Thaçi: Kjo është Kosova e re që po ndërtojmë

Aktuale

Thaçi: Kjo është Kosova e re që po ndërtojmë

Më: 31 dhjetor 2016 Në ora: 14:13
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marr pjesë në ceremoninë e hapjes së nyjeve lidhëse të fshatrave Konjuh dhe Babush në Rrugën 6 “Arbën Xhaferi”.

Në përmbyllje të këtij viti, presidenti Thaçi tha se kjo është dhurata më e mirë që mund të bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës për shtetin, por edhe për të gjithë qytetarët e vendit.

Duke e vlerësuar projektin, presidenti theksoi se ky projekt evropian dëshmon se ëndrrat po bëhen realitet.

“Kjo është Kosova jonë e re që po ndërtojmë, është projekti i Kosovës evropiane, Kosovës moderne. Ky është projekti që tregon se ëndrrat po i bëjmë realitet, idetë dhe projektet po i realizojmë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kjo autostradë moderne dhe e munguar historikisht, sipas presidentit Thaçi, sot po bëhet realitet falë punës dhe përkushtimit të përbashkët.

“Sot, Kosova është shndërruar në një model të infrastrukturës rrugore moderne në rajon, prandaj gjithë kjo është bërë falë punës së përbashkët, angazhimeve të përbashkëta, suksesit të përbashkët. Uroj që ta gëzojnë gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës edhe rajoni këtë autostradë moderne të munguar historikisht te ne”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërkaq, kryeparlamentari Veseli, këtë autostradë e vlerësoi si bazamentin e transformimit të madh ekonomik që do ta ketë Republika e Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik.

“Kjo është bazamenti i këtyre investimeve në infrastrukturë, bazamenti i vetë transformimit të madh ekonomik, që do ta ketë Republika e Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik. Pa këtë bazament, as s’do të mund të paramendojmë transformimet e mëdha ekonomike të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me lëvizjen e njerëzve, por të njëjtën kohë edhe me lëvizjen e mallrave. Kjo autostradë do të bartë me miliona produkte drejt tregut të Bashkimit Evropian”, u shpreh kryeparlamentari Veseli.

Për kryeministrin Isa Mustafa, inaugurimi i kësaj pjese të rëndësishme të autostradës “Arbën Xhaferi” ishte me rëndësi themelore.

“Për mua është me rëndësi themelore që kemi arrit një punë shumë të madhe ta bëjmë këtë vit dhe vitin e kaluar, se po e inaugurojmë sot një pjesë të rëndësishme të kësaj autostrade”, theksoi kryeministri Mustafa.

Ndërsa, ky përurim i segmentit të parë të projektit më të madh infrastrukturor në vend në ditën e fundit të vitit ishte jo përmbyllje e vitit për ministrin e Infrastrukturës, por hapje për qarkullim të një të tretës së autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.

Pjesëmarrës në këtë përurim ishin edhe ministra të tjerë të Qeverisë së Kosovës, kryetarë komunash, deputetë dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme të akredituar në Kosovë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat