A duhet Kosova të hapë procesin e liberalizimit me SHBA-të, Kanadanë, Japoninë, Australinë dhe Zelandën e Re?

Aktuale

A duhet Kosova të hapë procesin e liberalizimit me SHBA-të, Kanadanë, Japoninë, Australinë dhe Zelandën e Re?

Ridvan Emini Nga Ridvan Emini Më 6 nëntor 2016 Në ora: 18:11
Foto ilustrim

Procesi i liberalizimit të vizave me Unionin Evropian për Kosovën, duket se është sa afër aq edhe larg realizimit. Liberalizimi i vizave, ishte njëri nga pretimet e elitës politike të vendit bërë vit pas viti, e ditë pas dite. Secila parti politike e cila mësynte garën për arritjen e pushtetit, ndër pikat e para të planë-programit qeverisës të tyre kishin për thuajse më shumë se një dekadë arritjen e liberalizimit të vizave me Unionin Evropian. Madje, edhe ato parti të cilat ishin larg mundësisë së kalimit të pragun zgjedhorë. Kështu, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës si një e drejtë dhe një mundësi bazike për ta, u shndërrua në një mit.

Partitë fituese të pushtetit, para disa vitesh kishin menduar që për arritjen sa më të shpejt të këtij procesi dhe integrimin e plotë të vendit në UE, të themelojnë edhe ministri të veçantë, pra Ministrinë e Integrimeve Evropiane. Në këtë ministri nuk mund të themi se nuk u punua, përkundrazi aty u punua jashtëzakonisht shumë, mirëpo si rezultate të prekshme në këtë drejtim kemi vetëm Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe UE-së, por jo edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Mos-liberalizimi i vizave po shihet me një sy kritik nga ana e liderëve politik të vendit, duke akuzuar UE-në për vënien e kritereve shtesë, të cilat kritere nuk kanë qenë për vendet  të cilat janë integruar në union por, edhe për ato që janë në proces të integrimit. Mirëpo, këtu duhet kujtuar se në raportin e progresit për Kosovën ishte cekur se vendi ynë karshi kritereve të realizuara kishte edhe disa kritere teknike të cilat i ka neglizhuar, gjë që pas destabilitetit politik të vendit, UE- kishte vendosur që të shndërroj demarkacionin me Malin e Zi në një kriter për liberalizim të vizave.

Por, shtrohet pyetja se a duhet merret Kosova vetëm me Unionin     Evropian sa i përket liberalizimit të vizave? Po, liberalizimi i vizave me Unionin Evropian është prioritet i prioriteteve, andaj edhe angazhimi për arritjen e këtij qëllimi duhet shtuar edhe më tej, përkundër sfidave, por paralelisht me këtë proces, Kosova nëpërmjet mekanizmave të saj duhet të hyjë edhe në marrëdhënie bilaterale me vende si SHBA-të, Kanadaja, Australia, Japonia, Zelanda e Re, etj., sa i përket liberalizimit të vizave. Një gjë e tillë do të ishte një mundësi e madhe për qytetarët e Kosovës.

Gazeta “Bota Sot” lidhur me këtë çështje ka kontaktuar me ambasadorin e Kosovës në Australi dhe Zelandë të Re, Dr.Sabri Kiçmari, i cili është shprehur se sa i përket liberalizimit të vizave me Australinë, Zelandën e Re dhe vendeve të tjera të Paqësorit, është krejtësisht ndryshe me atë të vendeve të Unionit Evropian.

“Situata me Australinë, Zelandën e Re dhe vendet tjera të Paqësorit është e ndryshme nga ajo me vendet e BE. Distanca e madhe gjeografike e determinon edhe procesin për liberalizimin e vizave. Numri i vizitave me Australinë dhe Zelandën e Re është i limituar në mënyrë të ndërsjellë”, është shprehur Kiçmari.

 Më tej ambasadori z.Kiçmari është shprehur se Kosova tashmë e ka shtruar në princip çështjen e vizave me Australinë dhe Zelandën e Re, mirëpo Australia ka specifikat e veta në këtë drejtim jo vetëm në raport me Kosovën, por edhe në raport me SHBA-të, shtetet e UE-së, por edhe me Mbretërinë e Bashkuar.

“Ambasada e Republikës së Kosovës e ka shtruar në princip edhe çështjen e vizave me këto vende. Përderisa Australia ka një sistem të sofistikuar dhe aplikon regjim vizash jo vetëm për vendet e BE-së, por edhe për SHBA-të e madje edhe për Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht se Mbretëresha Elisabeth II është shefe shteti edhe e Australisë. Ndërsa Zelanda e Re ka filluar ta liberalizojë regjimin e vizave me vendet e BE-së dhe besojmë se një gjë e tillë do të ndodh shpejt edhe me vendin tonë. Por, Australia dhe Zelanda e Re kanë një sistem shumë efektiv dhe eficient në përpunimin e kërkesave për viza. Ndërsa sa ju përket 14 vendeve tjera të Paqësorit, shumica absolute e tyre aplikojnë sistemin e “vizës në arritje”, gjë që vlen edhe për shtetasit tanë”, thekson ambasadori Kiçmari.

Ndërsa, ambasadori i Kosovës në Japoni, z. Leon Malazogu në pyetjen e gazetës është shprehur se pasi te hiqen vizat nga BE, ambasada e Kosovës në Japoni do të angazhohet që edhe Japonia të heq vizat për shtetasit e Kosovës,

“Sa i përket Ambasadës së Republikës së Kosovës në Japoni, pasi të heq BE-ja vizat për ne, gjithsesi do të shtojmë angazhimin që edhe Japonia të heq vizat për shtetasit e Kosovës”, është shprehur ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat