Deputetët e Kosovës anëtarësohen në OBP kundër Korrupsionit (GOPAC)

Aktuale

Deputetët e Kosovës anëtarësohen në OBP kundër Korrupsionit (GOPAC)

Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 15:13
Deputetët e Kosovës në OBP kundër Korrupsionit

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, në Kuvendin e Republikës së Kosovës u mbajt sot ceremonia e anëtarësimit të deputetëve të Kosovës në Organizatën Botërore të Parlamentarëve kundër Korrupsionit-GOPAC, me ç'rast u bë edhe themelimi i Degës së GOPAC-ut në Kosovë.

GOPAC është aleancë e parlamentarëve për të luftuar korrupsionin, fuqizuar demokracinë dhe për sundim të ligjit.

Fillimisht për rëndësinë e themelimit të kapitullit GOPAC-ut në Kosovë foli Valdete Bajrami, kryesuese e Komisionit Parlamentar për mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, si dhe kryesuese e Komitetit të Përkohshëm Drejtues për themelimin e Degës së GOPAC.

Deputetja Bajrami sqaroi se duke pasur parasysh faktin se GOPAC është unik në atë që është rrjeti i vetëm ndërkombëtar i parlamentarëve të fokusuar vetëm në luftimin e korrupsionit dhe duke pasur parasysh se anëtarët e tij përfaqësojnë më shumë se 50 vende të botës, deputetët e Kuvendit të Kosovës (Valdete Bajrami, Albulena Haxhiu, Armend Zemaj, Agim Aliu dhe ish-deputetja Suzan Novobërdali) në bashkëpunim me UNDP-në kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë që të jenë pjesë e kësaj organizate. Bajrami shprehu besimin e saj se në ditët në vijim do të rritet numri i deputetëve për t’u bërë pjesë e fuqishme e kësaj organizate.

“Duke qenë në mesin e atyre njerëzve dhe duke marrë praktikat më të mira të botës, do t’i kontribuojmë vendit që të avancojmë luftën tonë të pa kompromis kundër korrupsionit”, tha Bajrami dhe shtoi se në këtë mënyrë përmes përmirësimeve në fushën e legjislacionit do të avancojnë në këtë rrafsh, për të mos anashkaluar edhe faktin se funksioni i dytë kryesor i parlamentarëve përveç atij ligjvënës është edhe mbikëqyrja parlamentare. Deputetja Bajrami tha se në këtë mënyrë synojnë që me përvojat e tyre që do t’i marrin atje, duke qenë pjesë e kësaj organizate, do ta forcojnë mbikëqyrjen parlamentare në raport me institucionet zbatuese të ligjit.

Krejtësisht në fund, Bajrami deklaroi se deputetët inicues për anëtarësim në këtë organizatë janë shtyrë nga këto parime: ndershmëri, përgjegjësi, bashkëpunim, si dhe diversitet të parimeve, të cilat promovohen pikërisht nga organizata GOPAC.

Edhe kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, Albulena Haxhiu, tha se duke marrë parasysh shkallën e korrupsionit në vend dhe vështirësitë për ta luftuar atë, po ashtu bazuar edhe në rolin që kanë si deputetë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kanë nisur procedurat e anëtarësimit në GOPAC me ndihmën e UNDP-së, dhe me disa nga deputetët e Komisionit për Legjislacion, si dhe ish deputetja Suzan Novobërdali.

Kjo sipas Haxhiut meqë ka qenë nevojë urgjente që të forcojnë mekanizmat e mbikëqyrjes, në mënyrë që ligjet që nxirren nga Kuvendi të zbatohen dhe jo të mbesin në sirtarë të institucioneve, si të pazbatueshme.

“Ligjet duhet të mbikëqyren dhe aty ku kemi probleme t’i avancojmë dhe forcojmë. Si drejtuese e Komisionit për Legjislacion dhe për anëtarët e këtij komisioni është nder që në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit të jemi edhe zyrtarisht pjesë e një organizate që promovon vlera dhe praktika më të mira të qeverisjes së mirë. Shpresoj që në kohën kur Kosova do t’i futet një reforme të mirëfilltë të funksionimit të sistemit, neve si deputetë të na gjejë të përgatitur, duke njohur mirë sistemet e avancuara dhe ato t’i përshtatim për vendin. Ne si deputetë duhet të mundohemi që besimin e humbur tek qytetarët ta kthejmë meqë ata presin veprime konkrete në luftën ndaj korrupsionit”, tha deputetja Haxhiu.

Gjatë kësaj ceremonie foli edhe z. Jean-Hubert Lebet, ambasador i Zvicrës në Kosovë, për përkrahjen e Zvicrës për luftën kundër korrupsionit në Kosovë. “Pavarësisht dëmit të madh që korrupsioni ia shkakton shoqërisë, nga e cila përfitojnë disa dhe tjerët dëmtohen, shpeshherë kjo mbetet e pandëshkuar dhe kjo vlen për shumë vende, duke përfshirë edhe Kosovën. Jemi në dijeni që korrupsioni ka kosto të lartë sociale dhe ekonomike dhe në këtë mënyrë dobësohet apo zbehet mundësia e zhvillimit të Kosovës. Korrupsioni është një krim që nuk duhet të tolerohet dhe duhet të refuzohet dhe të luftohet në disa nivele”, tha Hubert Lebet, duke sqaruar në vijim se Zyra për Zhvillime Zvicerane e ka mbështetur këtë kornizë, ndërkaq shtoi se kjo është një punë e gjatë dhe sfiduese për të gjithë.

”Zvicra do të vazhdojë të jetë partner i besueshëm që ta mbështesë Kosovën për të përqafuar standardet, vlerat e llogaridhëniës dhe transparencës”, tha ai, duke shtuar se objektivi i projektit është që të forcojë transparencën institucionale, llogaridhënien, integritetin, me fokus të veçantë në fuqizimin e qytetarëve dhe qasjen në informacione.

Jean-Hubert Lebet, ambasador i Zvicrës në Kosovë, përmendi faktin se një nga partnerët kryesor të projektit kundër korrupsionit është Kuvendi i Kosovës, duke mbështetur kështu parlamentarët në avokimin e legjislacionit për ta bërë administratën publike më llogaridhënëse dhe më transparente.

“GOPAC-u, kapitulli i Kosovës do të jetë një fokus në fuqizimin e kapaciteteve të deputetëve për të mbështetur përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe për të promovuar qeverisjen e mirë” tha z. Hubert Lebet, duke uruar kështu deputetët që ta kryejnë këtë funksion me dinjitet dhe me zell.

Përkrahjen e vazhdueshme nga UNDP-ja në luftimin e korrupsionit në Kosovë, nëpërmjet një letre e e cila u lexu në këtë ceremoni, e ka konfirmuar edhe znj.Alessandra Roccassalvo, zëvendës-përfaqësuese e përhershme, UNDP Kosovë, (e cila nuk ishte prezente në këtë ceremoni për shkaqe shëndetësore).

Ndërkaq, për themelimin e Kapitullit të GOPAC-ut në Kosovë, për rëndësinë, praktikat ndërkombëtare dhe hapat e radhës, një fjalë rasti mbajti edhe z. Akaash Maharaj, kryeshef ekzekutiv, nga Sekretariati Global i GOPAC.

Akaash Maharaj tha se GOPAC është aleancë e parlamentarëve për të luftuar korrupsionin, fuqizuar demokracinë dhe për sundim të ligjit. Ndërkaq vlerësoi se korrupsioni është kërcënim i madh i sigurisë së shtetit dhe i të drejtave të njeriut.

“Statusi i Kosovës në komunitetin ndërkombëtar është i pazgjidhur dhe besojmë se anëtarësimi i Kosovës në GOPAC do të luajë një rol ndërkombëtar për t’i mundësuar Kosovës që ta zë vendin e saj si një komb i lirë dhe i barabartë me vendet tjera. Kosova është bërë pjesë e GOPAC për shkak të përpjekjeve të mëdha.
Ne, do të luftojmë me juve dhe për juve, si dhe jemi shumë mirënjohës që e keni marrë këtë vendim”, tha Maharaj duke falënderuar kështu UNDP-në për rolin e vendimtar për t’ia mundësuar Kosovës anëtarësimin në GOPAC, duke përmendur me këtë rast edhe ambasadën zvicerane, si dhe deputetët e Kuvendit për vullnetin e tyre për t’i shërbyer të mirës shoqërore. 

Në këtë ceremoni një fjalë rasti mbajti edhe z. Ismet Krasniqi, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili foli për rolin e Administratës së Kuvendit në përkrahjen e deputetëve të Kuvendit kundër korrupsionit. 

“Sot, kur përmbyllet java ndërkombëtare e antikorrupsionit po konfirmohet gatishmëria dhe vullneti i Administratës së Kuvendit për t’iu bashkangjitur dhe anëtarësuar kësaj organizate, që ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, që në vete përmban luftën kundër korrupsionit”, tha Sekretari i Kuvendit, Krasniqi.

Në vijim, ai sqaroi faktin se Administrata e Kuvendit ofron mbështetje profesionale për kryesinë, seancën plenare, komisionet parlamentare, grupet parlamentare, si dhe për deputetët , sipas parimeve të cilat duhet t’iu përmbahet çdo nëpunës civil gjatë kryerjes së detyrave të tyre. Krasniqi vlerësoi se qasja etike e punës institucionale për një qeverisje të mirë ka bërë që Kuvendi të marrë parimet bazë të GOPAC-ut dhe t’i transferojë në planin e saj strategjik, duke ngritur po ashtu edhe një plan të integritetit për Administratën e Kuvendit.

“Deklaroj përkushtimin e administratës se do të veprojë në koordinim të ngushtë me komisionin në jetësimin e të gjitha obligimeve që merr Kuvendi si pjesë e GOPAC”, tha sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi duke përmendur faktin se transparenca dhe llogaridhënia e Kuvendit janë elemente të parapara dhe duke besuar se Kuvendi nëpërmjet mekanizmave të vet do të ndërtojë standarde të qarta të integritetit dhe transparencës./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat