Qeveria dënoi veprimin e Vetëvendosjes për linçimin publik të 12 qytetarëve

Aktuale

Qeveria dënoi veprimin e Vetëvendosjes për linçimin publik të 12 qytetarëve

Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 19:37
ilustrim

Qeveria e Republikës së ?Kosovës përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se dënon përpjekjet e ulëta të Lëvizjes Vetëvendosje për linçimin publik të 12 qytetarëve, të cilët ushtrojnë detyra në institucione dhe në medie të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës konsideron se veprime të tilla denigruese, fyese dhe kërcënuese, janë tërësisht të papranueshme në një shoqëri demokratike.

Qeveria e Kosovës kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje që sa më parë të distancohet dhe të heq dorë nga veprime të tilla antidemokratike, të cilat cenojnë integritetin personal, dëmtojnë imazhin, nxisin urrejtje dhe mund të rrezikojnë sigurinë e qytetarëve, duke bërë thirrje për veprime anarkike, kriminale dhe vetëgjyqësi.

Qeveria e Republikës së Kosovës fton organet kompetente të shtetit që të trajtojnë këto veprime të pandërgjegjshme dhe të marrin masa adekuate për sigurinë e personave të etiketuar, për synime të propagandës së ulët politike. 

Duke theksuar mbështetjen e plotë për të gjithë qytetarët e vendit, zyrtarët dhe personalitetet publike të cilët kryejnë detyrat e tyre në përputhje me ligjet, Qeveria e Kosovës beson fuqishëm se këto forma të shantazhit publik dhe të frikësimit, nuk do të zbehin përkushtimin e njerëzve të vullnetit të mirë për Republikën e Kosovës e të ardhmen e saj zhvillimore, demokratike dhe euroatlantike”, thuhet në komunikatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat