‘Nuk kam qenë në vijën e parë të frontit’, Hashim Thaçi kërkon shpëtimin nga Gjykata Speciale

Aktuale

‘Nuk kam qenë në vijën e parë të frontit’, Hashim Thaçi kërkon shpëtimin nga Gjykata Speciale

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 18 tetor 2016 Në ora: 11:37
Hashim Thaçi

“Hashim Thaçi vite më parë në një intervistë për EuroNews, e ka pranuar se roli i tij në luftën çlirimtare nuk ka qenë në vijën e parë të frontit dhe se lufta e tij ka qenë politike. Kjo nënkupton që ai me këtë deklaratë e ka hequr barrën nga vetja e tij, për çdo akuzë eventuale që do të mund të ngarkohej nga Gjykata Speciale”, thekson Krasniqi për “Bota sot”.

Gjykata Speciale, e cila është votuar në parlamentin e Kosovës, me shumicë votash nga deputetët e Kuvendit, ende nuk ka filluar funksionimin e saj, ku tashmë dihet që selia e saj do të jetë në Holandë.

Deri të themelimi i kësaj Gjykate erdhi pas aktakuzave të bëra nga diplomatit zviceran, Dick Marty, i cili akuzon krerët e UÇK-së, për krime lufte.

Po ashtu është bërë e ditur që kjo gjykatë do të merret edhe me hetimin e vrasjeve te pasluftës, të cilat cilësohen vrasje politike që janë bërë kryesisht ndaj anëtarëve te Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gjithashtu, ditë më parë presidenti aktual, Hashim Thaçi, duke ju drejtuar përmes katër letrave prokurorisë, në mesin e tyre kërkoi zbardhjen e vrasjeve të pasluftës dhe atentatin ndaj ish presidentit Ibrahim Rugova.

“Në letrën e dytë sugjerova që vëmendje t’i kushtohet edhe më shumë krimeve serioze të kryera menjëherë pas luftës apo në vitet më vonë siç është vrasja e vëllezërve Bytyçi në qershor ’99, përpjekja për atentat kundër ish presidentit Ibrahim Rugova në mars 2005 si dhe vrasja e një numri të personaliteteve publike”, kishe thënë Hashim Thaçi në konferencën për media.

Ndërsa, në opinionin publik, ky adresim i Thaçit, bash në prag të fillimit të funksionalizimit të Gjykatës Speciale, në Kosovë shihet si tendencë e tij që t’i ikë përgjegjësisë dhe të shpëtoj veten nga Gjykata Speciale.

Analisti, Faik Krasniqi, për gazetën “Bota sot”, thotë se ekziston mundësia që akuzat e para nga Gjykata Speciale të ngrihen zyrtarëve të lartë të skenës politike në vend, mirëpo kjo gjë mbetet të shihet kur pritet të bëhen aktakuzat e para, duke theksuar se nuk beson që presidenti Hashim Thaçi, do të jetë në listën e të akuzuarve, pasi sipas tij pikërisht veprimet e tij e kanë sjellë këtë Gjykatë.

“Është raportuar në vazhdimësi se Hashim Thaçi është njëri nga ish udhëheqësit e UÇK-së ndaj të cilit do të ngritët aktakuzë nga Gjykata Speciale. Ekziston mundësia që akuzat e para nga Gjykata Speciale të ngrihen ndaj disa zyrtarëve të lartë të skenës politike në vend. Kjo gjë mbetet të shihet kur pritet të bëhen aktakuzat e para, në lidhje me dyshimet për krimet e kryera nga ish-ushtarët e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë. Mirëpo, unë nuk besoj që Hashim Thaçi do të preket nga kjo Gjykatë, pasi pikërisht veprimet e tij e kanë sjellë këtë gjykatë të padrejtë ndaj vendit tonë”, thekson Krasniqi.

Sipas tij, vetë Thaçi, më herët ka pranuar se nuk ka qenë në vijën e fronit, duke hequr barrën nga vetja e tij.

“Hashim Thaçi vite më parë në një intervistë për EuroNews, e ka pranuar se roli i tij në luftën çlirimtare nuk ka qenë në vijën e parë të frontit dhe se lufta e tij ka qenë politike. Kjo nënkupton që ai me këtë deklaratë e ka hequr barrën nga vetja e tij, për çdo akuzë eventuale që do të mund të ngarkohej nga Gjykata Speciale”, theksoi Krasniqi për “Bota sot”.

Kujtojmë se Hashim Thaçi në kohën sa kishte qenë kryeministër i Kosovës, e kishte pranuar në EuroNews se roli i tij në luftën çlirimtare nuk ka qenë në vijën e parë të frontit.

“Unë kam qenë larg fronteve të luftës. Lufta ime ka qenë politike. Ne e kemi mundur Serbinë bashkë me bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo ka qenë fitore e madhe”, ka thënë Thaçi kur është pyetur nëse ka vrarë vetë ose ka dhënë urdhër për të vrarë dikë.

Ndërsa ditë më parë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj, kishte deklaruar se kjo është një lojë e Thaçit, i cili në këtë mënyrë dëshiron të shpëtoj lëkurën e tij.

“Unë kam thënë se letrat e Thaçit janë thjesht një lojë, nuk ka asgjë serioze dhe të sinqertë aty, sepse ai nuk ka të drejt ligjore me i thënë Prokurorisë se kur me i nis hetimet. Thaçi me ketë dëshiron me pshtue lëkuren e tij, këtu e ka hallin ai, qe me pshtue nga Gjykata Speciale, ka pshtue gjithmonë tu e i çue njerëzit e tij nëpër burgje. Ky është çmimi për shpëtimin e lëkurës se tij”, tha Salihaj, duke shtuar se Thaçi ka qenë në krye të organizimeve politike dhe ushtarake, strukturat e të cilave kanë kryer vrasje.

Ndërsa, Naser Rugova, anëtarë i LDK-së dhe familjar i presidentit Rugova, theksoi se të hapet tema e atentatit ndaj Rugovës dhe  vrasjeve të pasluftës, në prag të fillimit të veprimit të Gjykatës Speciale, është shenjë se diçka serioze do të lëvizë në këtë drejtim.

“Presidenti aktual, sigurisht që ka informata pasiqë nga kjo pozitë institucionale ka dërguar letër për këtë temë mjaft serioze, dhe pyetjet dhe supozimet që i ka parashtruar le t’iadreson te prokuroria dhe organet e drejtësisë. Ta hapësh këtë temë tani, në prag të fillimit të veprimit të Gjykatës Speciale, sigurisht që diçka serioze do të lëvizë në këtë drejtim.  Presidenti aktual duhet të jetë më konkret në aludimet e tij dhe pyetjet e parashtruara, pasi kjo do i ndihmonte shumë prokurorisë; dhe do isha shumë i lumtur që ky rast të zbardhet dhe që shpata e drejtësisë t’i godasë kriminelët”, ka deklaruar Rugova.

Kurse, kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Gazmend Islami, adresimin e letrave të Thaçit e quan një lojë të tij.

“Me këtë lojë të ndytë, do të fillon ndonjë proces për një x person të mjerë që ka bërë ndonjë vrasje, a kurrë urdhërdhënësit nuk dalin para drejtësisë, mos të na shet karrem ky injorant që është i implikuar”, ka thënë Islami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat