Hashim Thaçi, fajtori kryesor për dështimin e dialogut me Serbinë

Aktuale

Hashim Thaçi, fajtori kryesor për dështimin e dialogut me Serbinë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 tetor 2016 Në ora: 08:41
Hashim Thaçi

“Fajin për dështimin e këtij dialogu dhe moszbatimin e tyre nga ana e Serbisë e mban Hashim Thaçi, sepse Kosova pavarësisht që nënshkruajti gjithë ato marrëveshje, edhe pse shumica ishin në dëm të interesave të saj, e në dobi të Serbisë, prapë se prapë nuk përfitoi asgjë”, theksoi Krasniqi.

Gjendja e krijuar së fundi në Kosovë, ku pas miratimit të ligjit për Trepçën dhe arrestimit te Nehat Thaçit, ka bërë që raportet mes Kosovës dhe Serbisë të shkojnë drejt një përkeqësimi edhe më të madh, duke bërë që situata mes dy vendeve të tensionohet dhe më shumë.

Analistët njohjen reciproke midis dy vendeve e shohin si zgjidhje.

Analisti, Faik Krasniqi, thotë se kjo gjendje mes vende është si pasojë e Kosovës e cila nuk i ka bërë kushte menjëherë Serbisë.

Krasniqi, thotë se në bisedimet që janë zhvilluar dhe po zhvillohen në Bruksel, Kosova ka hyrë pa kushte dhe kjo gjë ia ka mundësuar Serbisë ta luajë rolin e viktimës.

“Në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel tash e sa vite me ndërmjetësim të BE-së në mes të Kosovës dhe Serbisë, Kosova hyri pa asnjë kusht. Vërtetë për çudi kur dihet se Serbia që një kohë të gjatë është duke luajtur rolin e viktimës, ndërsa në realitet Kosova ishte viktimë e luftës dhe e pasluftës” shprehet Krasniqi.

Sipas tij, tensionet në rajon do të uleshin nëse Kosova duhet t’i vëj kushte Serbisë ose të ndryshohet formati i bisedimeve.

Ai shtoi Hashim Thaçi është fajtor për dështimin e këtij dialogu dhe për shumicën marrëveshjet të nënshkruara me Serbinë që sipas Krasniqit  janë në dëm të Kosovës dhe në dobi të Serbisë.

“Kushti i parë do të duhet të ishte njohja reciproke e të dyja vendeve, kështu që do të ishim të barabartë në këto bisedime. Kushtet tjera do të duhej të kërkim falje për viktimat e luftës dhe dëmshpërblimet e luftës. Por, fatkeqësisht nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra, dhe fajin për dështimin e këtij dialogu dhe moszbatimin e tyre nga ana e Serbisë e mban Hashim Thaçi, sepse Kosova pavarësisht që nënshkruajti gjithë ato marrëveshje, edhe pse shumica ishin në dëm të interesave të saj, e në dobi të Serbisë, prapë se prapë nuk përfitoi asgjë. Madje as liberalizimin e vizave deri më tash. Kurse, Serbia fitoi gjithçka. Duke filluar nga të mirat ekonomike e deri tek statusi kandidat për BE. Prandaj, duhet të ndërrohet formati i bisedimeve me Serbinë, në mënyrë që ajo t'i zbatojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, e pastaj të vazhdohet me bisedime të mëtutjeshme, por për çdo marrëveshje të nënshkruar atje, së pari zbatueshmëria e saj” thekson Krasniqi.

Sipas, Krasniqit, tensionet Kosovë-Serbi, do të uleshin edhe nëse Brukseli i bën presion Beogradit sepse pa normalizimin e këtyre vendeve nuk do të ketë stabilitet në rajon.

Gjithashtu, stabiliteti në rajon sipas analistit do të arrihet edhe nëse do të ketë njohje reciproke midis vendeve.

“Vetëm kështu do të uleshin tensionet Kosovë-Serbi, por kuptohet me presion e Brukselit drejt Beogradit, e jo duke u përkëdhelur pafundësisht Serbia nga ana e BE-së, sepse pa normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, s'do të ketë as stabilitet në rajon. Dhe në fund të bisedimeve, duhet bërë që të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke!” pohoi Krasniqi.

Ndërsa, analisti politik Blerim Burjani, thotë se gjendja në rajon është stabile dhe nuk mund të prodhojë pasoja për momentin.

“Jo gjendja është stabile, ka vetëm zbrazje me fjalor të njohur politik kundër Kosovës, por kjo s’mund të prodhojë pasoja për momentin dhe në ketë kohë dhe zhvillime” pohon Burjani.

Ai shton se Serbia është tregues i keq për paqen në regjion që kohë pas kohe e rëndon situatën apo e tension mirëpo duhet gjetur një dialog që ajo ta njoh shtetin e Kosovës.

“ Serbia është tregues i keq për paqen në regjion, që kohë pas kohe e rëndon mjaftë shumë situatën apo tension, duket e ketë dialog në Bruksel dhe Serbia pa e njohur kurrë nuk do ta lë rehat shtetin e Kosovës” potencon Burjani./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat