Rrëfimi ekskluziv i babait të dëshmorit Ilir Mërturi – Ëndrrën e të birit që tani po e realizon nipi

Aktuale

Rrëfimi ekskluziv i babait të dëshmorit Ilir Mërturi – Ëndrrën e të birit që tani po e realizon nipi

Më: 14 tetor 2016 Në ora: 09:36
Ilir Mërturi

Ilir Mërturi, pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ra dëshmor me 29 janar 1999 në Rugovë të Hasit.

Ditën që Iliri, bashkë me 16 pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, u nisën për tu furnizuar me armatim në Shqipëri, rrugëtimin e tij e ndalën forcat policore serbe. Ata u ndalën në tri prita gjatë këtij rrugëtimi.

Prita e parë në të cilën mbetën të vrarë dy nga shokët e Ilirit ishte në Bishtazhen.

Prita e dytë ishte në Godel, në kufirin me Shqipërinë, ku po ashtu mbeten të vrarë 3 shokë të Ilirit.

Dhe në pritën e tretë ishte ushtarët e lirisë ranë në Rugovë të Hasit, njëherësh edhe vendi ku ra dëshmor edhe Iliri dhe 9 pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Infokusi.

Rrëfimin babai i Ilirit e fillon me emocione të shumta dhe me lot në sy.

Ai tregon ngjarjen rrëqethëse që nga dëshira e Ilirit që të pranohej në Akademinë Ushtarake në Shqipëri e deri tek rivarrimi i tij bërë 6 vite pas vdekjes së tij.

“Iliri që i vogël kishte dëshirën që të bëhej ushtar. Ai në moshën 18 vjeç konkurroi në Akademinë Ushtarake në Republikën e Shqipërisë, por nuk pati fatin që të pranohej.

Dëshira e tij ishte e madhe që të përfundonte Akademinë Ushtarake dhe nuk u ndal me kaq. Ai arriti të bëhej Oficer në Jugosllavi me gardën nënkolonel.

Pas përfundimit të shkollës në Akademinë Ushtarake në Jugosllavi, Iliri vazhdoj rrugën si pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Iliri u nis bashkë me shokët për në Shqipëri për tu furnizuar me armatim dhe kjo ishte hera e tretë që ky grup i pjesëtarëve të UÇK-së po merrte këtë rrugë për furnizim”, shprehet Rexhep Mërturi.

Image
Babai i Ilirit, Rexhep Mërturi

Tutje, rrëfimin babai i Ilirit, Rexhepi e vazhdon me ditën e rënies dëshmor të djalit të tij.

“Me datën 29 janar u nis Iliri bashkë me shokët e tij për në Shqipëri, por rruga e tyre u ndal në gjysmë. Ai së bashku me shokët mbetën të vrarë nëpër pritat e vendosura të ushtarëve serb”.

Babai i Ilirit tregon se lajmin për rënien e djalit të tij e mori pas 3-4 ditësh dhe se nuk e kishte marrë të vërtet por atij i kishin thënë që Iliri ishte i plagosur dhe po trajtohej në një vend të sigurt.

“ Unë prita disa ditë  dhe kur pash që nuk ka asnjë lajm nga Iliri vendosa që të nisi kërkimet për të.  Me ndihmë e një tekniku që punonte në murg, Ali Berishës, më është mundësuar hyrja në murg .Por, tashmë të gjithë trupat e të vrarëve të tjerë ishin tërhequr nga murgu i Prishtinës dhe kishin mbetur vetëm dy. Doja të vërtetoja se mos njëri nga trupat e të mbeturve në murg ishte trupi i djalit tim . Pasi shkova pash që aty nuk ishte iliri”, vazhdon rrëfimi i Mërturit.

Këto dy kufoma ishin varrosur në varrezat e Prishtinës si persona të paidentifikuar.

Pothuajse kishin kaluar 6 vite dhe babait të Iliri i ishin shuar të gjitha shpresat që të gjente eshtrat e djalit të tij, ai kishte menduar që të bënte ADN-në, të gjithë atyre që kishin rënë bashkë me Ilirin atë ditë.

“Mas 6 vitesh kërkimi mu sosën të gjitha shpresat se do gjeja trupin e djalit tim, mendova një gjë të fundit. Të bëja ADN-në trupave që ranë atë ditë dëshmor bashkë me Ilirin, shprehet Rexhepi.

Për tu bërë kjo analizë kishin pranuar edhe të gjithë familjarët e tjerë të shokëve të Ilirit. Me ndihmën e KFORI-t analiza e ADN-së është bërë në Tuzëll të Sarajevës. Dhe pas 2 muaj pritje kishin dal rezultatet dhe ishte gjetur se trupi i Ilirit ishte varrosur në Ratkoc të Rahovecit.

Familja e dëshmorit tjetër Sahit Krasniqit e kishin marrë trupin e Ilirit duke menduar që ishte i vëllait të tyre, pra Sahitit.

Me pëlqimin e familjes Krasniqi, trupi i  Ilirit ishte zhvarros nga varrezat e Ratkocit dhe ishte dërguar për analizë të ADN-së në murg. Kjo u bë e mundur edhe fal ndihmës së KFORI-t.

“Pasi daljes së analizës së ADN-së dhe vërtetimit që trupi i Ilirit ishte varrosur në Ratkoc doja edhe më shumë ta dija që kjo ishte e vërtetë. Me pëlqimin e familjes Krasniqi, një herësh I falënderoj sinqerisht për mirëkuptimin që kishin treguar për këtë rast, trupi i Ilirit u dërguar për obduksion, shton tutje babai i dëshmorit, Iliri Mërturit.

Pas analizave të dala u vërtetua se trupi i Sahit Krasniqit, dëshmorit që ishte menduar që ishte Ilir Mërturi, doli se Sahiti ishte i varrosur në Prishtinë si dëshmor i paidentifikuar.

Dhe pas përfundimit të gjithë këtij rrugëtimi Ilir Mërturi u rivarros më 14 tetor 2005 në varrezat e dëshmorëve në “Kodrën e Kuqe” të komunës së Klinës, me nderime ushtarake.

Pra, nesër familja e Ilirit bënë homazhe te varri i tij sikur çdo vit tjetër.

Image

Ilir Mërturi u shpall Dëshmor  i Zonës Dukagjini, për të cilën ka edhe mirënjohje dhe dekorata nga shoqatat e dala të luftës dhe nga Kuvendi Komunal i  Klinës.

Po ashtu Iliri ishte shpallur edhe qytetar nderi i Republikës së Shqipërisë, në komunën e Lek Bibaj.

iliri ishte i lindur me 6 shtator të vitit 1970 dhe ishte 29 vjeç kur ra dëshmorë.

Iliri Mërturi la pas vetës djalin e tij ,Drinin, i cili këtë  vit është pranuar në Akademinë Ushtarake në Kosovë.

Babai i Ilirit shprehet se “ dhimbjen më të lehtë e kemi pasur këtë vit, pasi djali i Ilirit po vazhdon rrugën e babait të tij, pra në Akademinë Ushtarake në Kosovë dhe atë që Iliri nuk mundi ta bëjë po presim ta përfundoi Drini 18 vite pas humbjes së tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat