Media austriake: Politika fajtore për mos liberalizimin e vizave, problemi i kufijve te shqiptarët i ka rrënjët te Kanuni

Aktuale

Media austriake: Politika fajtore për mos liberalizimin e vizave, problemi i kufijve te shqiptarët i ka rrënjët te Kanuni

Fitim Dika Nga Fitim Dika Më 18 nëntor 2016 Në ora: 18:59
Ilustrim

Demarkacioni është stilizuar si problem kombëtar dhe ka ardhur deri te bllokimi i liberalizimit të vizave. Kush ka lexuar Kanunin (e Lek Dukagjinit - Fitim Dika), kupton ndjeshmërinë që kanë kufijtë për shqiptarët dhe se ky problem është i thellë në histori. “Vënia e gurëve për caktimin e kufijve është ngjashëm si loja me eshtrat e të vdekurve,” qëndron në Kanun. Prej gati një viti duheshte të ratifikohej marrëveshja e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, megjithatë opozita nacionaliste pretendon që territore të vendit i falen shtetit fqinj. Kauza që duhej të shërbente për liberalizim të vizave është kthyer në çështje patriotike. Qeveria ka dy të tretat e deputetëve, megjithatë nuk mund ta ratifikojë demarkacionin që do u mundësonte qytetarëve të Kosovës të shkojnë tre muaj si turistë në BE, shkruan fillimisht Der Standard.

Lunacek kërkon ratifikimin

Javën e shkuar zv.presidentja dhe raportuesja e Kosovës në parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, kërkoi që parlamenti i Kosovës të ratifikojë marrëveshjen duke përmendur edhe rrezikun e populistëve të djathtë në BE, si dhe “Bota nuk ka kohë të presë Kosovën”. Por pozita nuk është e gatshme të ratifikojë marrëveshjen që sipas gjasave do sjellte zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Edhe pse ekonomia e Kosovës do përfitonte mjaft nga liberalizimi i vizave, për shumë politikanë të Kosovës kjo as që përbën lajm. Në fillim të vitit të ardhshëm fillon Gjykata Speciale për të dyshuarit për krime lufte.  Disa udhëheqës partish dhe miqtë e tyre janë frikësuar nga gjykimet e mundshme. Katër partitë kanë dalur nga strukturat e UÇK-së, përcjell botasot.info.

Komunat serbe do kenë kod tjetër telefonik

Bisedimet dypalëshe mes Kosovës dhe Serbisë kanë arritur marrëveshjen e telekomunikacionit rreth kodit të ri telefonik (00383), që do u mundësonte edhe krijimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë. Këta të fundit do kenë kodin  e vet telefonik, të ndryshëm nga Kosova, ku do ishte hap i pari në krijimin, formulimin dhe statusin të komunave të përbashkëta serbe.

Urat do hapen

Kush udhëton në Mitrovicë shikon sesi ura e mbyllur disavjeçare e Ibrit tani është e lëvizshme dhe lidh veriun serb me jugun e qytetit që banohet nga shqiptarët.

Në fund artikulli përfundon me lajmin kryesor të këtyre ditëve ndër shqiptarë: autoritetet e Kosovës kanë arrestuar 19 persona që dyshohen për lidhje me Shtetin Islamik./Bota sot/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat