A do të thyhet bastioni i PDK-së?!

Aktuale

A do të thyhet bastioni i PDK-së?!

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 3 dhjetor 2016 Në ora: 08:45
Ilustrim

Deri para pak vitesh ishte bastioni më i fuqishëm i Partisë Demokratike të Kosovës. Madje PDK-ja identifikohej me Drenasin e Skenderajn. Sa herë që kishte zgjedhje, fitorja e PDK-së ishte e pakontestueshme edhe mbi 50 % në këto dy komuna.  Mirëpo, zgjedhjet e parakohshme në Komunën e Drenasit, duket se do ta thonë të kundërtën e asaj me të cilën identifikohej më herët PDK-ja. Të paktën kjo u pa gjatë fushatës, ku akuzat ndaj PDK-së prej kandidatëve të tjerë ishin të ashpra. 

Sipas analistit Skënder Zogaj, Drenasi nuk i ka gëzuar meritat e luftës, pasi sipas tij, popullata e kësaj treve është kurbanizuar për interesa te individëve dhe grupeve përfituese.

“Drenasi e ka hipotekuar kryeneçësisht vetveten si bastion i PDK-s dhe, kjo hipotekë i ka mbetur si guri i mullirit në qafën e vogël drenicake e cila gjithmonë ka shkëlqyer nëpër luftëra ndërsa gjithmonë ka dalë e humbur në liri, sepse, kurrë nuk i ka gëzuar meritat e luftës, dhe këtë, sepse, popullate e kësaj treve është kurbanizuar për interesa te individëve dhe grupeve përfituese”, ka thënë Zogaj për “Bota sot”.

Sipas Zogajt, Drenasi pas luftës ishte getoizuar duke ia dhënë epitetin e bastionit të PDK-s.

“Vet fakti se pas luftës, Drenasi ka vazhduar metodën komuniste të marrjes së vendimeve historike, duke dhënë verdikte ideologjike, me 99 % të votave për zgjedhjen e përfaqësuesve të saj në të gjitha nivelet. Kjo e ka getoizuar Drenasin duke ia dhënë epitetin e bastionit të PDK-s, që është manifestuar si shenjë krenarie, por në fakt ka qenë fatkeqësi për banorët vendës, sepse, në vend se t'ua lartësonte namin lirisë dhe demokracisë së mirëfilltë, i ka shndërruar në maskotë ideologjike të diktuar ekstremisht nga PDK, e cila e i ka përvetësuar kapitalizuar pa të drejtë vlerat e luftës, si adut partiak, edhe pse, kjo nuk ka qenë fare e vërtetë”, është shprehur ai.

Në këtë mënyrë, ai ka deklaruar se tashmë elektorati i Drenasit pas 17 vitesh e ka kuptuar hilen dhe kjo po shprehet edhe në fushatën e këtyre ditëve.

“Elektorati i Drenasit pas 17 vitesh e ka kuptuar hilen dhe këtë po e shpreh edhe fushata e këtyre ditëve, ku zërat e ndryshëm janë të shumtë dhe, siç është thëne, po ndodh kthesa, sepse për herë të parë njerëzit po guxojnë të shprehin lirshëm dhe publikisht mendimin e tyre duke e kundërshtuar hapur "nënën parti" dhe duke treguar se, pluralizmi më në fund po fillon të jetësohet edhe në trevën e Drenasit”, ka theksuar Zogaj.

Ai është shprehur se kjo, është një shenjë shumë e këndshme dhe shpresëdhënëse, sepse, më në fund edhe Drenasi po lirohet nga hipoteka e bastionit të imponuar dhe po rreshtohet në vargun e vullneteve të lira të qytetarisë së civilizuar, që është krye vlera e shoqërisë demokratike.

Kurse, sipas analistit Ismet Haziri, në politikë nuk ka tradhti por vetëm interesa të ulëta klanore.

Ai ka theksuar se sondazhi më i mirë për skenën politike të Kosovës do të jetë Drenasi.

“Paraprakisht dua të them në politik nuk ka tradhti, ka vetëm interesa, ato munden me qenë parimore dhe të ulëta e klanore. Pra, askush nuk ka të drejtë që qytetarët e Drenasit të i quaj tradhtarë nëse edhe ata mendojnë ndryshe. Politikanet duhet ta dine se proceset dialektike po veprojnë, që d.m.th se ka ndryshime, elektorati dhe populli ka ngritje të vetëdijes politike dhe ma nuk ju beson frazave dhe dogmave politike, por fakteve te matshme dhe të prekshme për jetën më cilësore të secilit qytetar. Në këtë rast unë lirisht them, se PDK e dinë më mire se ne a e meriton , apo nuk e meriton votën në Drenas.  Një e vërtetë është se sondazhi më i mirë për skenën politike të Kosovës do të jetë Drenasi, nga këtu do të bëhet një matje shumë e mirë e fuqive politike jo vetëm ne Drenas  por edhe në nivel vendi”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, PDK-ja duhet të mësohet me vërejtjet dhe jo vetëm me duartrokitje që me dashamirësi e lavdërim i pranojnë të gjithë politikanët e Kosovës.

“Përplasjet qytetare me të zgjedhurit duhet të ndodhin më shpesh, po që të jenë në shërbim të qytetarisë dhe interesit qytetar duke kërkuar llogaridhënie dhe transparencë në punë e secilit  që ka poste publike dhe politike dhe që aty ka arritur me votën e popullit, ngase deri më tani, praktikat që janë treguar  këto dy elemente të cekur më lartë , si duket janë pjesë e panjohur në retorike e  përfaqësueseve institucional. Pra, edhe PDK duhet të mësohet me vërejtjet dhe jo vetëm me duartrokitje që me dashamirësi e lavdërim i pranojnë të gjithë politikanët e Kosovës”, ka përfunduar Haziri.

Ndryshe, zgjedhjet në Komunën e Drenasit do të mbahen këtë të diele./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat