Hashim Thaçi, premtuesi më i madh i vizave për qytetarët

Aktuale

Hashim Thaçi, premtuesi më i madh i vizave për qytetarët

Më: 3 janar 2017 Në ora: 11:04
Hashim Thaçi

Megjithë premtimet për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës nga krerët e lartë shtetëror, që u premtuan edhe në vitin 2016-të, qytetarët e Kosovës prapëseprapë e mbyllën vitin të izoluar nga lëvizja e lirë në zonën Schengen.

Në krye të listës me më së shumti premtime në këtë proces qëndron ish-kryeministri i vendit, tash president i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili deklarime e premtime për lëvizje të lirë ka bërë pothuajse çdo vit. Premtime këto të cilat nuk u realizuan kurrë.

Në vitin 2010, Thaçi u kishte premtuar qytetarëve që gjatë 15 muajve të qeverisjes së tij do të lëviznin lirshëm pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

Thaçi: Do të lëvizim lirshëm, do të jemi evropian krenar

“Gjatë 15 muajve të mandatit tonë të ardhshëm qeverisës, Qeveria që do ta udhëheq unë, do t’i përmbush të gjitha kriteret demokratike për lëvizje të lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa viza në tërë Evropën. Ne si shteti më i ri në botë, shteti i mundësive të mëdha, si evropianet me të rinj do të jemi evropian krenarë në Evropën e bashkuar”, tha ai.

Premtimet shpresëdhënëse të Thaçit s’kishin të ndalur as në vitet pasuese. Ai vazhdonte të kishte kryefjalë të premtimeve liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Edhe në vitin 2013, ish-kryeministri Thaçi deklaroi se javët dhe muajt në vijim, do të jenë vendimtarë për liberalizimin e vizave.

Thaçi: Javët dhe muajt në vijim vendimtare për lëvizje të lirë

“Javët dhe muajt në vijim janë vendimtarë për procesin e liberalizimit të vizave. Shumica e kritereve tashmë i kemi zbatuar, kështu që mos të lejojmë asnjë kohë por edhe pjesën e mbetur që të vonohemi në këtë proces, të mos lejojmë që për shkak të neglizhencës dhe angazhimit të vonohet lëvizja e lirë e shtetasve tanë pa viza në BE”, tha ai.

Premtimet mbetën të njëjta nga viti në vit, ndërkohë që qytetarët vazhdonin të prisnin para ambasadave për t’u pajisur me viza, të cilat me vështirësi vazhdojnë t’i marrin edhe sot. Qytetarët edhe në vitin 2017-ën po hyjnë si populli i vetëm i izoluar nga lëvizja e lirë në Evropë për dallim nga të gjithë shtetet tjera të Ballkanit. Dy kushtet finale për plotësim nga institucionet e Kosovës karshi kërkesave të BE-së, vazhdojnë të mbeten të paplotësuara, më shumë për inate dhe favore politike.

Analisti Imer Mushkolaj thotë për Kpse po t’i besonim premtimeve të ish-kryeministrit Thaçi, qytetarët tash e pesë vjet do të duhej të lëviznin lirshëm. Ai nuk ka shpresë se viti i ri do të sjellë liberalizim për qytetarët e Kosovës.

Mushkolaj: Dyshoj që do të ketë liberalizim dhe në vitin 2017

“Nëse iu kishim besu premtimeve, ne tash pesë vjet do të duhej të lëviznim lirshëm, atëherë, kryeministri Thaçi pat premtuar që brenda 10 muajve do të mundësohej heqja e vizave, mirëpo ne edhe gjatë 2016-ës, mbetem të izoluar dhe unë nuk besoj që mund të presim lajme të mira edhe në vitin 2017, poqëse nuk përmbushen kushtet e përcaktuar, si luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. I kemi parë disa përpjekje të organeve të gjyqësisë dhe prokurorisë për t’i hetuar dhe dënuar disa raste të korrupsionit, mirëpo, ato më shumë kanë qenë nën presionin se duhet të hetohet dhe dënohet dikush se sa ka qenë vërtetë një vullnet i organeve për t’i hetuar dhe dënuar rastet e profilit të lartë që janë të shumta në Kosovë. Nëse nuk ekziston ky vullnet politik në radhë të parë, pavarësisht se prokuroria, gjyqësia, sistemi i drejtësisë janë të ndara nga politika, atëherë, unë dyshoj shumë se do mund të kem i lëvizje të lirë dhe në vitin 2017”, tha Mushkolaj.

Ndërsa, Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën, thotë se Kosova do të vazhdojë të jetë e getoizuar përderisa ka një qeverisje të tillë çfarë e kemi.

Bajrami: Me këtë qeverisje, Kosova do të vazhdojë të jetojë në geto

“Ju e dini çfarë lufte e ashpër është zhvilluar në fushatën e 2014-ës nga PDK dhe LDK me akuza dhe kundër akuza mes tyre dhe pikërisht të dy partitë kanë pasur sloganin e fitores që do të ofrojnë qytetarëve liberalizimin e vizave dhe çka ndodhi e kundërta, në momentin që ky koalicion u nënshkrua, kemi pasur një dalje masive të qytetarëve, një ikje masive nga vendi për në rrugët e BE-së...Kosova do të jetë vazhdimisht në geto, falë qeverisjes së keqe dhe fal njerëzve të cilët janë të papërgjegjshëm, të padijshëm, të cilët po na udhëheqin në procesin e dialogut Kosovë-Serbi...Besoj që me këta krerë nuk do të kemi liberalizim të vizave edhe një kohë të gjatë, në rast se këta vazhdojnë të jenë në krye të Qeverisë“, tha Bajrami.

Edhe Donika Kadaj-Bujupi nga VV, thotë se nuk do të ketë liberalizim, përderisa nuk ekziston vullneti politik për të luftuar korrupsionin në nivele të larta.

Kadaj: S’ka liberalizim pa e luftuar korrupsionin

“Liberalizimi i vizave nuk ndodhi ekskluzivisht për faktin se ne nuk pamë arrestime të individëve përgjegjës për korrupsionin e nivelit të lartë në vend. Ishin disa përpjekje të niveleve të ulëta por jo verdikte finale për krerët e shtetit, të cilët janë thellë të ngulfatur në krim të organizuar dhe korrupsion dhe të cilët përderisa janë aty nuk mund ta luftojnë vetveten, prandaj, derisa  i kemi këta njerëz në pushtet, derisa klani Pronto dhe partnerët e tyre të koalicionit, të cilët në vazhdimësi po e thellojnë gjendjen e shkaktuar nga veprimet, sidomos të klanit Pronto, në periudhën e pasluftës nuk mund të presim as liberalizim, as ditë të mira për vendin, sepse nuk ka as përkrahje nga BE që me trendët e tilla të korrupsionit të nivelit të ulët në arsim, në shëndetësi, e tema të tjera në vend të ecet përpara ose të kemi integrime evropiane, në cilën do fushë, e madje as të drejtën për të lëvizur lirshëm”, tha ajo.

Vjosa Osmani, deputete nga radhët e LDK-së, thotë se liberalizimi i vizave nuk varet nga qeverisja në Kosovë. Ajo thotë se edhe Kosova e ka merituar liberalizimin e vizave, pasi një gjë të tillë e mori Gjeorgjia e Ukraina, por për Kosovën po përdoren standarde të dyfishta.

Osmani: Kosova e ka merituar liberalizimin

 “Që kjo çështje nuk varet vetëm nga qeverisja në Kosovë, nuk varet vetëm nga institucionet e Kosovës edhe pse një punë e madhe pritet të bëhet nga Kosova sa i përket plotësimit të kritereve, por varet dhe nga qëndrimet individuale që i kanë shtetet anëtare të BE-së.....Natyrisht, që duke pasur parasysh që Ukraina dhe Gjeorgjia po lëvizin përpara në këtë drejtim, është thënë shumë herë dhe duhet të përsëritet, që në krahasim me këto shtete, por dhe shtete tjera në rajon, Kosova patjetër që e ka merituar që të përfshihet në listën e shteteve që iu hiqet viza. Megjithatë, vazhdimisht janë përdorur standarde të dyfishta, por kërkohet dhe shumë punë nga ana e institucioneve të Kosovës, në veçanti për kriterin kryesor që është luftimi i krimit dhe korrupsionit, i cili akoma konsiderohet kriter i paplotësuar nga ana e BE-së”, tha ajo.

Edhe Shaip Muja, deputet i PDK-së, thotë se ka humbur shpresën për qasje pozitive nga ana e BE-së, sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai i quan të parsyeshme kriteret e vëna, e jo mos plotësimin e tyre nga ana e Qeverisë.

Muja: Kritere të paarsyeshme

“Personalisht e kam humbur shpresën në qasjen pozitive që ka BE karshi Republikës së Kosovës, janë arsye të paarsyeshme të cilat e kanë neglizhua mos dhënien e vizave për Kosovën, prandaj, BE siç duket më shumë është duke ecur në amortizimin edhe të fuqive tjera,  të cilat po e cenojnë dhe interesin e Kosovës. Dhënia e vizave të disa shteteve, tani më së fundi me probleme shumë të mëdha, përcjellë dhe një interpretim tek ne se është paarsyeshëm faktet që i tërheq BE. Ne po bëjmë të pamundurën në plotësimin e kushteve, ndërsa dy kushtet e paraqitura, janë kushte shumë të paarsyeshme”, thotë ai.

Ndryshe, Kosova do të ketë edhe një shans të fundit për liberalizimin e vizave deri në muajin shkurt të vitit 2017.

Por kjo do të ndodhë vetëm nëse parlamenti i Kosovës, e voton marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, në këtë mënyrë Kosova do të rikthehej në të ashtë quajturën “Pakon”, në të cilën momentalisht janë Gjeorgjia dhe Ukraina, ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat