Analistët: Viti u mbyll dhe nisi i riu me bllokadë politike

Aktuale

Analistët: Viti u mbyll dhe nisi i riu me bllokadë politike

Më: 31 dhjetor 2016 Në ora: 14:20
Qeveria

Qeveria e Kosovës edhe gjatë vitit 2016-të karakterizohet me dështime të shumta, si mos ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, mos themelimi i Asociacionit, mos tërheqje të investimeve dhe mos krijimin e vendeve të reja të punës, për të cilat premtimet ishin në shifra tejet të mëdha. Gjatë vitit që lamë pas nuk munguan as protestat e opozitës të cilët brenda e jashtë Kuvendit, kanë kundërshtuar vendimet e Qeverisë, në përpjekje për të penguar arritjen e disa proceseve, të cilat i kanë quajtur të dëmshme për vendin.

Nuk kanë munguar as thirrjet për rrëzim të kësaj Qeverie, e cila është thënë se nuk ka bërë asgjë të mirë për vendin. Pakënaqësi në kohë të ndryshme të vitit janë shfaqur edhe nga një pjesë e konsiderueshme e deputetëve të partive që janë partnerë të koalicionit, të cilët kanë kundërshtuar disa vendime të Qeverisë, së bashku me opozitën.

Përkitazi me këto probleme dhe ngecje, analistët politik në Kosovë vlerësojnë se kjo Qeveri përgjatë vitit 2016-të përveç dështimeve të njëpasnjëshme, s’ka arritur të bëjë asgjë të mirë për vendin. Analisti politik Imer Mushkolaj,  thotë se  kur flasim për këtë Qeveri, mund të flasim vetëm për ngecje, qoftë në aspektin politik, qoftë në atë ekonomik. Mushkolaj thotë se Kosova e përfundoi vitin me një bllokadë politike, e po ashtu  e bllokuar politikisht hyri në një vit të ri.

Mushkolaj: Ka pasur ngecje gjatë gjithë vitit

“Nëse flasim për ngecjet njëmend kemi çfarë të flasim në të gjitha aspektet. Qoftë në aspektin politik, qoftë në aspektin e zhvillimit ekonomik. Dhe absolutisht është absurde të flitet për përmirësimin e situatës së zhvillimit ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, aq më pak me ato shifrat të cilat janë dhënë qysh në fillim të këtij mandati. Në aspektin politik,  ka pasur ngecje gjatë gjithë vitit. Ka pasur bllokadë gjatë gjithë vitit. Në fakt qeveria Mustafa më tepër  është marrë me menaxhimin e disa krizave që i ka shkaktuar vet ajo, respektivisht i ka shkaktuar vet z. Mustafa, me ç’rast është  absolutisht përjashtues edhe ndaj spektrit politik opozitar dhe ndaj shoqërisë në përgjithësi, në çështje shumë të rëndësishme siç ka qenë edhe Asociacioni dhe Demarkacioni. Dhe sot në fund të vitit, në fillim të vitit të ri ne jemi të bllokuar politikisht. Ne jemi në një bllokadë pol itike, pa marrë parasysh se premtimet kanë qenë do të kalojnë marrëveshjet shpejtë dhe do të përmirësohet edhe jeta e qytetarëve. Për shkak se ideja për krijimin e asociacionit,  ka qenë që jeta e qytetarëve serb të përmirësohet. Në zhvillimin ekonomik, pavarësisht pretendimeve se kemi pasur rritje ekonomike dhe ka pasur përparime, në fakt duhet të shihet se sa kjo hetohet tek qytetari i rëndomtë. Dhe nëse e pyet qytetarin e rëndomte, se a e ka jetën tash më të mirë, apo para dy vjetësh ku z. Mustafa dhe ky koalicion qeveritar ka ardhur në qeverisje, unë nuk besoj se do të thotë se tash jeta është më e mirë. Të mos flasim pastaj për ngecje të shumta në sektorin e shëndetësisë”, tha ai.

Edhe analisti Behlul Beqaj thotë për Kp se kjo Qeveri ka dështuar pothuajse plotësisht, sidomos në realizimin e premtimeve bazike që kishte dhënë. Ai thotë se përkundër gjendjes që ka krijuar, kjo Qeveri ka treguar një aftësi dhe një dinakëri të çuditshme të mbijetesës.

Beqaj: Kjo Qeveri po mbijeton me një dinakëri të çuditshme

“Nuk kemi kurrfarë dileme të konstatojmë, se kanë dështuar të themi ndoshta tërësisht në kuptimin e realizimeve që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe ato vendet e punës që silleshin prej 200 deri në 100 mijë. Ishin vetëm ëndrra të parealizuara dhe dëshira të parealizuara. Kanë dështuar në kuptimin e tërheqjes së investimeve të huaja dhe kanë një debalanc dramatik në tregtinë e jashtme, sikurse që kanë dhe një mungesë të vullnetit të theksuar politik në luftën kundër  korrupsionit....Kështu që mbeten disa gjëra që këtë edhe tash e rëndojnë, siç është puna e mos ratifikimit të demarkacionit. Dhe natyrisht ajo që është thembra e Akilit, është çështja e liberalizimit të vizave. Këto janë disa nga ato dështime, të cilat kanë krijuar një situatë, që kjo Qeveri përkundër kësaj gjendje ta ketë një aftësi, një dinakëri të mbijetesës së çuditshme. Ndonëse këto dështime kanë qenë aq tà « mëdha dhe aq të rënda saqë në konceptin e një rezonimi logjik, do të duhej të ishte Qeveri e cila do të duhej të mendonte për të shkuar në shtëpi, e jo për ta vazhduar mandatin e saj”, tha ai.

Me gjithë dështimet e mëdha,  Beqaj thotë se kjo Qeveri ka dhe disa arritje sic janë MSA-ja dhe Ligji për Trepçën.

Beqaj: S’bënë të themi që Qeveria dështoi plotësisht

“Ne mendojmë se nuk bënë të themi , që ka dështuar plotësisht, për faktin se gjatë kësaj periudhe janë marrë disa vendime shumë të rëndësishme siç është p.sh MSA-ja. Janë marrë vendime të rëndësishme siç është Ligji për Trepçën. Janë marrë vendime të rëndësishme,  siç është Gjykata Ndërkombëtare për gjykimet e supozuara të krimeve të luftës, e kështu me radhë. Por efektet e këtyre vendimeve të rëndësishme, mendoj se do të shihen në të ardhmen se çfarë kanë qenë. Duke përfshirë edhe kodin telefonik dhe disa nga vendimmarrjet dhe marrëveshjet që kanë krijuar gjatë bisedës me Serbinë në procesin e dialogimit të deritanishëm”, tha Beqaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat