Thaçi: Vonesat e BE-së në liberalizim, po rrisin ekstremizmin fetar

Aktuale

Thaçi: Vonesat e BE-së në liberalizim, po rrisin ekstremizmin fetar

Më: 11 nëntor 2016 Në ora: 15:56
Pamje nga takimi Johannes Hahn dhe Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim komisionarin e Bashkimit Evropian për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn. Në këtë takim, presidenti Thaçi ka deklaruar se vonesat në procesin e liberalizimit dhe perspektivës evropiane po rrisin ekstremizmin politik e fetar.

Ai edhe një herë ka theksuar se vonesat që po i bëhen Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave janë të papranueshme.

“Këto vonesa që po shkaktohen nga BE-ja janë një padrejtësi historike ndaj popullit të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas një komunikate për media, presidenti Thaçi ka thënë se Kosovës padrejtësisht i janë shtuar kritere nga Bashkimi Evropian, vetëm për t’i arsyetuar vonesat e panevojshme dhe të dëmshme për perspektivën tonë nga ana e Brukselit.

Ai ka shtuar se Kosova nuk meriton kushtëzime të tilla në procesin e liberalizimit të vizave, meqë BE-ja ka mjaft mekanizma që kushtëzimin ta bëjë gjatë procesit të anëtarësimit.

“Kam frikë se dikush në BE e ka ngatërruar keq procesin për liberalizimin e vizave me procesin e anëtarësimit të Kosovës. Po harroni se Kosova nuk bëhet anëtare e BE-së në momentin që hiqen vizat”, ka thënë kreu i vendit në takim me komisionarin Hahn.

Presidenti ka thënë se shpeshherë e ka dëgjuar refrenin se BE-ja mëson nga gabimet e së kaluarës.

“Sikur kjo të ishte ashtu, atëherë cilët kufij u demarkuan nga Gjeorgjia apo Ukraina, nga të dyja këto vende që janë gati të marrin të drejtën e udhëtimit pa viza në BE në javët e ardhshme”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në takim me komisionarin Hahn, presidenti Thaçi ka theksuar se vonesat në liberalizimin e vizitave dhe në qartësimin e rrugëtimit evropian të Kosovës dhe Ballkanit po krijojnë hapësirë për fuqi të tjera që ta destabilizojnë rajonin. 

“Vonesat e tilla në procesin e liberalizimit dhe perspektivës evropiane po rrisin ekstremizmin politik e fetar dhe druaj se ky vakuum do të shfrytëzohet nga fuqi që nuk ia duan të mirën rajonit”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar komisionarin Hahn për ardhjen e tij në Kosovë, menjëherë pas publikimit të raportit të progresit.

“E mirëpres angazhimin tuaj personal dhe e vlerësojmë përkushtimin tuaj që të gjenden zgjidhje për të mbajtur dhe avancuar procesin e reformave evropiane”, ka thënë presidenti Thaçi.

***

Hahn nis takimet me liderët e Kosovës

Komisioneri për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit Johannes Hahn, po qëndron për vizitë në Kosovë.

Me këtë rast ai ka zhvilluar takim me  presidentin Hashim Thaçi.

Eurokomisioneri është takuar edhe me kryekuvendarin  Kadri Veseli ku ky i fundit I ka folur në gjuhën gjermane.

Në asnjë nga këto takime, nuk ka pasur prononcime për media.

Pos Thaçit e Veselit, Hahn do të takohet edhe me kryeministrin Isa Mustafa, zëvendësin e tij, Branimir Stojanoviq si dhe ministrin e punëve të jashtme  Enver Hoxhaj.

Kjo është vizita e parë e tij pas miratimit të Pakos për Zgjerim dhe vizita e tij do të jetë e fokusuar në lansimin e Agjendës së Reformave Evropiane.

Ai do t’a përmbyllë ditën me një takim së bashku me deputeten e Parlamentit Evropian Ulrike Lunaçek me të gjithë liderët e partive politike për të diskutuar nevojën për tejkalimin e krizës politike.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat