Realizim i projektit me Thaçin, Veseli e do postin e kryeministrit

Aktuale

Realizim i projektit me Thaçin, Veseli e do postin e kryeministrit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 25 tetor 2016 Në ora: 08:36
Foto arkiv, Hashim Thaçi e Kadri Veseli

Zërat për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Kosovë po shtohen çdo ditë e më shumë.

Ndonëse kryeministri i vendit Isa Mustafa disa herë ka deklaruar se zgjedhjet e reja do të mbahen në afatin e paraparë më 2018, përfaqësues të koalicionit PDK-LDK në pushtet, nuk e përjashtojnë mundësinë që ato të mbahen sivjet për shkak të krizës politike që ka kapluar vendin tash e disa muaj.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së,  Kadri Veseli, së fundmi ka deklaruar se nuk do të bëhet “kiameti” edhe po të shkon vendi në zgjedhje, por kjo sipas tij, do të duhej të ndodhë me një marrëveshje politike mes partive kryesore parlamentare.

“Sa i përket koalicionit, koalicioni është stabil, koalicioni mund të qëndrojë shumë mirë dhe në mënyrë korrekte deri në vitin 2018, kemi komunikim jashtëzakonisht parimor me partnerin e koalicionit”, deklaroi Veseli pas mbledhjes së fundit të Kryesisë së Kuvendit.

Por, ky propozim i tij nuk i pëlqeu kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri, i cili ka theksuar se Qeveria nuk është e një partie politike por është e një koalicioni, kështu që sipas tij, kryetari i PDK-së e ka thënë një mendim të vetin.

Ndërkohë, analistët politik në vend vlerësojnë se zgjedhjet e parakohshme, ndonëse nuk do të ndodhin deri kah mesi i vitit të ardhshëm, do t’i shkonin për shtati më së shumti PDK-së.

Ata nuk e mohojnë mundësinë që Veseli është duke punuar në gjetjen e një strategjie për të ardhur deri tek posti i kryeministrit, duke e bërë të mundshëm kështu realizimin e projektit të tij me Hashim Thaçin, njëri president e tjetri kryeministër.

Analisti politik, profesor i së drejtës, Muhamet Kelmendi konsideron se zgjedhjet më së shumti i konvenojnë PDK-së, por sipas tij, ato nuk ka mundësi të mbahen deri në pranverën apo vjeshtën e ardhshme.

Ai thotë se nuk ka fije dyshimi se Veseli e pretendon pozitën e kreut të Qeverisë, megjithatë zhvillimet e ardhshme do të varen shumë nga puna e Gjykatës Speciale.

“PDK po pret stabilizim politik sa i përket demarkacionit, si dhe përcaktimit jurdik të Asociacionit, në mënyrë që të prishet koalicioni. Ky nuk ka jetë të gjatë. Deklarata e Veselit e provon këtë. Natyrisht, zgjedhjet janë pozitive. Ato krijojnë koalicione të reja dhe ndikojnë pozitivisht në zhvillimet politike në vend”, ka thënë Kelmendi për Bota Sot.

Politologu Arsim Haziri, në një prononcim për gazetën Bota Sot, konsideron se Kadri Veseli gjithnjë e më shumë kohëve të fundit është duke shfaqur synimet e sëmura rreth politikës.

Ai thotë se deklarata e fundit e tij rreth zgjedhjeve si opsion fundamental drejt shmangies së krizës, është tentim për të synuar postin e kryeministrit.

“Mjafton t’i hidhesh një sy logjik tërë diskursit të tij politik dhe pastaj të kuptosh mirë diagnozën e tij, që në masë të madhe lidhet me postet institucionale”, ka thënë Haziri.

Por, sipas tij, ky veprim, është tendencë në përkthim ndaj synimeve të tij politike dhe larg nevojave dhe mirëqenies së përgjithshme qytetare.

“Subjekti i cili është edhe sinonim i krimit dhe shfrytëzimit të aseteve, pretendimin e arritjeve të personave në karrierë politike e ka thuajse si kulturë ose thelb të partisë së tyre. Vija e tyre nuk i përgjigjet qytetarit, por nevojave klanore e grupore dhe synimet rreth pushtetit tashmë janë përgjithësisht të kuptuara”, ka theksuar Haziri për Bota Sot.

Se zgjedhjet në këtë kohë i shkojnë për së shtati PDK-së dhe se Veseli ka synim postin e kryeministrit, e pohon edhe politogu Islam Krasniqi.

Ky i fundit, ka thënë për Bota Sot, se koalicionit qeverisës i ka ardhur fundi, duke vlerësuar se PDK-ja ka përçarë dhe ndarë në dy pjesë LDK-në.

“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherish edhe kryetar i PDK-së z. Veseli, e sheh se këtij koalicioni i ka ardhur fundi, dhe kërkon që të arrijë qëllimin e ka hershëm, për t’i fituar zgjedhjet dhe të marrë postin e të parit të Qeverisë, duke e bërë të mundshëm realizimin e projektit të tij me z. Thaçi, njëri president e tjetri kryeministër. Liderit të PDK-së i shkojnë për shtati zgjedhjet në këtë kohë, sepse e ka përqarë LDK-në brenda përbrenda partisë, ia ka humbur fuqinë, duke e ndarë në dy pjesë”, ka shtuar Islami.

Ndryshe, për zgjedhje të parakohshme, janë deklaruar tash e sa kohë edhe partitë opozitare, të cilat zgjedhjet i shohin si mundësinë e vetme për tejkalimin e krizës politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat