Hetimi i krimeve të SHIK-ut, prish koalicionin LDK-PDK

Aktuale

Hetimi i krimeve të SHIK-ut, prish koalicionin LDK-PDK

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 30 nëntor 2016 Në ora: 07:33
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Subjektet opozitare nuk kanë hequr dorë nga formimi i një komisioni parlamentar për hetimin e veprimtarisë së Shërbimit Informativ të Kosovës. Sipas opozitarëve, pa hetimin e këtij Shërbimi nuk mund të ketë as pavarësi të shtetit dhe as drejtësi ligjore, mirëpo është Lidhja Demokratike e Kosovës ajo e cila ka hezituar për formimin e këtij komisioni, shpesh herë edhe duke mos dashur të flasë më shumë rreth kësaj çështjeje.

Ndërsa, pozita dhe opozita shprehin qëndrime pothuajse të njëjta sa i përket hezitimit të LDK-së për formimin e një komisioni për hetimin e SHIK-ut.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, thotë për “Bota sot”se LDK-ja është parti që nuk ka program politik dhe dëshiron ta mbajë vetën viktimë për nevojat politike.

“LDK -ja është parti pa program politikë. Ajo ka ekzistuar në bazë të inercionit politikë. Për hetim të SHIK-ut vetë drejtuesit kanë kërkuar hetim dhe kjo nuk është gjë e jashtëzakonshme. LDK-ja do me majt veten si viktimë për nevoja politike” shprehet Hasani.

Sipas tij LDK-ja nuk guxon të marrë veprime të tilla politike sepse është parti që nuk ka vizion.

Ndërsa, kryetari i AAK-së në Prishtinë, Avni Arifi, thotë se LDK-ja përveç që nuk është e interesuar për formimin e një komisioni ajo gjithashtu mund të frikësohet nga e vërteta.

Ai thekson se vështirë të shpjegohet sjellja e Lidhjes Demokratike të Kosovës sepse veprojnë ndryshe ditën dhe ndryshe natën.

“Një grup që e ka kap LDK dhe e ka dëbuar Rugovizmin nga LDK-ja  jo vetëm që nuk është e interesuar por edhe mund të jetë e frikësuar nga e vërteta. Është shumë vështirë të shpjegohet ndryshe sjellja e këtij grupi të LDK. Ditën akuzojnë dhe vajtojnë e natën takohen dhe bëjnë pazare. Ju kujtoj se edhe koalicioni LDK-PDK është bërë në orët e vona të mesnatës. Kjo është strategjia e këtij grupi të natës sepse LDK-ja i frikësohet së vërtetës” deklaroi Arifi.

Ai shpreh dhembshuri për shumë aktivistë të LDK-së që për gati tri dekada i kanë shërbyer demokracisë dhe lirës me devotshmëri.

Ndërsa, anëtari i kryesisë së Nisma për Kosovën, Bajram Hasani thotë se LDK-ja nuk dëshiron ta formojë këtë komision sepse atëherë do të rrezikohej koalicioni me PDK-ën.

“LDK-ja heziton sepse natyrisht nuk dëshiron që niher ta prishë koalicionin me PDK, por edhe mund që këtë ta shfrytëzojë më vonë për qëllime partiake apo qëllime të fushatës” shprehet Hasani.

Ai thotë se pavarësisht hezitimit të LDK-së, komisioni për hetime duhet të formohet.

Kurse një shpjegim krejtësisht tjetër ka deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hatim Baxhaku.

Sipas Baxhakut, komisionet asnjëherë nuk kanë zgjidhur probleme dhe nuk do të zgjidhin as SHIK-un.

“Komisionet hetimore parlamentare asnjëherë nuk kanë zgjidhë dhe nuk do të zgjidhin probleme dhe as këtë të SHIK-ut. Për këtë arsye LDK nuk mendon se një komision hetimor mund të zbardhë veprimtarinë e SHIK , dhe nuk është kundër por as entuziaste për krijimin e tij. SHIK dhe njerëzit e saj për veprimet e tyre duhet t’i hetojë drejtësia dhe prokuroria” shprehet Baxhaku.

Baxhaku hodhi poshtë deklaratën se LDK-ja dëshiron të shfaqet viktimë për nevojat politike. Ai thotë se një gjë të tillë ata nuk e kanë dashur asnjëherë.

“ LDK asnjëherë, po them asnjëherë nuk ka dashur të paraqitet si viktimë nëse kërkon zbardhjen e vrasjes së veprimtarëve të vet ashtu siç kërkon zbardhjen e çdo vrasje. Është e vërtetë se këto humbje të veprimtareve e kanë dobësuar LDK. LDK në zgjedhjet e ardhshme ashtu si gjithmonë votën e qytetarëve e kërkon jo për keqardhje dhe gjynahe, por në bazë të kontributet të pakontestueshem që ka dhënë” pohon Baxhaku.

Ai gjithashtu kundërshtoi mundësinë që nuk dëshirojnë prishjen e koalicionit me PDK-në prandaj hezitojnë që të formohet një komision hetimor për SHIK-un.

“LDK nuk ka asnjë frikë për prishje të koalicionit. Koalicioni nuk ka qenë dëshirë e asnjë anëtari dhe asnjë forumi e lideri të LDK-së. Koalicioni ka qenë një nevojë për shtein për shkaqe të rrethanave që dihen” përfundoi Baxhaku.

Ndrësa deputeti tjetër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi thotë se nënshkrimin e tij për formimin e komisionit e ka bërë moti ndërsa çështjet tjera duhet përgjigjet partia.

“Unë e kam nënshkruar kërkesën për komisionin hetimor parlamentar para më shumë se dy viteve, ndërsa për çështje tjera përgjigjet partia” u shpreh Gashi.

“Bota sot” ka provuar të kontaktojë edhe me shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqirin në lidhje me këtë çështje mirëpo ai nuk ka dashur të prononcohet.

Kurse analisti politik, Blerim Burjani thotë se për momentin LDK-ja nuk ka interes ta formojë një komision sepse natyrisht do të çonte në prishjen e koalicionit prandaj ajo ka vendosur të hesht.

“Nuk është në interes të LDK-ës të formohen komisione të tilla në këtë kohë sepse do të çonte në prishjen e këtij koalicioni, prandaj LDK-ja ka zgjedhur rrugën e heshtjes në këtë kohë apo përderisa funksionon ky koalicion, prandaj do të ketë heshtje. LDK-ja kuptohet se nuk heq dorë nga kërkesa dhe pretendimet por se edhe në këtë periudhë është e interesuar të ndodhin hetime” shprehet Burjani.

Ai thotë se edhe PDK-ja është e interesuar për zbardhjen e këtyre rasteve.

“Pra si LDK-ja që është e interesuar për zbardhjen e rasteve edhe PDK-ja dëshiron sepse ka zëra në PDK që këto raste të zbardhen është edhe në dobi të këtij subjekti të zbardhen rastet sepse këtij subjekti i janë vesh shumë” përfundoi Burjani.

Kurse subjektet opozitare në fillim të vitit 2015, patën filluar mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve, në mënyrë që të krijohet një komision hetimor parlamentar për veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Kosovës, por kjo nismë dështoi pasi ata nuk arritën t’i sigurojnë nënshkrimet e 40 deputetëve sa nevojiten për formimin e komisionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat