Në prag të Speciales, ‘aventura’ me letra e Hashim Thaçit

Aktuale

Në prag të Speciales, ‘aventura’ me letra e Hashim Thaçit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 tetor 2016 Në ora: 11:33
Hashim Thaçi

“Letrat e aventuerit Thaçi drejtuar institucioneve të drejtësisë ishte një aventurë e radhës për ta fyer edhe më rëndë drejtësisnë në Kosovë. Për ta ridëshmuar se këtu nuk nuk ka drejtësi por kapo mbi drejtësi siç është puna e këtij njeriu”, thotë Kelmendi.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i kishte dërguar katër letra në adresë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Në këto letra, ai ka kërkuar nevojën për t’u marrë me krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës, pasluftës, në të cilat  ka kërkuar t’i kushtohet vëmendje krimeve siç ishte përdhunimi i personave si dhe ka inkurajuar që organet e drejtësisë t’i kushtojnë rëndësi zbardhjes së vrasjeve politike në Kosovë, duke përfshirë atentatin ndaj presidentit Rugova.

Menjëherë pas dërgimit të këtyre letrave, ka pasur replika të ndryshme për këtë veprim. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kishte cilësuar hipokrit presidentin Thaçi, për kërkesat e tij dhe këtë veprim e quajti të vonuar.

Disa e kanë quajtur veprim të duhur, ndërsa disa thonë se këto vrasje do të jenë cak i Gjykatës Speciale.

Analistët hedhin poshtë këto pretendime duke thënë se Gjykata Speciale nuk duhet të mirret me ato vrasje.

Analisti, Jeton Kelmendi, letrat e presidentit i quan si një aventurë e radhës e cila e fyen sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe sipas tij Gjykata Speciale nuk do të mirret me këto çështje.

“Letrat e aventuerit Thaçi drejtuar institucioneve të drejtësisë ishte një aventurë e radhës për ta fyer edhe më rëndë drejtësisnë në Kosovë. Për ta ridëshmuar se këtu nuk nuk ka drejtësi por kapo mbi drejtësi siç është puna e këtij njeriu”.

Kelmendi, thotë se BE-ja ka kërkuar në takimet me zyrtarët e shtetit, Kryeministrit Mustafa, presidentit Thaçi dhe kryeparlamentarit Veseli që të bëhet arrestimi i një numri të caktuar të njerëzve të cilët kanë pozicionet e larta politike, mirëpo sipas Kelmendit BE-ja dhe Gjykata Speciale nuk do t’i ndjek këto vrasje politike.

“Mendoj se BE-ja edhe zyrtarisht i ka kërkuar por edhe në takimet me zyrtarët e shtetit nga Kryeministri Mustafa, presidenti Thaçi dhe kryeparalemtari, Veseli i është kërkuar se duhet të bëhet një arrestim i një numri të caktuar të kapove të cilët kanë pozicionet e larta politike prandaj këto arrestime madje kanë qenë edhe kusht për liberalizim, mirëpo BE-ja dhe Gjykata Speciale nuk besoj që  do t’i ndjek shumë këto vrasjet politike” shprehet Kelmendi.

Sipas tij, kjo është një çështje që manipulohet dhe ata luajnë me atë çështje.

“ Është një çështje me të cilën manipulohet, duhet të ndjekur rastet e krimit ekonomik, ordiner, duke filluar nga kapoja Thaçi, Veseli, Mustafa etj dhe këta nuk dijnë se cili tjetrin ta çojë në burg në Gjykatën Speciale, prandaj tërhiqen dhe luajnë pink-pong me çështjen e burgosurve politik, prekin emocionet e familjarëve të këtyre viktimave,dhe merren me çështje sekondare, primare është ndjekja e njerëzve  të korruptuar” theksoi Kelmendi.

Ndërsa, analisti, Islam Krasniqi, thotë se Gjykata Speciale nuk e ka mandatin t’i hetojë vrasjet e pasluftës.

“Gjykata Speciale nuk e ka mandatin që t’i hetojë të gjitha vrasjet që kanë ndodhur pas luftës, mandati i saj është që t’i gjykojë krimet që pretendohet se janë kryer në vitin 1999-2000 nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe kundërshtarëve politikë” u shpreh Krasniqi.

Krasniqi thotë se liderët kanë dalë me deklaratat e tilla vetëm për t’i mbushur hapësirat e mediave  mirëpo sipas tij këto veprimet e tyre janë zero. Krasniqi theksoi se nuk janë duke u zbardhur vrasjet që ende janë të freskëta prandaj nuk mund të zbardhen vrasjet e pasluftës.

“Ditëve të fundit edhe nga liderët tanë kanë dalur me disa deklarata bombastike të cilat ishin vetëm për t’i mbushur hapësirat e portaleve apo edhe televizionev, sepse veprimet e tyre janë zero,  sepse ata gjatë mandatit të tyre  s’kanë mundur t’i zbardhin as vrasjet që i kanë ende janë të freskëta e e po flasin për ato të pas luftës” thotë Krasniqi.

Ai u shpreh se nuk i beson shumë Gjykatës Speciale dhe sipas tij ajo është një produkt i njëjtë me ato që ishin më herët.

“Nuk i besoj shumë kësaj Gjykate, sepse është pjesë apo produkt i njëjtë me ato që ishin me herët , si UNMIK-EULEX-it,  që dështuan tërsisht dhe harruan pse kanë ardhur në Kosovë. Mirëpo nëse kjo Gjykatë vërtet dëshiron të punojë në bazë të ligjit, mund t’i hetojë disa raste të vrasjeve me motive politike, që kanë ndodhur gjatë vitit 1999-2000” theksoi Krasniqi.

Edhe analisti, Ismet Haziri, thotë se Gjykata speciale duhet të mirret me krimet e pasluftës.

“Nëse duhet të veprojë Gjykata speciale duhet pikërisht  fokusin e saj ta drejtojë për krimet e pasluftës dhe kriminalitetin ekonomik të cilat i kanë shkaktuar shumë dëme imazhit të Kosovës dhe pengesë serioze në agjendat e integrimeve euroatlantike dhe zhvillimit ekonomik” pohon Haziri.

Ai thekson se debatet e fundit duhet të jenë më të përgjegjëshme dhe nuk duhet bërë spekulime mirëpo duhet pritur rezultatet e proukrorisë.

“Sa i përketë përfshirjes së debatit dhe temave konspirative në lidhje me vrasjet e pasluftes, konsideroj se palët e përfshira në këto debate duhet të jenë të përgjegjeshme për fjalën publike duke mos pretenduar që të promovohen me ngjarje jo të këndshme për Kosovën dhe as për familjarët. Rastet mund të jenë të veçanta dhe me motive të ndryshme, pra si shoqëri nuk guxojmë të shkojmë drejt ekstremeve me spekulime, por duhet te priten rezultatet e prokurorisë e cila duhet të t’i trajtojë në mënyre ligjore dhe profesionale” u shpreh Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat