai ‘kultit islam e katolik.

“Mbi 200 objekte të fesë islame dhe kishës katolike janë dëmtuar në mënyrë sistematike, nga policët të urdhëruara nga shteti i Serbisë”, ka dhënë këtë fakt Thaçi, duke e thirrur drejtësisë që të merret me rastet veç e veç dhe t’i sjell ata para drejtësisë.

“Kam besim të plotë se organet e drejtësisë në vendin tonë mund tu japin përgjigje të gjithë këtyre rasteve dhe të tjerave. Nëse është e nevojshme do të ndaj mjete shtesë për ekspertizë të këtyre rasteve deri në zbardhjen e tyre. Gjë që do të rezultonte edhe me fuqizimin e besimit në këto institucione”, ka thënë në fund të fjalës së tij presidenti Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat