Mustafa: Mos të mungojnë financat për përmirësimin e cilësisë në arsim

Aktuale

Mustafa: Mos të mungojnë financat për përmirësimin e cilësisë në arsim

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 10:07
Mbledhja e sotme e Qeverisë

(E plotësuar) - Qeveria e Kosovës i ka miratuar disa projektligje dhe vendime të ndryshme, ndër të cilat edhe planin strategjik për zhvillimin e arsimit 2017/2021.

Ky plan strategjik sipas ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, do t’a ndihmojë vendin tonë që të ketë arsim më cilësor pasi siç tha ai, Kosova nuk ka marrë vlerësim të kënaqshëm në vlerësimin ndërkombëtar për cilësi në arsim PISA.

Kryeministri Isa Mustafa me këtë rast tha se strategjia duhet të përkrahet dhe shtoi se në këtë drejtim të mos mungojnë mjetet financiare së paku në mënyrë që të përmirësohet kjo gjendje.

Mustafa: Vlerësimi i PISA-s na tregon se duhet të bëjmë më shumë

“Ne e kemi një vlerësim, vërtetë një vlerësim që është bërë nga PISA lidhur me arsimin. Ajo është një fakt që na tregon se ne duhet të bëjmë shumë më shumë në këtë fushë, është tani ky plan strategjik, unë pajtohem që ti mobilizojmë të gjitha fondet dhe të gjitha mundësitë të kësaj pjesës që është pjesë materiale që mos të mungoi, por mandej duhet të shohim edhe ndërhyrjes që duhet ti bëhet pjesës programore në pjesën profesionale pjesën e atyre që e mbajnë këtë proces mësimore sepse domosdoshmërish udhët të krijojmë të gjitha kushtet me pas rezultate të mira”, tha ai.

Në mbledhjen e Qeverisë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj e paraqiti kërkesën për miratimin e projektligjit për themelimin e Fondit për Ballkanin Perëndimor, i cili ka për qëllim shkëmbimin e të rinjve dhe bashkëpunimin në fusha kulturore e arsimore.

Hoxhaj: Ky fond përkrah zhvillimin e bashkëpunimit kulturor

“Fondi i Ballkanit perëndimor ka për qëllim që të promovoj zhvillimin dhe bashkëpunimin në mes të palëve do ët thotë në mes të këtyre shteteve të vishengradit dhe shteteve të Ballkanit perëndimor, forcimi në lidhje bilaterale në mes të këtyre vendeve , mbështetjen e integrimit në Bashkim Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe prezantimin e përbashkët të palëve nënshkruese me vendet e treta. Ky fond përkrah zhvillimin e bashkëpunimit kulturor, do të thotë kultura është njëri prej fikuseve të bashkëpunimit, mandej promovimin dhe zhvillimin e shkëmbimeve akademike të kërkimit, të inovacionit si dhe të arsimit në të gjitha nivelet”, tha Hoxhaj.

Pas miratimit të kësaj,  Hoxhaj pati edhe një kërkesë për pagesën e 30 mijë eurove si shtet anëtar i Fondit për Ballkanin Perëndimor, ku tha se mjetet i posedon MPJ-ja vetëm se kërkoi miratimin e kësaj pagese.

Hoxhaj: Duhet ta paguajmë kontributin tonë si shtet me të drejta të barabarta

“Si pjesë e këtij vendimi duhet ta kem edhe në propozim vendim për ndarjen e  mjeteve financiare në vlerë prej 30 mijë eurosh të cilat i paguan MPJ për të përmbushur nga ana e shtetit tonë kontributin financiar për pjesën operacionale të vitit 2016 në Fondin e Ballkanit Perëndimor me seli në Tiranë. Ju informova edhe më herët që ne jemi anëtarë i barabartë në të gjitha nivelet në këtë organizatë ndërkombëtare dhe rajonale”, tha ai.

Ndërkohë, në mbledhjen e Qeverisë u miratua edhe ndihma për shërimin e deputetit Bardhyl Meta për të cilin zëvendësministri Hajredin Kuqi tha se është duke u shëruar në Gjermani.

Kuqi: T’i ndajmë 34 mijë euro

“Zyra e kryeministrit e ka marrë një kërkesë nga deputeti Bardhyl Meta i cili është në shërim jashtë vendit në Gjermani dhe i cili ka nevojë për mbulimin e shpenzimeve me shumë prej 34 mijë e 204 euro. Në koordinim të plotë edhe me kryeministrin dhe ministrin e financave jemi pajtuar që ta ndajmë këtë pjesë dhe ju ftoj që ta miratoni”, tha Kuqi.

Qeveria e miratoi edhe marrëveshjen për themelimin e programit kornizë për bashkëpunim financiar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Hungarisë.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, tha se kjo marrëveshje parasheh përmirësimin e rrjetit të ujërave të zeza dhe kap një shumë prej 62 milionë eurove.

Hoti: Marrëveshja kap vlerë prej 62 milionë eurove

“Ministria e Financave i ka zhvilluar negociatat formale me autoritetet hungareze për dakordimin e kushteve të kësaj marrëveshjeje. Marrëveshja në fjalë është një kornizë bashkëpunimi në fjalë në mes të dy shteteve ton për financimin e projekteve të ujërave të zeza si dhe në infrastrukturë. Marrëveshja ka një vlerë prej 62 milion euro, me normë efektive të interesit vjetor 0 për qind, grejs periudhë 1,5 dhe një periudhë kthimi prej 17 viteve”, tha ai.

Në mbledhjen e qeverisë u miratuan edhe disa projektligje dhe rekomandime tjera.

Image

***

Qeveria miraton themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor

Qeveria e Kosovës ka miratuar themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, me qëllim të bashkëpunimit ndërmjet shteteve të Ballkanit në fushën e kulturës akademike dhe shkëmbimin e të rinjve.

Po ashtu gjatë mbledhjes së qeverisë, u miratua edhe shuma prej 30 mijë eurove për t’a bërë pagesën e këtij fondi si shtet i barabartë.

Qeveria  gjithashtu ka miratuar edhe kredinë 61 milionëshe nga Qeveria e Hungarisë,  me qëllim të përmirësimit të sistemit të ujërave të zeza me 1,5 % grejs periudhë dhe 17 vite kthimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat