Dinosha dorëzon kredencialet, Thaçi flet për marrëdhëniet e shkëlqyera me Malin e Zi

Aktuale

Dinosha dorëzon kredencialet, Thaçi flet për marrëdhëniet e shkëlqyera me Malin e Zi

Më: 24 tetor 2016 Në ora: 16:02
Foto

Kosova dhe Mali i Zi po vazhdojnë të mbajnë marrëdhënie të mira, pavarësisht mospajtimeve për disa çështje. Deri më tani Podgorica kishte refuzuar të dërgojë një ambasador në Kosovë, derisa kishte marrë premtimin se malazezët do të përmenden në Kushtetutën e Kosovës. Ndërkohë, pavarësisht se në raportet Prishtinë – Podgoricë, po rëndon tema e Demarkacionit, Mali i Zi ka emëruar politikanin e njohur shqiptar Ferhat Dinosha, në rangun e ambasadorit, i cili të hënën ka dorëzuar letrat kredenciale te Presidenti i Kosovës.

Për ta pritur ambasodorin e ri, Thaçi ka nxjerrë edhe togun ceremonial të FSK-së, derisa ka shprehur kënaqësinë që Mali i Zi ka ngritur përfaqësimin në nivel ambasadori në Kosovë.

“Marrëdhëniet me Malin e Zi janë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore”, u shpreh Presidenti Thaçi.

“Mali i Zi ka marrë vendimin më të drejtë kur ka njohur Kosovën, përkundër presioneve që kishte, si dhe vazhdon të përkrahë Kosovën në të gjitha organizatat dhe forumet ndërkombëtare dhe për këtë jemi mirënjohës”, ka thënë Presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, ambasadori i Malit të Zi, Ferhat Dinosha, u shpreh se do të “punojmë të thellojmë bashkëpunimin në mes dy vendeve” dhe të promovojmë “paqen, stabilitetin, bashkëpunimin, fqinjësinë e mirë dhe integrimin në NATO e BE për tërë rajonin”.

Presidenti Thaçi i shprehu përkrahjen e tij ambasadorit Dinosha për thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve në të gjithë sektorët.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat